Politike

Lufta për liri është e pastër, e moralshme dhe e ndershme

I ndoqa me vëmendje disa prej diskutimeve të kolegëve të opozitës parlamentare. Gjej rastin të konstatoj se disa prej tyre nuk e kanë kuptuar se kush ishte objekti i ligjit në fjalë. Bie plotësisht dakord se ligji “Për partitë politike” në Shqipëri, sikurse ligji për financimin e tyre, janë një kuadër ligjor që duhet plotësuar. Nëse deri tani kemi përfunduar çështjen e Kodit Zgjedhor do të na duhet që legjislaturën tjetër të ndalemi për të forcuar legjislacionin që rregullon funksionimin dhe transparencën e partive politike.

Ajo që po bën Kuvendi i Shqipërisë sot, është ajo që kjo mazhorancë e ka thënë dhe mbetet e bindur në seriozitetin e saj në marrëdhënie me marrëveshjet që firmos.

Në 5 qershor mazhoranca parlamentare, një përfaqësues i opozitës parlamentare dhe dy përfaqësues të dy partive të opozitës jashtë parlamentare, firmosën një marrëveshje ku u ra dakord që çështjet e financimit të partive të transferohen nga ligji për partitë politike në Kodin Zgjedhor.

Të gjithë ata, që thanë se nuk do e votojnë këtë ligj, ju kujtoj se e kanë votuar më 23 korrik. Pra, më 23 korrik kemi votuar pikërisht këtë që po bëjmë sot. Këtu përfundon kjo çështje!

Partia Socialiste e Shqipërisë në këto 30 vite kurrë nuk ka shkelur një marrëveshje, as ato me kundërshtarët e saj. Në këtë funksion rideklaroj se Partia Socialiste i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit. Jemi të gjithë të qartë se procesi i ndryshimeve kushtetuese, i ka hapur rrugë hapjes së listave dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Na ndajnë edhe pak kohë nga zgjedhjet e 25 prillit ndaj i ftoj të gjitha partitë politike të bëhen gati për të garuar tek gjykatësi, që nuk gabon kurrë, që është populli shqiptar.

E dyta, për çështjet e financimit të partive politike dua ta ripërsëris me bindje se duhet forcuar legjislacioni. Nuk kemi ne sot një legjislacion, që të garantojë që partitë politike të mos financohen nga burime të paligjshme.

Dështimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare për të hetuar si duhet rastin e financimit të Partisë Demokratike, të bërë publik me prova jo me fjalë, sesi nga një kompani guackë në Edinburgh të Skocisë persona të caktuar, me origjinë apo me pasaporta ruse, “ua dha në zemër” për të financuar Lulzim Bashën është një fakt që sot nuk është hetuar. Kjo është një sirenë alarmi, sesi parti të caktuara në Shqipëri mund të bien pre nga vende, që nuk janë aspak miqësore me Shqipërinë. Biem të gjithë dakord se Rusia nuk është një vend miqësor me Shqipërinë. Në këtë këndvështrim fakti që Partia Demokratike, një prej partive më të rëndësishme të jetës politike në vend pas Partisë Socialiste, nuk sqaroi pozicionin e vet për këtë çështje është një arsye më shumë që tregon se, kuadri ligjor për financimin e partive politike në Shqipëri nuk është i duhuri.

E treta, dua të them diçka për çështjen e demokracisë së brendshme të partive politike. Mos e kërkoni tek ne fajin që Partia Demokratike sot është kthyer në një parti ku ngrihet një Komision i Posaçëm i Besnik Mustafajt, Genc Rulit, Mark Markut dhe Bujar Nishanit, të cilët ngarkohen me detyrën e “pushkatimit” pa gjyq të djalit të Fahri Balliut apo Ervin Salianjin.

Çështjet e organizimit të tyre, partitë i zgjidhin me statut. Nëse doni një model sesi mund të përfshihet anëtarësia e partisë në vlerësimin e kandidatëve dhe deputetëve, mund t’ju ftojmë një ditë dhe t’u shpjegojmë sesi kemi organizuar procesin më të pastër dhe më transparent të vlerësimit.

Me grupet armiqësore brenda Partisë Demokratike ne nuk na takon të merremi.

E fundit, u ngrit këtu çështja e propozimit tim për ngritjen e një Komisioni, që është në proces formalizimi, është një proces që kërkon një konsulencë shumë të mirë juridike, sepse ne nuk mund të ngremë një Komision të Posaçëm, i cili t’i mbivendoset kompetencave të një gjykate. Gjykata që po merr në gjykim komandantët e luftës së UÇK-së nuk është një gjykatë ndërkombëtare, sepse sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës, ajo është një dhomë e një Gjykate Ndërkombëtare. Nuk di t’ia definoj statusin asaj gjykate.

Ne si Kuvend i Shqipërisë kemi detyrimin moral të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Mazhoranca e vitit 2011 në vendin tonë, ka votuar Pro një rezolute për investigime të pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë. Proces i nisur me mocionin e një rezolute të vitit 2008, paraqitur nga një anëtar i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës, Konstandin Kosaçev, përfaqësues i Federatës Ruse.

Pra, procesi që çoi deri në miratimin e rezolutës së propozuar nga z. Dick Marty ka filluar nga viti 2008 nga një deputet i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës, përfaqësues i Federatës Ruse.

Në atë rezolutë të miratuar 25.01.2011 janë vënë çështje që lidhen me territorin e Republikës së Shqipërisë, në Mat, Has dhe Kukës. Përsa i përket këtyre çështjeve në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar hetime nga institucionet e drejtësisë shqiptare, të cilat kanë arritur në përfundimin që në Shqipëri nuk ka pasur krime, as në të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë dhe as në vendet e sipërpërmendura.

Për të gjitha këto çështje, ne si Kuvend, duhet të vlerësojmë mundësinë e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm që ti trajtojë. Pasi të kemi arritur në një raport përfundimtar mund të shkojmë tek një rezolutë. Padyshim që duhet ta denoncojmë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare në Kosovë.

Kush nuk e di dhe kush nuk e ka ende të qartë në kokë, duhet ta ngulisë mirë se lufta për liri, nuk është kurrë krim lufte. Lufta për liri është e pastër, e moralshme dhe e ndershme.

Rroftë lufta çlirimtare e popullit të Kosovës!

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version