Kosova

Luhet ndeshja e fundit e dialogut Kosovë-Serbi, lëvizin kanalet alternative

Kritikat e zyrtarëve kosovarë ndaj emisarit europian, Miroslav Lajçak mbështeten në mosbesimi e Prishtinës zyrtare tek ai, porse gjithashtu ngrejnë disa pyetje: A ka besim Albin Kurti te Amerika, Gjermania dhe Britaninë e Madhe? A e ka “luajtur” Prishtina ndeshjen e fundit në dialog, nën patronazhin e BE-së? A do të zgjidhen, përmes kanaleve “laterale”,  temat nga dialogu që janë në dobi të Kosovës, ndërsa çështjet me rëndësi për palën serbe do të mbeten anash?

Gjatë gjithë vitit të kaluar, përfaqësues të pushtetit në Prishtinë i atribuan Lajçakut akuza se është i njëanshëm dhe se ka qasje të gabuar ndaj dialogut, kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gervalla, këto ditë pa kurrfarë etike diplomatike,  tha se Lajçak është vetëm një zyrtar i zakonshëm I BE-së, që merr një rrogë, dhe që do të largohet e do vijë një tjetër.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit në Kosovë, Glauk Konjufca, deklaroi se edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbështet konceptin e përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Me një logjik të thjeshtë, edhe Escobar është “në favor të palës serbe”, kurse qëndrimi britanik është i ndryshëm.

Meqenëse mandati i Lajçakut është i kufizuar deri në fund të gushtit 2024, pyetja është nëse duhet të presim që përfaqësuesit e Kosovës të vijnë në raundet e ardhshme në Bruksel vetëm për formë e pa përmbajtje?

Analisti Afrim Hoti tha se që në fillim ishte e qartë se qëndrimi i Lajçakut nuk ishte ai që priste Kosova, por problemi këtu nuk është Lajçaku sepse ai përfaqëson BE-në.

“Këtu duhet pasur parasysh se BE-ja nuk vepron si shtet dhe se disa anëtarë të saj nuk e njohin Kosovën. Kjo do të thotë se edhe Lajçaku duhet të përfaqësojë pikëpamjet e tyre” – theksoi analisti, duke shtuar se Kosova preferon të komunikojë me vendet që e kanë njohur dhe që flasin me zë të lartë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si marrëdhënie mes dy vendeve.

I pyetur nëse në këto rrethana dialogu do të “ngrijë” deri në zgjedhjen e Komisionit të ri Evropian dhe negociatorit të ri të BE-së, Hoti u shpreh se nuk mendon që ky proces do të ndalet dhe se Lajçaku do të vazhdojë aktivitetet e tij.

“Por kjo do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe në SHBA. Procesi i negociatave është në vazhdim dhe ka nevojë që të dyja palët dhe mbi të gjitha fuqitë perëndimore të gjejnë një zgjidhje” – potencoi Hoti.

TRENDING

Exit mobile version