04/06/2021 , 16:01

Mandati i tretë nga zgjedhjet e 25 prillit, Sekretari Blinken uron Ramën për fitoren: Zgjedhjet treguan se gatishmërinë për të hapur negociatat

Pas fitores së mandatit të tretë në zgjedhjet e 25 prillit, Kryeministrit Rama i ka ardhur një mesazh urimi nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Në mesazhin e numrit 3 të administratës së Presidentit Biden, teksa ka përgëzuar Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, thuhet se përmes këtyre zgjedhjeve Shqipëria ka demonstruar gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE.

“I nderuar Z. Kryeministër: Urime për ju dhe partinë tuaj për suksesin tuaj elektoral. Unë gjithashtu dua të përgëzoj popullin e Shqipërisë që, me gjithë kufizimet e pandemisë COVID-19, ushtroi të drejtat e tyre themelore në zgjedhjet e 10-të kombëtare të vendit që nga rënia e komunizmit. Unë pres që të punoj me ju gjatë mandatit tuaj të tretë si Kryeministër për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë mbi demokracinë dhe mbrojtjen, si dhe tregtinë dhe investimet.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë ndërsa punon për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përmirësuar llogaridhënien e qeverisë dhe për të kryer reformën në drejtësi. Përmes këtyre zgjedhjeve paqësore, Shqipëria ka demonstruar më tej gatishmërinë e saj për të hapur negociatat e pranimit në BE.

Shqipëria është një Aleate e fortë e NATO-s dhe ne ju përgëzojmë për përparimin tuaj drejt Betimit të Uellsit. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe e vlerësojmë shumë Shqipërinë për pritjen e Defender 21. Ne përballemi me shumë kriza në të gjithë globin, dhe unë kam besim se së bashku mund të ngrihemi për të përmbushur këto sfida historike. Ne kemi një mundësi dhe një përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme paqësore të rrënjosur në liri dhe prosperitet për të gjithë”, thuhet në mesazhin e urimit të Antony J. Blinken, publikuar nga Top Channel.

Kujtojmë se Partia Socialiste fitoi 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, duke u konfirmuar kështu bindshëm në krye të qeverisjes edhe për një mandat të tretë. Sekretari Blinken u vu në qendër të vëmendjes pak ditë më parë pasi shpalli ‘non grata’ ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Sali Berisha, vendim i cili shkaktoi një ‘furtunë’ në opinionin publik.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin