Aktualitet

Marrëveshja për pensionet Shqipëri-Itali

Shoqata “Volare” në Itali organizoi një takim virtual mbi çështjen e pensioneve ku temë e diskutimit ishte “A do të bëhet marrëveshja? E drejta e pensionit”.

Në këtë takim në thelb ishte problematika e kontributeve që derdhin shtetasit shqiptarë në Itali dhe e drejta e përfitimit të pensionit.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko shprehu vullnetin e palës shqiptare për të zgjidhur këtë çështje.

“Kjo është çështja më e rëndësishme që qeveria shqiptare ka pasur në çështjet bilaterale me qeverinë italiane për shkak të kostove janë shtyrë kohë pas kohe. Tani po kalojmë kohë të vështira për shkak të virusit dhe situatës emergjente. Më e rëndësishme është që jemi të shqetësuar për këtë çështje, si çështja e pensioneve. Kemi krijuar një koordinator të shteti special në nivelin e zv.ministrit, zv.ministri i jashtëm është nominuar për këtë. Bazuar në këtë ju më pyetët a jemi gati për të biseduar? Përgjigja ime është e thjeshtë: Nesër, ne jemi gati të bisedojmë për këtë. Sepse komuniteti shqiptar në Itali është ndër më të mëdhenjtë që Shqipëria ka jashtë vendit dhe presioni është normal, është i lartë. Kjo është arsyeja që kohë pas kohe kemi komunikuar me kolegë në Romë”, u shpreh ministri Majko.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe eksperti i ekonomisë, profesor në Bocconi dhe Harvard, si dhe anëtari i senatit italian Thomaso Nannicini. Ai foli lidhur me paraqitjen për herë të dytë në senat të një amendamenti Ligjit te Buxhetit për të financuar marrëveshjen e pensioneve Itali-Shqipëri.

Sipas Nannicinit, beteja është edhe për italianët që jetojnë në Shqipëri. Ai thotë se ngërçi ngelet pikërisht te kostot, pra financimi i marrëveshjes që sipas tij fillimisht kërkon 20 milionë euro dhe se tashmë duhet vullnet politik.

“Për ne është një betejë dhe për të drejtat më e gjerë, liritë janë solidare. Kemi prezantuar amendamente të ndryshme edhe kjo e fundit është depozituar sot nga PD në komisionin e punës, dhe të njëjtin amendament e paraqitëm vitin e shkuar në Senat. Para vendimit për të thënë po apo jo, shpresoj të vijë një “po” dhe të lejojë dy qeveritë të kalojnë nga deklaratat në fakte. Duhet vullneti politik dhe nevoja për t’i dhënë përgjigje”, tha Nannicini.

Kryetarja e Komisionit të Punës në Senatin italian, Susy Matrisciano, e pranishme në takimin online ishte shpresëplotë për amendamentin e Nannicinit por tha se për shkak të situatës së emergjencvës shëndetësore gjërat janë ngadalësuar disi. Ajo përmendi mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, teksa tha se përpjekje të tilla ka pasur dhe në të shkuarën. Ajo tha se një marrëveshje të tillë e presin dhe Ukraina dhe Moldavia por me Shqipërinë jemi shumë afër.

Edhe nënsekretari i Ministrisë italiane të Ekonomisë dhe Financave, Pierpaolo Baretta ishte i mendimit se është çështje vullneti politik sapo të zgjidhet problemi financiar.

Duke njohur rolin e komunitetit shqiptar në ekonominë italiane dhe mirënjohjen ndaj tyre Baretta theksoi angazhimin e tij bashkë me kolegët e ministrisë italiane të Punës dhe asaj të Jashtme që të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur tryeza për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje.

“Sapo të zgjidhet problemi financiar, është një çështje e vullnetit politik. Marr përsipër angazhimin me kolegët e Ministrisë së Punës që janë në sintoni dhe ministri i Jashtëm sepse sa më shpejt të jetë e mundur që kjo tryezë të realizohet dhe t’i jepet përgjigjja e nevojshme shumë qytetarëve që duan këtë të drejtë të mohuar”, tha Baretta.

Takimi u moderua nga Geri Ballo, aktiviste dhe nje nga themelueset e shoqatës “Volare. Takime dhe diskutime mbi çështjen e pensioneve dhe kontributeve që shqiptarët kanë derdhur në Itali janë diskutuar edhe më parë nga kjo shoqatë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version