Bota

Masakra e Pragës krim i paralajmëruar/ Nëna e vrasësit çek lajmëroi policinë për sulmin

David Kozak, i cili kreu masakrën me armë të enjten në Universitetin ‘Karl’ të Pragës dyshohet se është autor edhe i një tjetër krimi të rëndë. Hetuesit dyshojnë se 24-vjeçari është autor i vrasjes së një 32-vjeçari dhe vajzës së tij vetëm 2-muajshe, në një pyll në Pragë një javë më parë.

Drejtuesit e policisë çeke, në një konferencë për shtyp paraditen e kësaj të premteje bënë të ditur se Kozak u vetëvra në Universitetin e Pragës, vendin ku vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë pasditen e të enjtes. Ai qëlloi ndaj vetes me automatikun me të cilin kreu masakrën sapo pa që u rrethua nga forcat speciale në tarracën e universitetit.

Mediat çeke bëjnë të ditur se ishte e ëma e autorit që njoftoi policinë se i biri ishte nisur për të kryer një sulm me armë në Universitet, të enjten menjëherë pasi vrau të atin në shtëpinë e tij 20 kilometra larg Pragës. Policia u vu menjëherë në lëvizje, por nuk arriti të shmangë masakrën për punë minutash.

Në disa mesazhet që ai kishte lënë disa ditë para masakrës në rrjetin social të komunikimeve me mesazhe Telegram, Kozak shprehej se synonte të kryente një sulm me armë në shkollë dhe më pas të vetëvritej nën shembullin e Alina Afanaskinës, një nxënëse 14-vjeçare ruse e cila më 7 Dhjetor vrau me armë 2 nxënës dhe plagosi 5 të tjerë në një gjimnaz në Briansk, para se të vetëvritej.

Vetë 24-vjeçari ndiqte studimet master për histori në universitetin e Pragës dhe ishte student ekselent dhe shumë miqësor, sipas atyre që e njihnin. Ai dyshohet se ka vepruar i vetëm. Të shtunën, qeveria çeke e shpalli ditë zie kombëtare.

TRENDING

Exit mobile version