Kosova

Mbi varrin e Blerinës/ Avokati serb për Vuçiçin: Rizgjohet e keqja  

Avokati serb, Cedomir Stojkoviç, ka qëndruar dje për vizitë në Prekaz ku edhe ka vendosur lule tek varri i Blerina Jasharit, veprim për të cilin opozitari serb Nikola Sanduloviç u arrestua nga regjimi i Vuçiçit në Serbi.

Stojkoviç në platformën “X” ka shkruar se duhet bërë përpjekje për paqen dhe për të bërë pajtim, meqë nga një gjë e tillë varet e ardhmja e fëmijëve të të gjithëve.

Ai ka thënë se ka vendosur lule tek varri i Blerina Jasharit, e cila është vrarë në moshën 7 vjeçare dhe ka bashkangjitur fjalimin e tij të plotë të mbajtur në Prekaz.

Stojkoviç në fjalimin e tij ka përmendur faktin se Serbia ka arrestuar politikanin serb, Nikola Sanduloviç, vetëm pse ka vendosur lule tek varri i Blerina Jasharit dhe se arsyetimi i autoriteteve serbe për arrestimin e tij ka qenë se “Një serb ka vendosur lule mbi varrin e vajzës së vrarë shqiptare Blerina Jasharit dhe prandaj duhet ta arrestojmë”.

Ai ka përmendur shembullin e luftës së Dytë Botërore, dhe faktin se si gjermanët sot nderojnë viktimat polake në Varshavë.

Stojkovic tha se bashkëpunimi i Gjermanisë me Poloninë sot, formojnë shtyllën kurrizore të Evropës dhe se martesat  e përziera mes tyre gëzojnë përfitimet e paqes së krijuar, pavarësisht një historie mizore.

Megjithatë Stojkoviç, duke folur për luftën e Kosovës, tha se Serbia edhe 25 vite pas saj, arreston njerëz që kërkojnë paqe mes kombeve duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë.

Ai tha se kjo është një shenjë që s’duhet injoruar dhe se është një paralajmërim se e keqja po pret kohën e saj për t’u rizgjuar. Sipas Stojkoviç, kjo e keqe po përpiqet të vrasë shpresën që një e ardhme e përbashkët është e mundur. Megjithatë avokati serb u shpreh se këto përpjekje dështuan dhe do të dështojnë gjithmonë, duke e ndërlidhur këtë me vizitën e tij në Prekaz.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbje për qytetarët e vrarë pas 26 vitesh. Erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat. Kam ardhur të jap një mesazh të qartë: ne që po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për popullin tonë, nuk kemi frikë! Nuk kishim frikë dje, nuk kemi frikë sot, dhe nuk do të kemi frikë as nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë” – theksoi avokati duke potencuar

“Urrejtja vdes. Liria jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe dhe miliona shpresa dhe ëndrra, që fillojnë me fjalën “Më Fal”

TRENDING

Exit mobile version