Aktualitet

‘Mbreti’ i lojrave të fatit/ Dy vjet i zhdukur, SPAK veçon dosjen e Ervis Martinajt

SPAK përfundoi këtë të premte hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen “Metamorfoza”  ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie.

Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, si dhe prokurori Xhevahir Lita.

Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Një prej tyre është edhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj, i cili vazhdon të jetë i zhdukur prej rreth dy vitesh.

“Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Ervis Martinaj shfaqet në bisedat me Behar Bajrin, të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit. Dhjetëra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj,  por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij.

Misteri i zhdukjes

Ervis Martinaj njihej si njeriu që jetonte mes biznesit të lojrave të fatit dhe botës të krimit të organizuar.

Më 9 gusht 2022, 41-vjeçari humbi kontaktet me rrethin e tij shoqëror dhe  familjar, çka solli që një ditë më pas në 10 Gusht xhaxhai i tij Rakip Martinaj të kallëzonte në policinë e Laçit, rastin e humbjes së kontaktit me nipin.

Shijaku ishte pika e fundit e ndalesës së tij, duke hyrë në banesën e një të njohuri A.A. Shijaku mban të fshehur misterin nëse Ervis Martinaj është gjallë apo e kanë vrarë.

Për një periudhë gati 2-vjeçare emri i Ervis Martinajt, ka ngjallur kureshtje, duke e ndarë opinionin publik, median dhe policinë, mes misterit nëse është i gjallë apo është i vdekur.

Prokuroria e Laçit dhe më pas ajo e Lezhës po kryejnë hetime për akuzën e “Rrëmbimit dhe zhdukjes së personit”. Por deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë provë apo sinjalizim.

Njerëzit e fundit që shoqëronin Ervis Martinaj nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ishin e dashura e tij Sadete Kokomani dhe punonjësi i policisë, Jeton Lami.

Ky i fundit u arrestua për “Shpërdorim detyre” dhe më pas u dënua nga gjykata e Lezhës me dy vjet e 10 ditë burgim.

E megjithëse Prokuroria e Lezhës, për rastin Martinaj po kryen hetime në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit, nga ana tjetër SPAK, brenda 1 viti ka iniciuar 4 procedime penale kundër tij, duke i vendosur 2 masa sigurimi “Arrest në burg”.

Dy herë në kërkim brenda vitit

Nga maji 2022 deri në korrik 2023, Ervis Martinaj është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK, si person i implikuar në sigurimin e kushteve për të vrarë Endrit Doklen, Kleant Musabelliut dhe vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër.

Një masë tjetër është dhe inicimi i një hetimi pasuror, duke vendosur sekuestrimin e pasurive të biznesmenit dhe familjarëve të tij. Ndërkohë një proces tjetër është iniciuar në SPAK pas dyshimeve të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Njëherësh në prokurorinë e Lezhës, në shtator 2022 Martinaj rezulton të jetë marë i pandehur së bashku me Nikolin Nikën, për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj 64-vjeçarit Nikoll Buna. Por pas të gjitha këtyre dosjeve penale të lindura brenda 1 viti, Ervis Martinaj, nuk ka dhënë asnjë sinjal që ekziston.

TRENDING

Exit mobile version