Politike

Më të mirë se ne nuk ka dhe nuk do ketë edhe për shumë kohë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në takimin “Deputeti që duam”, në Vlorë.

Shumë faleminderit dhe bashkohem dhe unë me urimin për një shërim të shpejtë për drejtuesin politik të qarkut, mikun tonë të përbashkët Damian Gjiknuri, i cili si shumë shqiptarë të tjerë duhet të përballet në këtë moment me armikun e padukshëm.

Përmes këtij urimi, dua t’i uroj çdo të mirë dhe shërim sa më të shpejtë të gjithë atyre që në këtë moment kanë këtë sfidë. E në ndërkohë dua të falenderoj nga zemra të gjithë ekipin e spitalit të Vlorës dhe drejtoren e spitalit Brunën në radhë të parë për të gjithë punën e shkëlqyer që kanë bërë së bashku, natyrisht me ministren tonë të shëndetsisë për një transformim fantastik të spitalit të Vlorës, por edhe për vënin në dispozicion të një hapësire të konsiderueshme të spitalit për mundësinë që të gjendemi në kushte kur duhet të zgjerojmë frontin e  mbrojtjes nga Covidi.

Ajo që ne sot pamë në spitalin e Vlorës shpresoj që shumë të tjerë ta kenë parë dhe ta shohin përmes mediave dhe rrjeteve tona sociale, është padiskutim një dëshmi kuptimplotë e një të vërtete shumë të thjeshtë që, propagandë bëjnë ata, të cilët flasin dhe tregojnë një realitet që nuk është realiteti i spialeve tona sot, ndërkohë që ne tregojmë me transformimin e realitetit se jemi absolutisht sot në lartësinë e një sfide që është një sfidë për mbarë njerëzimin.

Duke parë sot spitalin e Vlorës përsëri si vazhdimisht këto kohë mendova se çfarë do të kishte qënë për Shqipërinë për shqiptarët kjo periudhë, nëse spitalet do të kishin qënë ato që gjetëm, nëse shërbimi ynë shëndetsor do të kishte qenë sot ai që ishte përpara 7 vitesh. Aty në një kënd ishin ekspozuar dy aparatura të një kohe prehistorike për shndetsinë, të cilat ishin të vetmet aparatura që spitali i Vlorës kushte kur ne morëm detyrën. E në ndërkohë në spitalin e Vlorës si në të gjithë spitalet e Shqipërisë instrumentat mjeksore ishin të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze, pa llogaritur këtu të gjithë vështirësitë e tjera logjistike në çdo spital, ku në atë kohë ishte e vështirë të dalloje kush ishte mjeku, kush ishte infermjerja, kush ishin familjarët, kush ishin kalimtarët dhe kush ishin shitësit që në të njëjtën kohë bënin tregti nëpër spitale.

Ashtu sikundër, në atë kohë ishte e pamundur që të imagjinoje që në Shqiptëri do të kishte spitale që do të ishin jo vetëm të mirëpajisura, por edhe do të mund t’i përgjigjeshin pacintëve me të gjitha protokollet mjeksore, pa i dhënë secilit në dorë recetën për të gjetur ilaçe rrugëve dhe pa i detyruar secilit të vinte me çarçaf dhe me batanije me vete. Kush flet sot për spitalet e Shqipërisë dhe nxjerr nga goja fjalë të padenja ose i ka parë në kohën e vjetër dhe kujton se janë akoma si sot dhe kur i sheh se si janë sot përmes fotove dhe videove mendon që kjo është e pamundur që të jetë e vërtetë, ose i ka të dy sytë në ballë, por e ka mendjen në gjumin e Lulit. Ia ka të dy veshët në vend, por e ka mendjen në dokrrat e Monikës dhe përsërit si në jerm ato që dëgjon. E vërteta sot është që Shqipëria falë këtij transformimi të spitaleve të shërbimit dhe falë pikërisht kësaj qeverie dhe në radhë të parë falë Ministres sonë të Shëndetsisë, Ministrisë së Shëndetsisë dhe autoriteteve tona shëndetsore, po e përballon këtë sfidë plotëisht me dinjitet dhe Shqipërisë nuk po i ndodh asgjë që nuk po i ndodh Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, rajonit dhe kështu me radhë. Është shumë shumë e dhimbshme, por është shumë e vërtetë që sot në këtë situatë në Shqipëri, shoqëria jonë më shumë se sa problemin e mundësive për të përballuar këtë sfidë vuan pamundësinë e një pakice për të gjetur arsye dhe forcë që t’i bashkohet shumicës në këtë sfidë. Një opozitë, e cila shpresën e fundit për t’u kthyer në pushtet e ka varur pikërisht tek armiku i padukshëm, një opozitë e cila fatkeqësisht ëndërron katastrofën, e cila ëndërron atë që thotë përditë, duke e shitur sikur është realiteti që fshihet, por në fakt është ëndrra aspak e fshehtë e saj, qametin, kolapsin e sistemit tonë shëndetsor. Ëndërron që vërtetë të mos ketë më shtretër për të sëmurët, që vërtetë të sëmurët të dergjen dyshemeve, që vërtetë Shqipëria ta humbasë këtë sfidë dhe ata të mund të përfitojnë përsëri atë pushtet, të cilin e kanë patur dy herë dhe në të dy herët në forma të ndrsyhme kanë treguar se dinë ta përdorin vetëm për vete, në ndërkohë që Shqiprinë dy herë e kanë çuar në drejtim të paditur, një herë në humnerë dhe Vlora e mban mend shumë mirë humnerën e vitit ‘97 dhe njëherë në buzë të humnerës në vitin 2013.

Përpara 2 ditësh, Belgjika, që është një nga vendet më të zhvilluara, nuk kemi çfarë diskutojmë, që ka një nga sistemet më të mira shëndetësore, u detyrua të marrë një vendim që parafytyrojeni për një moment ta kishim marrë ne këtu, – të vazhdojë të mbajë në punë, në një spital të sajin, në një spital të famshëm të sajin, mjekë dhe infermierë të infektuar, të dalë pozitivë, t’u thotë vazhdoni punën se nuk ka më kapacitet për të përballuar nevojën për mjekë dhe për infermierë. Por nuk ka dalë në Belgjikë, e kam ndjekur me shumë vëmendje, nuk ka dalë në Belgjikë opozita të akuzojë qeverinë për terrorizëm shtetëror dhe kryeministrin për terrorist. Nuk ka dalë opozita, t’i thotë qeverisë që po vret qëllimisht njerëz, ky është dallimi. Mund të na kishte ndodhur dhe ne dhe larg qoftë mund të gjendemi edhe ne siç gjendet Italia sot që flasim në shumë zona të vetat, edhe në Lombardi ku është ekselenca e sistemit shëndetësor italian dhe europian, në kushtet që pacientët rrinë të shtrirë në dysheme, se nuk ka vend.

Por çfarë do të thotë kjo? Dhe si mundet që shqiptarëve t’ju flitet sikur kjo flamë ka rënë vetëm në Shqipëri dhe jo në gjithë botën, dhe si mundet që dhe për një flamë të tillë që bie një herë në shekull, të mos gjendet ajo forcë njerëzore, morale për t’u bërë njerëzor dhe për të qenë pjesë e përpjekjes për të ndihmuar njerëz. Si mundet që një opozitë e tillë, një parti e tillë, në radhë të parë Partisë Demokratike, t’i mbetet në majë të gjuhës propaganda e katastrofës, e kiametit dhe nga ana tjetër, të katandiset ky vend me një president republike që del atje sikur po del në oborrin e ndonjë klubi me një ndërtim pa leje, në ndonjë periferi të humbur, i dehur plotësisht dhe të thotë: i vë notën 10 kësaj opozite. Natyrisht, është e kuptueshme. I vë notën 10 kësaj opozite sepse për vete shkon edhe më larg, ëndërron luftë, jo me COVID-in, por me qeverinë. Jo me armikun e padukshëm, por me shumicën që e ka kthyer në shënjestër si të ishte një forcë armiqësore. Ëndërron të bëhet Vojo Kushi mbi tankun imagjinar të një regjimi që në fakt është shtypës për Ilir Metën.  Kjo është e vërtetë, sepse shtyp ëndrrën e tij për të vazhduar të sjellë vërdallë gjithë politikën shqiptare dhe  gjithë Shqipërinë, duke u hequr si i treti i vërteti gjithmonë. Një herë këtej e një herë andej. Për t’ju ngjitur o njërit o tjetrit nga dy të mëdhenjtë, për t’ia lënë përgjegjësinë komplet të madhit të rradhës që ka detyrën të qeverisë e për të vazhduar të mjelë lopët apo institucionet e kthyera në lopë për qumështin e ndërmarrjes së Monikës.

Ky është sot për fat të keq realiteti i një opozite, e cila për fatin më të keq, në vend të alternativës ka zgjedhur aleancën me COVID-in. Në vend të zërit të shpresës, ka zgjedhur të bëhet zëri i fatkeqësisë. Në vend të forcës për të qarë hallin e njerëzve, ka zgjedhur të bëhet fuqia e errësirës mbi mendjen dhe shpirtin e njerëzve.

Ua thashë dje miqve tanë në Fier, në të njëjtin takim. Më shkruante një personalitet i moshuar, emrin e të cilit nuk mund ta nxjerr se nuk kam autorizim. E njihni të gjithë, e më thoshte “shyqyr që më në fund fjeta një natë rehat pasi pash pamjet reale brenda spitaleve. Se isha i tmerruar nga ankthi që nuk ka një shtrat për mua nëse do më duhet”. Ja kjo është opozita.

Kjo është opozita që kur tregon brendinë e spitaleve, thotë është propagandë dhe është për të ardhur keq për derdimenët që i ndjekin pas apo që i dëgjojnë dhe i besojnë, se të thuash propagandë për atë që shikon e të thuash fakt për atë që vetëm dërdëllis, është vërtetë një fyerje e inteligjencës njerëzore, por urrejtja, mllefi, zilia, dëshpërimi kanë avancuar përtej çdo limiti në shpirtin dhe në mendjen e kësaj opozite. Flasin për teste, e çmendën miletin: Shqipëria bën më pak teste. Ndërkohë që sot askush, askund nuk i përgjigjet dot pyetjes pse vendet që bëjnë më shumë teste nuk e kanë ndaluar armikun e padukshëm të përparojë? Pse në vendet ku bëhen më shumë teste, zinxhiri i infeksionit, jo vetëm nuk është ndërprerë, por vazhdon të përshpejtohet intensivisht njësoj si kudo tjetër? Pse në vendet ku bëhen më shumë teste, nuk ka më pak të vdekur? Dhe sot kjo është kthyer në një debat brenda për brenda komunitetit shkencor të planetit dhe ka deri dhe mendime që nxitja për të bërë teste, teste pafund është e lidhur dhe me interesat financiare të lobeve të industrisë farmaceutike, deri këtu! Që do të thotë që ka një fakt që bërja e shumë testeve nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në dinamikën e epidemisë dhe këtë nuk e them unë, këtë e thonë burime prej të cilave unë mësoj përpara se të flas për këtë punë se nuk jam ekspert i kësaj pune. Ndërkohë që Shqipëria e them me plot gojën, ka një  komitet ekspertësh të nivelit ndërkombëtar, jo vetëm sepse janë individë me eksperiencë, me studime jashtë, me eksperienca jashtë shtetit apo të lidhur me kohë reale me institutet e shëndetësie dhe me komunitetet shkencore të vendeve të ndryshme, por sepse u kanë dalë fjalët deri më tani.

Unë habitem si mund të ketë njerëz që e hanë këtë broçkull, që ne nuk paskemi shumë teste se nuk dashkemi t’i bëjmë ne ose se nuk mundkemi t’i bëjmë ne. Po pse nuk mundemi t’i bëjmë ne? Nëse Komitetit Teknik i ekspertëve do na kishte kërkuar të blejmë më shumë, do kishim blerë më shumë. Kur ne kemi mundësi sot në këtë fazë dhe falë një politike absolutisht të suksesshme me financat publike edhe në këtë fazë dhe falë një largpamësie për të mos i hedhur të gjithë municionet që në fillim në këtë luftë që nuk dihet sa zgjat, mundësinë që të paguajmë në mënyrë dinjitoze, që as nuk e prisnin fare ata naftëtarët dje, kur kemi mundësinë sot të themi, do t’jua dyfishojmë ndihmën ekonomike deri në fund të pandemisë, të gjitha familjeve me ndihmë ekonomike, nuk paskemi ne mundësinë të blejmë më shumë tamponë? Por fakti është që as Komiteti teknik nuk e ka kërkuar dhe as numri i tamponëve të bërë nuk ka rezultuar të jetë një problem në raport me epideminë.

Tani, njerëzit shkojnë e bëjnë tampon tek privati. Pse shkojnë i bëjnë tamponët tek privati? Një pjesë e madhe e njerëzve që nuk kanë simptomat shqetësuese, pse i bëjnë? Ne nuk mund t’i ndalojmë, por ne u themi dëgjoni mjekun e familjes, dëgjoni urgjencën kur merrni. Nëse nuk ndihesh mirë, sillu njësoj sikur ta kesh COVID-in. Qëndro në shtëpi, bëj ato që të thonë mjekët. Nuk ka nevojë të vraposh të bësh tamponin, për çfarë e bën, për çfarë të duhet? Sot që flasim, Lombardia ka të njëjtin problem. Fola me ministrin e Jashtëm italian dhe më thoshte të njëjtën gjë. Turren të shkojnë të bëjnë tampona tek privati, me kosto marramendëse dhe marrin lloj- lloj ilaçesh që u kushtojnë shumë e që nuk duhet t’i marrin, se ose nuk u bëjnë gjë, ose u bëjnë dëm. Pse? Për çfarë arsye?

Është një sëmundje dreqi, shumë befasuese në mënyrën si të kap, por ka disa gjëra shumë të thjeshta që tanimë kush i ka ndjekur nga afër etapat, duhet t’i ketë mësuar përmendësh çfarë duhet të bësh. E nuk është një sëmundje që mund ta mbysësh me antibiotik. Sado vdekjeprurëse që është, kur je në kushtet e shtëpisë, nuk ke pse shkon dhe mbyt veten me ilaçe, që e përsëris, e thonë mjekët dhe përsëri sot në mëngjes, një nga ekspertët që unë kam folur se flas vazhdimisht me ta më tha: të lutem, kur del përsërite këtë gjë, mos blini ilaçe kot. Në Itali, problemi është që privatët të ngarkojnë me shumë ilaçe. Janë të lidhur me farmacitë.

Merr mjekun e familjes mjekët e familjes e dinë se çfarë duhet të thonë në bazë të protokollit. Kura bazë e COVID-it është e publikuar, për ata që janë në kushte shtëpie. Në momentin që je në gjendje më të vështirë të marrin të çojnë në spital e në spital ka shtretër, nuk ka mungesë shtretërish.

Në spital ka kushte, nuk ka mungesë kushtesh dhe nuk ka asgjë që është në një spital tjetër, ku të doni ju në Europë, që ne nuk e kemi, nga të gjitha pikëpamjet. Pse i çoni politikanët në Turqi? Cilët politikanë çojmë në Turqi ne? Damian Gjiknuri nuk është në Turqi. Blendi Klosi nuk u kurua në Turqi. Ministrja e Financave nuk është në Turqi. Ne nuk mund të ndalojmë askënd të shkojë dhe në Turqi, por anëtarët e qeverisë janë këtu të gjithë disa e kanë kaluar, disa janë duke e kaluar dhe pa diskutim që nëse do jetë nevoja do shkojnë në spitalin publik. Shefja e epidemiologjisë së Shqipërisë profesoresha Silva Bino, që ju e keni parë të gjithë, e pati në gjendje të rëndë. Nuk iku në Turqi, e kaloi në spitalin infektiv të Tiranës. Nuk ka mundësi të shkojë në Turqi? Patjetër që ka. Pse shkoi në spitalin infektiv të Tiranës? Sepse duke qenë shumë në brendësi të të gjithave, e di shumë mirë që nuk ka në Turqi asgjë më shumë se sa këtu dhe e di shumë mirë që le të thonë çfarë të duan për mjekët dhe infermierët tanë, ata janë heronjtë dhe janë absolutisht në lartësinë e detyrës. Nuk ka pyll pa derra, nuk ka. Ka derra në parlament, ka derra në opozitë, ka derra në çdo fushë të jetës, ka derra dhe mes mjekëve dhe infermierëve të Shqipërisë patjetër, por e them me përgjegjësi dhe me diturinë e njeriut që prej 7 vitesh e ndjek nga brenda të gjithë punën për transformimin e sistemit, që shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, nga Bajram Curri, në Konispol janë absolutisht në lartësinë e detyrës.

U përqendrova tek kjo temë ndërkohë që jemi këtu sot, në këtë vend këtu, për ju dhe për të gjithë vlonjatët është e qartë se çfarë ishte ky vend përpara pak kohe, jo përpara 100 vjetësh, as përpara 50 vitesh, por përpara 2 vitesh. Çfarë ishte ky vend? Për ata që nuk janë vlonjatë, as nuk e kanë idenë fare se çfarë ishte ky vend se nuk ka pasur ndonjëherë turistë e nuk ka pasur ndonjëherë vizitor të Vlorës që të kenë kaluar nga ky vend se këtu duhet të kaloje me maskë para se të vinte COVID-i, nga era e keqe dhe duhet të mbyllje sytë se nuk kishte çfarë shikoje fare. Këto ishin të gjitha të fshehura nën pluhurin e harresës dhe me lëkurë të rrjepur komplet sikur i kishte zënë ndonjë epidemi dhe i kishte lënë të kalbeshin mbi dhe. Këtu nën këmbët tona nuk kishte mundësi të ecje pa kapërcyer nga gropa në gropë. Shiteshin lloj – lloj mallrash rrugëve dhe as nuk u shkonte në mendje këtij djalit që ka hapur këtë lokalin se mund të hapte një ditë lokal këtu.

Pse na duhet mandati i tretë? Për një arsye shumë të thejshtë, se në anën tjetër është siç ishte, nuk është si këtu. Tani, imagjinoni ju që Luli me Leckon e Vlorës ta bëjnë dhe anën tjetër si kjo? E parafytyroni dot ju? Jo vetëm nuk do e bëjnë anën tjetër si kjo, por do ta shtrojë leckua këtu me raki e me qofte e do bëhet këtu ansambli polifonik i të dehurve të Vlorës e nuk do ketë familjar që do kalojë këtej, përkundrazi do i thonë dhe kalamajve, mos kaloni andej se e gjeni leckon tapë dhe ju gjen belaja.

E kështu është kudo, nuk është puna me leckon. Leckua vlonjat e kemi, tonin e kemi, nuk kemi çfarë i bëjmë, por kështu është me çdo gjë. Sot pamë urën në rrugën e Lumit të Vlorës. Është ende e papërfunduar, ne do ta përfundojmë. Kujtoni ju se mbetet në këmbë ura po erdhën ata? Apo kujtoni se do kthejnë sytë më ata nga qytetet? E dini pse? Ata e urrejnë qytetin. Nuk e thonë dhe nuk e dinë as vetë por ata urrejnë çdo gjë që lidhet me qytetin. Urrejnë pastërtinë, urrejnë rregullin, urrejnë bukurinë. Keni parë ju ndonjë parti politike që të thotë jemi krenarë që kemi ndërtuar qytetin e parë pa leje në botë? E keni parë Saliun kur thoshte jemi krenar në Bathore, se ky është qyteti i parë pa leje në historinë e njerëzimit, mrekullia e tetë e botës.

Vlonjatët me shumë të drejtë thonë: brenda lagjeve është siç ka qenë. Ashtu është, e vërtetë është, nuk e mohoj. Po kush do i bëjë ato lagje? Leckua? Apo Luli? Apo do vijë Monika tju bëj teqe të kuqe që të futeni aty, të shihni filxhan dhe të mbroheni nga COVID-i? Kush do i bëjë? Se Saliun nuk po e përmend se atë për fat të mirë dhe demokratët e Vlorës nuk duan ta dëgjojnë.

Ne do i bëjmë, prandaj duhet mandati i tretë, që të vazhdojmë.

Për pak kohë fillojmë me dy blloqe të mëdha, në Çole dhe në Kune, por ka të tjerë akoma. E si mund të bëheshin në 7 vjet të gjitha këto që nuk u bënë për 100 vjet? E kështu është për çdo sektor. Po pse, ju kujtoni se spitali i Vlorës mbetet siç është po erdhën ata? Më kujtohet njëherë, këtu në Vlorë ka qenë, takova drejtorin e spitalit, ishte i PD-së. Burrë I mirë, doktor. Unë isha në opozitë dhe shkoja nëpër spitale për të parë dhe ai më priti me thënë të drejtën, u tregua burrë. Pas disa kohësh e takova dhe i thashë Ç’thotë spitali? Nuk e kam, – më tha, – ma morën. Kush ta mori? – i  thashë. Ata të partisë, – më tha. I futa në punë, më ngritën një celulë demokristiane dhe më morën spitalin. U vu drejtor një demokristian. Ai ishte një i PD-së, ky e kishte marrë në punë për t’i bërë nder siç bëheshin atëherë dhe i mori spitalin.

E mendoni tani, sikur të marrë Monika spitalin, se çfarë bëhet? T’ju thotë hiqni përparëset e bardha, shtrihuni për avdes këtu, e jo avdesin që bëjnë besimtarët nëpër xhami, avdes LSI-je. Të shtrihesh atje dhe të tregosh xhepat.

Po infermierët kujtojnë se do rrinë në punë, këta që kanë hyrë me meritë, me portal? Apo mjekët e rinj do rrinë ku janë?

Kjo nuk është diçka që e imagjinoj unë, është diçka që ka ndodhur përpara. Të merrnin këpucar e të bënin infermier e thonin gozhda dhe shiringa aty aty janë. Se po ja ngul këpucës, se po ja ngul njeriut, nuk ka rëndësi, rëndësi ka të kesh teserën e LSI-së. Pse, pak gozhdë kanë ngulur këta në tulet e dynjasë, edhe në emër të shkencës?

Po mësuesit, çfarë kujtojnë? Doli një mësuese para 3 ditësh bashkë me Lulin dhe tregonte sa e rëndë është jeta nën COVID. Ëshët në punë ajo e as nuk ka ndërmend ta prekë njeri me dorë, sepse ne nuk jemi si ata. Mësuesi është mësues. Por në atë kohë kujtonin se ishte film, kthehet prapsh. Që I merrnin të gjithë mësuesit e i vinin në rresht se do vinte Saliu. Bëheshe mësues anglishteje me institute fiskulture. Bëheshe mësues biologjie me diplomë veterinarie, e jo veterinaria e lartë. Sa ishin mësuesit kur bëri Lindita Nikolla reformën, që tha jo pa arsimin përkatës? Sa mësues ishin pa arsimin përkatës? Një lukuni e tërë. E imagjino të mbledhë gjithë shkollën për të pritur Lulin, se për Saliun hajde. Tërë shkolla në rresht se do vijë Luli!

Të tëra janë në proces. Kemi bërë shumë dhe simboli, pasqyra për të parë si ishte, si është dhe si duhet të jetë, është Vlora. Po të nisemi nga si ishte, nuk kemi çfarë diskutojmë. Njerëzit tani janë mësuar, po kur vija unë në Vlorë, kur isha në opozitë, në orën 6 nuk kishte njeri në rrugë. Ku të dilnin, ku të shkonin? Edhe ditën bije në gropë, jo më natën. Sot, Vlora është bërë me jetë natë, po me jetë natë për familjarët që dalin, për të rinjtë.

Dhe këto nuk janë fasada.

Ai djali aty me të rinjtë që punojnë dhe që shërbejnë nuk janë fasadë, janë familjarë. Janë njerëz që çojnë para në shtëpi nga një vend ku deri dje nuk afrohej njeri fare dhe ishin qepenat mbyllur, qepena të kohës së luftës.

Lungomare nuk është fasadë. Lungomare ka ndryshuar ekonominë lokale, jo vetëm sepse janë shumëfishuar lokalet aty, është shumëfishuar punësimi, janë shumëfishuar të ardhurat, por edhe sepse është shumëfishuar numri I njerëzve që ndalojnë në Vlorë kur ikin për poshtë, ose kur ikin për lart. Është shumëfishuar numri i njerëzve që nisen për të ardhur pikërisht për të qëndruar në Lungomare për një drekë apo për një darkë. Por është rritur dhe vlera e apartamenteve atje dhe vlera e pasurisë. Çfarë vlere kishin këto, kush i blente deri para se të bëheshin kështu? Sot është vështirë t’u afrohesh sepse kanë një vlerë tjetër dhe ajo që ne duhet dhe unë dua të bëjmë është të vazhdojmë që si këtu të bëjmë edhe pjesët e tjera, të bëjmë të gjitha blloqet.

Kush do t’i bëjë këto, Lesko? Se mirë Agron Shehaj jua morën, se ai i bënte me Call Center këto punë.

Në fund, dua të përgëzoj profesoreshën që doli e foli këtu dhe të gjithë ata që kanë marrë kurajon të shprehin gadishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë, sepse ne kemi realisht nevojë të ripërtërihemi, të vazhdojmë të bëjmë atë që ka bërë Partia Socialiste qysh në krye të herës dhe sigurisht ta bëjmë dhe më mirë. Kujtoj, kur kandidova, – e kujtoi Gramozi dje, se unë nuk kam dashur t’i them publikisht këto gjëra, por Gramozi meqë e tha, i bie që e kemi lejen e partisë për ta thënë, – kur unë kandidova për kryetar të Partisë Socialiste, nuk futesha dot në konferencat e partisë. Nuk më linin të futesha. Isha kandidat ndërkohë. Më thonin se nuk ke bërë vitet në parti që të futesh brenda. Isha anëtar I ri. Pasi kisha fituar 2 herë Bashkinë e Tiranës, nuk më linin të futesha brenda. Patjetër, unë isha aty sepse Partia Socialiste dhe kryetari paraardhës më sollën. Tani, këtu ku jemi, Vilma ishte pedagoge, sot është deputete, Fatja ishte në Vienë, sot është deputet dhe kështu plot e plot shembuj të tjerë. Dritani ishte në profesion, sot ëshë kryetar bashkie. Vullneti ishte në punën e tij, sipërmarrës e sot është deputet. Të gjithë këta  janë në këto pozicione dhe në këto detyra e përgjegjësi të larta, sepse kanë bërë diçka në jetë. Kanë treguar që në punën e tyre janë pak më shumë sesa njerëzit që thjesht bëjnë punën e tyre. Janë edhe qytetarë të angazhuar dhe kështu ka plot të tjerë. Të gjithë duhet ta ndjejnë absolutisht se ne i mirëpresim. Jo të gjithë mund të bëhen deputetë por skuadra jonë e vitit të ardhshëm duhet të jetë një skuadër më e mira që kemi pasur e deputetëve, por një skuadër me të tjerë, me prurje të reja, jo vetëm të rinj në moshë, por të rinj në mendje, në shumë nivele politike të qeverisjes.

Për këtë arsye, unë mendoj se askush nuk duhet të ngurrojë. Ne nuk bëjmë një farsë, ne nuk ngremë komitete si komitetet e Lulit. Ngriti një komitet të tërë, mori dhe një ish president republike për të vrarë djalin e Fahriut. Ngrihet një komitet I tërë për të pushkatuar djalin e Fahriut e për t’i ngulur një thikë atij Babales, duke u thënë që ne po demokratizohemi, po pyesim partinë. Për çfarë e pyeti partinë? Imagjino t’ju thoshim juve ejani në votim, por jo të votoni kë doni, po votoni kë nuk doni. Vetëm Luli mund t’i bëjë këto, “voto kë nuk do”. Me një fjalë mi hiqni këto ju mua, se unë nuk kam kurajo t’u them që ju nuk jeni për këtë punë, ose mbaroi misioni juaj për këtë punë, ose shumë faleminderit, por tani do t’i vijë radha…. Po jo, nxori komitet. Vajti Bujar Nishani, nxori patllaken, ja kërciti çunit të Fahriut dhe ra dëshmor çuni I Fahriut. Se dhe këtë fjalën “dëshmor” është problem ta përdorim, na mërzitet Likja, se e ka kapur me dëshmorët tani, nuk i lë as dëshmorët rehat se kërkon vota, pasi po i falimenton ndërrmarrja. Bën atë që nuk e ka bërë asnjë president, asnjë kryeministër, asnjë mbret , asnjë gjeneral, askush në histori, në asnjë vend të botës. Jep dekorata për njerëz që kanë vdekur që para se të lindte vetë. Mund të japësh dekoratë që sot bie në krye të detyrës, patjetër, ia dorëzon familjes. Dha Mbretëresha e Anglisë dekoratë për ushtarët e rënë në Afganistan, pak ditë më parë, por të japësh dekoratë për heronj të luftës! Ata janë heronj të luftës, janë heronj të popullit. Çfarë i bën, mjeshtra të sportit, apo mjeshtra pune, apo anëtar të LRI-së? Anëtar të kryesisë?

Duke dhënë dekorata, ti dallon dikë nga të tjerët. Si mund ta dallosh një hero nga tjetri! Ose jepja të 28 mijëve, ose tëhiqu nga ajo punë. Pse qenka Vojo Kushi mjeshtër sporti, sipas Likes dhe nuk qenka Ali Demi, përshembul? Ëshët kaq absurde kjo, sa na futi të tërëve në këtë vorbull dhe nga kjo vorbull nuk mund të dalësh me sukses në përpjekje për ta shpjeguar, përveçse të përdorësh dhe humorin, se është për humor kjo punë.

Unë besoj se ne i kemi të gjitha arsyet për të kërkuar mandatin e tretë dhe çdo shqiptari, jo vetëm socialistëve, edhe demokratëve. Demokratët kanë një arsye më shumë. Përshembull, demokratët e Vlorës. Janë vlonjatë këta dhe pastaj demokratë, apo janë demokratë dhe pastaj janë vlonjatë? Në Vlorë duhet votuar vlonjatshe, sipas meje. Nuk ka këtu socialistë dhe demokratë, se punët e bëra janë bërë për të gjithë dhe e kundërta, mbeten ashtu për të gjithë. Por, përtej kësaj, çdo demokrat, kudo, këtë llogari duhet të bëjë. Janë dhe kuksianët përshembull, që ju kam thënë që do i sjell me avion nga Londra të votojnë PD-në. Ata që kanë sharë më shumë për aeroportin e Kukësit. Po ta për çfarë do ta votojnë PD-në, që t’u mbyllë aeroportin, apo t’jua bëjë parkim për kamionë, se janë gjëra që kanë ndodhur. Ata kanë një problem edhe më të madh se këtë herë është kaq problem vota e demokratëve, se nuk është për Lulin, nuk është për PD-në. Është votë për ta marrë peng PD-në, se ia jep Lulit, por ke Monikën me atë me laps në dorë. Llogaritë do i mbajë Monika, se Luli dhe në aritmetikë nuk është aq I fortë; 7×7=42. Monika e ka 7×7=4247

Meqënëse përmenda aeroportin, dua t’u them vlonjatëve që thonë “sa i bukur aeroporti i Vlorës”, “sapo zbrita nga aeroporti i Vlorës” etj.. Ne aeroportin e Vlorës e kemi premtuar dhe do ta ndërtojmë! Nuk diskutohet! Arsyeja e vonesës së procesit nuk lidhet me ne. Ne e hapëm procesin përpara fillimit të pandemisë. Pandemia na detyroi ta ndalojmë procesin për shkak se ishte e pamundur që të vijë njeri për të aplikuar, siç i ndaloi gjithë bota këto procese, aq më tepër në industrinë aeroportuale dhe ajrore, që faktikisht është më e goditura nga të gjitha. Kemi vazhduar çdo ditë përpjekjet për ta rihapur procesin. Procesi do të rihpet aty ku është lënë, pra, gara ndërkombëtare dhe aeroporti I Vlorës do të ndërtohet padiskutim. Edhe sikur për një moment, disa dyshojnë, shanset që të bëhet një aeroport në Vlorë janë më shumë me ne apo me Leskon dhe me Lulin?

Shanset që çdo gjë tjetër – zgjidh e merr, –  të bëhet, janë më shumë me ne, apo me Leskon dhe me Lulin?

Dhe për shqiptarët dhe për demokratët shqiptarë, pyetja është shumë e thjeshtë; shanset për t’u bërë ajo që ju keni hall të zgjidhet, dëshirë të ndodhë, janë më shumë me Lulin, Liken, Monin dhe Saliun, apo me mua dhe Partinë Socialiste? Shumë e thjeshtë.

Ne nuk jemi më të mirët që mund të gjenden në këtë qiell. Patjetër kemi të meta plot. Patjetër kemi bërë gabimet tona, patjetër kemi boshllëqet tona. Më të mirë se ne, për këtë punë nuk ka dhe nuk do ketë edhe për shumë kohë, ma besoni!

Sot që flasim, ata që pretendojnë se janë më të mirë, janë shalqi me provë. Kunguj kanë dalë të tërë, kur kanë pasur atë që kërkojnë ta rimarin prapë.

Kështu që, jam i bindur plotësisht se ditë pas dite, njerëzit që janë në mëdyshje apo ata që thonë sot se s’duhet të votojnë, duhet ta kuptojnë që këtu nuk ka vend për mëdyshje. Këtu rruga është e qartë dhe në këtë rrugë të qartë, unë i ftoj të gjithë të na bashkohen, si profesoresha që foli, si të tjerë që kanë shprehur interesin sepse ne duam pikërisht se jemi të vetëdijshëm se kemi boshllëqë, pikërisht se jemi të vetedijshëm që kemi të meta, pikërisht se jemi të vetëdijshëm që në këtë shoqëri ka njerëz që patjetër janë edhe më të mirë se ne, urdhëroni! Është shumë e lehtë të luash futboll dhe të bësh gola nga shkallët e stadiumit. Është shumë e lehtë t’ia bësh kompetentit atë që nuk thuhet, po të zbresësh të bësh kompetentin në fushë, është punë më e vështirë. Sidoqoftë, fusha është e hapur, urdhëroni të gjithëve dhe ne jemi këtu me të gjithë dhe për të gjithë.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version