Kosova

Me xhepat PLOT PARA nga Beogradi, largimi i stuhishëm i Escobar

Gabriel Escobar nuk do të mbajë më postin e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor. Ai u largua nga ky post në mënyrë të turbullt, mes shkrimeve të gazetave se neutraliteti i tij ishte vënë në pikëpyetje për shkak të lidhjeve financiare të gruas së tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe mohimeve nga Departamenti i Shtetit. Pozicioni i ri në të cilin do të caktohet Escobar, nëse caktohet, sipas bashkëbiseduesve të medias serbe ‘Nova’, do t’i përgjigjet pyetjes nëse ka ndonjë të vërtetë në akuzat.
Lajmi se Gabriel Escobar largohet nga posti aktual erdhi nga portali Frontliner, me disa akuza shumë të rënda ndaj të dërguarit në largim të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në tekstin e tyre ndër të tjera thuhet se veprimet e Escobarit në Kosovë janë të njëanshme dhe potencialisht të komprometuara, duke pasur parasysh lidhjet financiare mes gruas së tij dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. Kjo, siç shkruan Frontliner më tej, hedh hije mbi neutralitetin dhe paanshmërinë e të dërguarit ndërkombëtar dhe ngre dyshime për veprimet e tij gjatë ngjarjeve kritike në Kosovë, siç ishte kriza e qershorit dhe gushtit 2023.

Frontliner shkroi gjithashtu për lidhjet familjare të Gabriel Escobar dhe Manuel Escobar, partnerë në një firmë, e cila dyshohet se ka një kontratë me Qeverinë e Republikës Srpska për këshilla dhe përfaqësim në çështjet ligjore ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit lëshoi mohimin pothuajse menjëherë. Mirëpo, në të nuk e mohojnë që Escobar nuk do të jetë më i dërguari për Ballkanin Perëndimor, por pretendojnë se nuk bëhet fjalë për ndryshim, por për një “rotacion” dhe duhet të kalojë në detyrën tjetër.

“Të gjithë diplomatët e karrierës jashtë vendit ndërrohen çdo një deri në katër vjet, që është një praktikë e rregullt. Escobar ka qenë në postin e tij aktual për tre vjet dhe është planifikuar të kalojë në detyrën e tij të radhës në javët në vijim.

Deri në tranzicionin e planifikuar, ai mbetet në pozitën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor”- thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit, I cili mohon akuzat e lartpërmendura për lidhjet financiare të familjes së tij me Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe Qeverinë e Republikës Srpska.

“Gruaja e zëvendësndihmës sekretarit Escobar nuk ka marrë asnjëherë mjete nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. Gjithashtu, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së nuk ka asnjë lidhje familjare me partnerin e supozuar në firmën ligjore nga Teksasi” – thekson Departamenti i Shtetit.
Ish-diplomati serb, Srećko Gjukiç tha se është befasi që emri i një diplomati profesionist dhe bashkëshortes së tij lidhen me histori të tilla dhe pohoi se histori të tilla qarkullojnë në Beograd për një kohë të gjatë.

“Dhe jo vetëm për Escobarin, por edhe për shumë zyrtarë të tjerë të huaj që kthehen nga Beogradi me xhepa plot para. Në qarqet e njerëzve që merren seriozisht me analizën e politikës dhe diplomacisë, realisht ndonjëherë nuk është e mundur të gjendet një shpjegim adekuat për politikën e butë që shpesh ndiqet ndaj Serbisë. Pavarësisht disa ngjarjeve, premtimeve të parealizuara dhe qëndrimeve të shpeshta që bien ndesh me ato të BE-së dhe SHBA-së. Ka qëndrime shumë të ndryshme për interpretimin e disa gjërave që po ndodhin në Serbi, prej ambasadorit amerikan Christopher Hill dhe Departamentit të Shtetit. Dhe e gjithë kjo është vërtet shumë e pazakontë” – deklaroi Gjukic për Nova.

“Unë personalisht nuk do të habitesha nëse këto pretendime janë të vërteta, pavarësisht nga mohimi i Departamentit të Shtetit. Për hir të dinjitetit të tij dhe të diplomacisë amerikane, Departamenti i Shtetit sigurisht që nuk do të shkojë më tej në deklarata. Do të shohim kur të caktohet në një detyrë të re, nëse kjo do të ndodhë vërtet, çfarë dënimi do t’i jepet atij dhe sa të sakta janë këto akuza” – theksoi diplomati Gjukic.

Kujtojmë se Escobar u emërua në postin e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor në vitin 2021, duke zëvendësuar Matthew Palmer. Sipas pretendimeve të analistëve në Uashington në atë kohë, emërimi i tij ishte tregues se Shtëpia e Bardhë nën komandën e Biden vendosi për një rol më energjik dhe proaktiv në Ballkan.

“Ai është një njeri që kryen detyrat që i janë besuar dhe gjen zgjidhje, duke i imponuar ndonjëherë edhe diplomatikisht” – thoshin për të në atë kohë.

TRENDING

Exit mobile version