Kosova

Mesazhi mes rreshtash i Erdogan-it për Kurtin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ia ka shpjeguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pothuajse në detaje momentin kur Turqia e njohu Kosovën.

Ai, duke elaboruar edhe “dakikun” se si u njoftua, tregoi përse vendosi ta njohë Kosovën menjëherë, kur kuptoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë bërë.

“Është domethënëse kjo kryeministër”, i tha Erdogan, Kurtit.

“Siç e dini, Turqia është ndër vendet e parë që e ka njohur Kosovën, vendi i dytë pas Amerikës. Dhe ka qenë shumë domethënës akti i njohjes së Kosovës në atë kohë i nderuar zoti kryeministër. Atëherë unë kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe në mbledhjen e qeverisë më komunikuan aty me fjalë që Amerika e kishte njohur Kosovën dhe unë menjëherë aty për aty thash që ne jemi vendi i dytë pas Amerikës që e njohim Kosovën. Qofte e hajrit”, tregoi Erdogan.

Presidenti turk përsëriti se “Turqia dhe kombi turk do të vazhdojnë të jenë përkrah vëllezërve të tyre kosovarë si gjithmonë” dhe se do ta ndihmojnë Kosovën në rritjen e numrit të vendeve që e njohin pavarësinë.

“Fatkeqësisht momentalisht nuk e kemi kapur numrin e dëshiruar të njohjeve, por do të bëjmë një punë intensive për ta rritur këtë numër. Unë dua të ju uroj që tani 15 vjetorin e pavarësisë, që shënohet me 17 shkurt, gëzuar që tani”, tha Erdogan, derisa e siguroi Kurtin se “Turqia e mbështet Kosovën në anëtarësimin në çdo organizatë ndërkombëtare”.

Presidenti turk i ka premtuar Kurtit se Turqia “është e gatshme gjithashtu të ofrojmë mbështetjen e nevojshme pas fatkeqësive natyrore”, duke kujtuar vërshimet e fundit që ndodhën në Kosovë.

TRENDING

Exit mobile version