Sport

Milani i pakapshëm, fiton dhe në fushën e Sampdorias dhe shkëputet 5 pikë nga Interi

Kuqezinjtë e Milanit po tregohen të papërmbajshtëm, duke arritur fitore dhe në transferta.

Me fitoren 2-1 ndaj Sampdorias, Milan arrin fitoren tetë në dhjetë javë, duke kryesuar kampionatin me 26 pikë, pesë pikë më shumë se rivali i përjetshëm, Interi.

Edhe pse pa Ibrahimovic dhe Kjaer, kuqezinjtë konfirmojnë formën fantastike, shfaqen solidë, realizojnë nga një gol për pjesë dhe i dhurojnë fitoren e radhës tifozëve të shumtë.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e fundit të pjesës së parë. Çeku Jankto preku topin me dorë në një dyluftim me Theo Hernandez dhe penallti për skuadrën mike.

Franck Kessie nuk gaboi nga pika e bardhë dhe djemtë e Stefano Piolit në avantazh. Goli i dytë erdhi në minutën e 77-të. Norvegjezi Hauge veproi bukur në krahun e majtë dhe nisi Rebic në zonë.

Asist i kroatit dhe finalizim i Samu Castillejo, me spanjollin që ishte futur në fushë pak sekonda më parë. Sampdoria reagoi dhe rihapi ndeshjen pesë minuta më vonë. Ekdal kërceu bukur me kokë pas një goditje këndi dhe mposhti Donnarummën. Milan mbrohet për të ruajtuar rezultatin dhe në fund fati i buzëqesh atyre.

gsh/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version