Shkrime

Mirë se vini në Shtetin personal të Edi Ramës

Për të vërtetuar shprehjen që është një hap përpara kundërshtarëve, Edi Rama zgjodhi ta fillonte në 31 gusht aksionin politik për kapjen e gjithë çfarë kishte mbetur nga shteti dhe ekonomia e leckosur. Brenda një dite, shkarkoi Drejtorin e Policisë dhe u emëroi Ardi Veliun shef kuadri.

Këshilltarin personal e emëroi nëndrejtor të Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk ka drejtor prej disa muajsh, ndërsa në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit së Pastrimit të Parave çoi një njohje të vjetër të PS. Ishte personalizimi i fundit i institucioneve që duhet të luftojnë krimin, me njerëz të PS, që duhet ta gjejnë krimin te kundërshtarët politikë.

Kapjen përfundimtare të SHISH, e kundërfirmosi Presidenti i ri, që prej 24 korrikut bën punën e sekretarit të Kryeministrit. Për të siguruar gjithkënd që është në atë funksion si shërbëtor i maxhorancës, Bajram Begaj i kërkoi KQZ rezultatet e zgjedhjeve moniste të 2019, përpara konsultimeve për datën e zgjedhjeve të 2023.

Nuk mbaron te kapja e çdo skute të Shtetit. Me propozimin e “papritur” nga miku i tij, Fidel Ylli, Kryeministri ka vendosur të kapë edhe biznesin e fundit jashtë kontrollit. Nuk kuptohej nëse emërimet dhe shkarkimet e 31 gushtit u bënë për të sfumuar zhurmën e rikthimit të basteve, apo zhurma e rikthimit të basteve u krijua për të sfumuar kapjen e skutave të fundit të Shtetit.

Në spektaklin e organizuar me krerë Federatash që 4 vjet më parë pohonin mbylljen e basteve. Edi Rama lëpiu bashkë e ta çfarë kishte pështyrë në 2018 dhe premtoi, i detyruar nga kërkesat e tyre, rikthimin e basteve.

Jo si biznes i lire, jo të shpërndarë në disa duar si dikur, apo nëpër dyqane ku punësoheshin mijëra njerëz dhe krijohej një mikro-ekonomi e domosdoshme. As si monopol i Shtetit në shtërbim të ndihmës sociale, apo edhe sportit.

Do të jetë një monopol privat, ashtu siç ishte planifikuar 4 vjet më pare, por që, nën presionet okulte të klaneve politike dhe kriminale, nuk u arrit. Si u hap rruga? Çfarë ka ndodhur? Këtë mund ta dijë më mirë Edi Rama që po udhëheq të kundërtën e asaj që udhëhoqi para 4 vjetësh.

Ashtu siç po udhëheq të kundërtën e asaj që udhëhoqi përpara 14 vjetësh, rikthimin e Lustracionit kur e çoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin që ndalonte bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit të merrnin pjesë në jetën publike. Gjykata Kushtetuese e pranoi dhe vendosi pro kërkesës së Edi Ramës, ndërsa vetë Rama sot po del kundër vendimit, për të eliminuar opozitën me ligj.

Në ditën e parë të shtatorit, me fillimin e sezonit politik dhe mediatik, bilanci është shokues. Çdo qelizë e Shtetit është në dorë të Edi Ramës, çdo sektor i ekonomisë kontrollohet nga Edi Rama me grupin e tij të biznesmenëve të emëruar, paratë e krimit që hidheshin në kullat e miqve direkt ose indirekt, në vend që të bllokohen në favor të publikut, do kontrollohen nga Edi Rama nëpërmjet sistemit bankar të marrë në kontroll të plotë dhe bixhozit që po monopolizohet plotësisht.

Nga 1 shtatori Edi Rama mund të kontrollojë edhe frymëmarrjet e qytetarëve, është Vëllai I Madh që përgjon këdo dhe kontrollon jetët e kujtdo. Në këto kushte zgjedhjet janë një procedurë fiktive që mund të përdoren vetëm për fasadë demokratike, protestat paqësore vetëm prova force mes zemërimit qytetar dhe gazit lotsjellës. Të gjitha mjetet paqësore për ndryshimin e situatës, i kontrollon Kryeministri, ndërsa pakënaqësia dhe zhgënjimi derdhet rrugëve të Europës, si e vetmja shpresë në kushtet e një opozite të pamundur për të ringjallur shpresën.

Në shtetin personal të Edi Ramës, të gjithë janë të lirë të flasin, por askush nuk është i mundur të ndryshojë diçka. Atë mund ta bëjë vetëm pronari. Çdo premtim për ndryshime me mjete politike, nga kundërshtarët, është vetëm një shërbim për imazhin e autorit, tutorit dhe poseduesit të pushtetit absolut.

TRENDING

Exit mobile version