Rajon

Mjekim para vdekjes/ Ja çfarë paralajmëruan Dodik e Nestoreviç

Lideri serb i Bosnjës, presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik dhe parlamentari serb Branimir Nestoroviç mbrojtën hapur krijimin e një Serbie të madhe, duke njoftuar se do të punojnë së bashku për ta zbatuar një projekt të tillë.

Nestoroviç, partia e të cilit “Ne – Zëri i popullit” fitoi shtatë mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, udhëtoi me kolegët e tij në Banjalukë për t’u takuar me Dodikun dhe të dy folën hapur para gazetarëve se kishin idenë e përbashkët se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet dhe ata planifikojnë të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë këtë, raporton media kroate “Vijesti”.

“Republika Srpska do të jetë e pavarur”, tha Dodik, duke shtuar se “ky subjekt do të ndërtojë lidhje të forta me Serbinë menjëherë pas ndarjes së saj nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Nga ana tjetër, Nestoroviç, tha se vlerëson deklaratën e presidentit aktual të RS-së se “është koha që serbët të fillojnë të mendojnë për të jetuar së bashku në një shtet”.

“Të gjithë serbët duhet të jetojnë në një vend dhe të jenë pjesë e botës serbe” – tha Nestorovic, i cili para se të hynte në politikë njihej si një mjek që kundërshtonte vaksinimin dhe që u kërkoi serbëve të bënin pazar në Milano gjatë pandemisë. Ai gjithashtu deklaroi se nuk është i bindur nga pretendimi se Toka është e rrumbullakët.

Tani ai ka thënë se pret që ai dhe njerëzit me mendime të ngjashme si të tij të vijnë në pushtet në Serbi për tre vjet dhe më pas të fillojnë krijimin e “Serbisë së madhe”, dhe deri atëherë “vijat e tyre të kuqe” do të jenë pengimi i vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, mosnjohjes së Kosovës dhe mbrojtjes së RS-së.

Ai tha se e ka të qartë se e gjithë kjo tani duket e kotë, por shtoi se “edhe Krishti ishte vetëm fillimi”.

Dodik dhe Nestoreviç konfirmuan se nuk u pëlqen projekti i integrimit evropian dhe duan marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ndërsa lideri I RS tha se nga këndvështrimi i tij, BE-ja ka humbur çdo atraktivitet. Ai parashikoi gjithashtu se Unioni Europian “me siguri do të shpërbëhet përpara se të jetë radha e Bosnje Hercegovinës për t’u bërë anëtare”.

Dodiku ndërkaq tha se si Republika Srpska ashtu edhe serbët në Kosovë janë nën presionin e Amerikës, Britanisë së Madhe dhe BE-së, e cila ndjek politikën e ShBA-së.

“Kosova është pjesë integrale e Serbisë që injorohet nga disa fuqi, por një numër i konsiderueshëm shtetesh nuk e kanë njohur Kosovën. Ata duan t’ua vështirësojnë jetën serbëve në Kosovë” – potencoi lideri serb i Bosnjes.

TRENDING

Exit mobile version