Moikom Zeqo, profeti i fjalës së shkruar shqipe

Nga Ndoc Logu

1.

Dy datat e qershorit Moikomit, 3 qershori i lindjes dhe 15 qershori i ndarjes nga jeta, i ndajnë vetëm 12 ditë njërën nga tjetra. Por në vite janë 71 të tilla, ku 50 prej tyre janë vite studimesh të thelluara, krijimtarie të begatë, rezultate të mrekullueshme si askush tjetër, jo vetëm nga bashkëkohësit e vet, por as të brezave të mëparshëm. Dhe tek kujtoj dy datat e qershorit të Moikomit, ardhjen në jetë dhe ndarjen nga ne, seç m ‘u kujtua një poezi  e poetit moskovit Boris Nikollajeviç Bugajev, ku shkruante:

……………………………..

U ula në dërrasën e varrit,

Ku valle të nisëm tani?

Ku flakën e shuar të zjarrit,

Të shuar ta shpie s’e di…”

dhe se:

Nga terri ti zi: “serish liria,

Sërish pranvera vjen me lule shumë ….”

Por flaka e zjarrit dhe krijimtarisë së shumë anshme në shërbim të atdheut e Moikomit, nuk do të shuhet kurrë. Dhe sërish qershorët e viteve dhe dekadave të ardhshme do të sjellin lule shumë, në kujtim të pavdekësisë së këtij shkencëtari, dhe duke ngritur kokën lartë si Manushaqja e Naimit, në nderim të Moikomit. Askush si Moikom Zeqo në Shqipëri nuk arriti kaq thellë në të panjohurat e historisë e kulturës sonë materiale e shpirtërore, kaq lart drejt majave të diturisë dhe shkencës, kaq gjerë në disa fusha paralele njëkohësisht, duke u kthyer në një mendimtar kompetent e i pakundërshtueshëm nga asnjë. Madje edhe i mirëpritur dhe shumë pëlqyer edhe nga studiuesit e shkencëtarët e vendeve më të zhvilluara të Europës.

Moikom Zeqo, ky talent dhe krijues i madh për kulturën kombëtare, në disa fusha ishte i njohur në Shqipëri e jashtë vendit. Aty nga fundi i viteve 70-të të shekullit të kaluar, apo fillimi i viteve 80-të, ndodhesha në një kafe të Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë, me një shok gazetar, Q.S. ku në tavolinë na vjen një moshatar i ynë, i cili që në çastet e para të linte përshtypjen dhe kënaqësinë e një njeriu shumë më i ditur se brezi i vet.  Kur u ndamë shoku im më tha: “Ky është Moikom Zeqo, poet, shkrimtar, studiues arkeologjie, gjuhësh, arti, përkthyes, e çfarë nuk është. Brezi ynë nuk ka një të tillë“.  Dhe ai vijoi: “A e dini se si ndodhi një ditë në Durrës? Ato ditë kishin ardhur në Shqipëri disa arkeolog e historian të huaj. Ata do të vizitonin qendrën arkeologjike e historike të Durrësit. Si më i përshtatshmi në këtë fushë ishte caktuar t’iu shpjegonte M. Zeqo, që në çastet e para të huajt u befasuan kur Moikomi i pyet: Në çfarë gjuhe dëshironi t’iu flas”? Kjo ishte befasia e parë për profesorët e huaj me mjekër. Befasia tjetër erdhi kur fenomeni i ri Zeqo po ju shpjegonte me kompetencë të huajve historinë e një objekti të zbuluar atë vit në Durrës. Në çast profesori i huaj u ndal, hapi librin ku kishte të skeduar studimet edhe të disa shkencëtarëve të tjetër. Ai kthehet nga Moikomi dhe i thotë: shpjegimi juaj është i saktë. Edhe shkencëtarët e tjerë, por edhe studiuesi shqiptar Moikom Zeqo ka bërë këtë saktësim, duke i treguar edhe studimin e M.Zeqos që ai kishte skeduar. E ndërsa Moikomi buzëqeshte, ndërhyri njeri, ndoshta përkthyesi, duke ju drejtuar profesorit të huaj: E dini se me cilin keni të bëni? Ky është Moikom Zeqo. Kjo ishte befasia e dytë e studiuesve të huaj. Ju Moikom Zeqo, autor i këtyre studimeve kaq me nivel të lartë dhe kaq i ri?

E solla këtë fakt paksa të zgjatur, për të argumentuar për ata që nuk e dinë se Moikom Zezo që në djalërinë e vet ka qenë një rast i rrallë në Shqipëri si krijues e studiues, jo vetëm më i përparuar se brezi i vet, por që në rini matej me studiuesit dhe krijuesit, me intelektualët më në zë të Shqipërisë së kohës, e pse jo edhe më i veçantë dhe më i suksesshëm deri më sot.

2.

Mua më vjen keq për çdo krijesë njerëzore që ndahet nga jeta. Por, për disa kategori shoqërore, ku futen poetët e pilotët e të tjerë ndjejnë dhimbje. Për poetët nga talenti që me vargun realizojnë mrekullinë e fjalës së shkruar, e tek pilotët, për guximin dhe sakrificat e pa kufij. Që në moshën e fëmijërisë kur lexoja poezitë e Naimit. Migjenit, P.Vasës, A. Asllanit, F. Reshpes, Mjedës, Fishtës etj., më ishte krijuar përshtypja se poetët nuk janë njerëz si ne, megjithëse nuk kisha takuar asnjë të tillë. Më dukeshin ose i përfytyroja unë, si njerëz hyjnor. Kjo për faktin e bukurisë së magjishme të vargut, të mesazheve të mëdha që jepnin, për njerëzit e shoqërinë, për kohën e vet dhe të ardhmen, për drejtësinë, të mirën, të bukurën, për lirinë e paqen. Por, kur kemi të mbrujtur në një shpirt, në një zemër, në një mendje, në një trup e në një emër, Miokom Zeqo, edhe poetin, shkrimtarin, studiuesin, historianin, arkeologun, mësuesin, gazetarin, piktorin, politikanin atdhetar dhe funksionarin e lartë, të përkushtuar në nivelet më të larta të artit e kulturës, atëherë nuk ka se si të mos jesh i befasuar, i mrekulluar, i entuziazmuar dhe krenar për këtë bashkëatdhetar të përmasave botërore, dhe në disa fusha shkence e diturie.

-Si poet, mua, Moikomi më ngjason me Aleksandër Aleksandrov Bllok, me Ujtmanin, me Vajcesslav Ivanoviç Ivanov.

-Si prozator e publicist filozof, është i përmasave me Dostojevskin dhe Stefan Cvajg.

-Si studiues dhe historian nga më të përkushtuarit, nga më të saktit dhe më të suksesshmit në Shqipëri, siç shkruan Xh. Shehu me 150 botime në disa fusha, ku disa prej tyre i pari dhe i papërsëritshëm.

-Si krijues për fëmijë, më 21 botime me karakter informimi, formimi, edukimi e kulture, Moikomin, mund ta krahasojmë me Makarenkon.

-Si drejtues institucioni shtetëror, ministër dhe drejtor i Muzeut Kombëtar, në tërë historinë e shtetit shqiptar, asnjë kabinet, nuk ka pasur, jo një si Moikomi, por asnjë të dytë. As nuk do të ketë edhe për kohë të gjata.

-Si politikan, në 30 vjetët e fundit në Shqipëri, Moikomi, mbetet i florinjtë, krahas poetit atdhetar, shkrimtarit, gazetarit të talentuar dhe ushtarakut besnik i lirisë dhe sovranitetit të vendit Hysni Milloshit.

Që të dy vdiqën nën heshtjen tinëzare, të përbuzur deri në braktisje, nga shteti i tyre. Madje edhe të diferencuar, të lënë pa punë, të diskriminuar ekonomikisht, dhe nga shërbimi shëndetësor.

-Si mendimtar progresist, i së ardhmes së vendit, Moikomi më ngjason me Rilindasit e mëdhenj, ndoshta me Samiun, Luarasin e Gurakuqin.

Të gjitha këto cilësi dhe vlera munden të gjenden vetëm në një mendje, gjithmonë krijuese e të palodhur, në një talent të jashtëzakonshëm dhe në një shpirt atdhetar e krenar për kombin e vet si Moikom Zeqo.

3.

Ashtu si shkenca edhe letërsia, arti, kultura në përgjithësi kanë pasur e kanë rolin e pazëvendësueshëm në zhvillimin, përparimin dhe begatinë e shoqërisë njerëzore, duke e bërë jetën e popullit, të të gjithë popujve më të mirë, më të qetë, më me dije, më me kulturë, më humane, më paqësore dhe më njerëzore. Pra fjala e shkruar i ka paraprirë të gjitha arritjeve të shoqërisë njerëzore. Ndërkohë që ne, cilido, sipas mundësisë, preokupimit dhe mentalitetit të vet, ka përfituar nga kjo arritje madhështore, brezat e mëvonshëm të çdo vendi janë mburrur me krijuesit e vet duke ju mbetur dëshmi dhe referencë për shekuj me radhë si madhështi gjenialiteti kulture e vlera për mbarë popujt, tërë njerëzimin. Për shqiptarët i tillë do të mbetet M. Zeqo.

Në këtë drejtim edhe populli shqiptar, edhe pse i sunduar gjatë, edhe pse i luftuar me të tëra mënyrat e barbaritë përgjatë shekujve, nga gjiri i vet kanë dalë personalitete, studiues, krijues e shkencëtar të përmasave me ato të vendeve më të mëdha e më të zhvilluara se ne. Synimi në këtë shënim, nuk është të evidentoj këto personalitete që e kanë nderuar vendin e vet dhe meritueshëm i qëndrojnë kombit të vet si përmendore e artë. Kjo është bërë nga intelektualët atdhetar shqiptar, mund të thuhet mirë. Por fjalën e kam për një personalitet të niveleve më të larta europiane e botërore që jetoi, studioi, krijoi dhe realizoi vepra e studime të atyre niveleve me cilindo shkrimtar, studiues e krijues të çdo vendi të përparuar.

Një personalitet i tillë shqiptar quhet Moikom Zeqo: studiues, poet, shkrimtar, një shkencëtar i vërtetë, historian, piktor, publicist, ish-drejtues institucionesh deri në ministër, deputet dhe një politikan atdhetar, por edhe për vite të tëra i papunë edhe pse tërë hapësirat shqiptare nuk e kanë jo më një të dytë, por as të afërt me të, autori më i ri i pavlerës Akademi e Shkencave Shqiptare, që pothuajse pjesën më të madhe të jetës studimore, shkencore, krijuese dhe realizuese e ka kryer nën heshtjen mospërfillëse të institucioneve dhe vetë qeverive, veçanërisht në 15 vjetët e fundit. Para vitit 1990 M. Zeqo, as nuk u kuptua as nuk u vlerësua sa e si duhet. Pati një kohë që edhe u shigjetua rrezikshëm. Por falë talentit krijues dhe studimeve të thelluara shkencore në dobi të vlerave kombëtare mundi t’i përballonte e t’i sfidonte si  burokratër mediokër, si ziliqarët e intrigantët dhe u ngrit meritueshëm deri në nivelin e një shkencëtari në disa fusha, një fenomen i pazakontë këtu tek ne në Shqipëri. Edhe pas vitit 1990, edhe pse e disa hapësira më shumë, fenomeni Zeqo nuk u bë dot i preferuar as i politikës, ai i institucioneve mediokre ku militojnë rreth 14.000 të tillë edhe me diploma fallco, as i bizneseve ku fati i çdo gjëje në këtë rend horrash, përcaktohet ndër të tjera, edhe nga paraja, por jo i diturisë dhe dinjitetit si i Moikom Zeqos. Unë nuk besoj se kemi sot në Shqipëri një mbi Moikom Zeqon, që të na bëjnë një vlerësim të atyre përmasave që meriton ky studiues e krijues i jashtëzakonshëm.

Moikom Zeqo edhe pse i paarritshëm nga askush në tërë hapësirat shqiptare, në disa fusha për studime shkencore si: arkeolog, poet e shkrimtar, historian e përkthyes, piktor e publicist mbeti jashtë vëmendjes së qeverive, kur ai ishte jo thjesht i dobishëm por shumë i nevojshëm, kur në parlament e qeveri viheshin të pa shkollë e me dituri minimale.

4.

Ashtu si Migjeni në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar që bëri një revolucion nga ana konceptuale në poezi dhe prozën poetike, ashtu edhe Moikom Zeqo, rreth 40 vjet më vonë, në vitet ‘70-të, e në vazhdim, të të njëjtit shekull, bëri një kapërcim tjetër të madh drejt një forma të re të konceptit dhe të shprehurit në poezi, prozë, në prozën poetike, në publicistikë, në arkeologjinë nënujore dhe në disa fusha të tjera, ndryshe dhe shumë më lartë nga çdo krijues e studiues tjetër, të pas Migjenit, e derisa ndërrojë jetë. Ai ishte i pari në këtë hap revolucionar, cilësor, filozofik të kuptimit, të arsyetimit dhe të shprehurit në krijimtarinë e gjerë artistike, si për poezinë, prozën, publicistikën, për historinë, jetën shoqërore dhe të çdo fenomeni në jetën e shoqërisë shqiptare. Dhe, këtë, jo vetëm në artin e krijimtarinë e vet.

Poezitë e Moikomit kanë mendim të thellë filozofik. Vinë nga koha e shkuar, udhëton dhe rrokë kohën tonë, do të jetë e pranishme, e kërkuar dhe e lexuar në dekada e shekujt e ardhshëm. Si shkrimtar e poet, mendoj unë, Moikom Zeqo, është ndër ata, ose i vetmi që mund të quhet meritueshëm : shkrimtar dhe poet elitar, i shtresave të larta, të një inteligjence superiore. I ngjashëm, ndoshta i barabartë me Gëten për gjermanët. Por, tani për tani, ne, nuk kemi një mbi Moikomin. Dhe zor se do të kemi edhe një të dytë edhe për kohë të gjatë. Të kuptosh krijimtarinë artistike të Moikomit duhet të njohësh mirë historinë dhe kulturën e vendit tënd, personazhe dhe personalitete të Shqipërisë, të Europës e botës, kulturën dhe gjuhët e tyre. E mbi të gjitha të njohësh parimet dhe konceptet mbi të cilat u organizua dhe rrugëton shoqëria njerëzore: “… E tërë dilema e shoqërisë njerëzore,- më thoshte Moikomi, kur qëndronim bashkë,- është përmbledhur në atë përkufizim filozofik e letrar të Migjenit: “Më mirë derr i kënaqur apo Sokrat i vuajtur…”!? Këtë formulë padrejtësie shkollore, Moikomi, e provoi vetë mbi shpatullat e atij trupi të sëmurë. E provoi në vitet më të vështira të jetës së vet dhe nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk zgjodhi personazhin e parë, por qëndroi stoik si Sokrati i mençur, i bindur se, e ardhmja e shoqërisë nuk është injoranca, as padrejtësia, dhe se, këto të dyja duhet të jenë kalimtare në jetën shoqërore dhe të vetë Shqipërisë. Për këto arsye dhe shumë të tjera, Moikomi, ishte dhe mbeti kritiku më i madh i koncepteve të gabuara në politikë e qeverisje, në 30 vjetët e fundit në Shqipëri, Kanë mbetur proverbiale përkufizimi i politikës dhe politikanëve të pas viteve ‘90-të si: “Klasa parapolitike”, “Qeverisje otmaniste”, “Mentalitete anarkie e anakronike të kapërcyera” e të tjera e të tjera, të cilat, politikan e qeveritar, nuk ja harruan kurrë deri në ditët e fundit.

5.

Moikom Zeqo iku shumë shpejt nga kjo jetë.  Iku në kohën kur ai kishte arritur shkallën më të lartë të diturisë, pjekurinë kulturore dhe artistike, deri në përmasat e një shkencëtari, falë studimeve të thelluara, këmbënguljes së pathyeshme, talentit dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj vendit të vet. Iku në kohën kur megjithë arritjet dhe rezultatet mbresëlënëse, ai, akoma nuk i kishte arritur tërë synimet, njëra nga të cilat ishte edhe botimi i tërë kolonës së krijimtarisë së vet. Ai kishte akoma punë, studime e botime të pa përfunduara, që vetëm ai mund t’i çonte deri në fund. Veçanërisht poezitë e tij do të jenë të vështira për t’u deshifruar nga ndonjë tjetër, qoftë edhe specialist.

Jeta e shkencëtarit Moikom Zeqo ka qenë një dinamikë e jashtëzakonshme: shkollë, krijimtari, studime, kualifikime pandërprerë, të konkretizuara në 150 botime, që i takon në çdo vit, nga 3 deri në 4 libra nga botimi i parë. Dhe ajo çka është një befasi e këndshme, është fakti se, krijimtaria e Moikomit në çdo gjini, është e një niveli superior, krahasuar me pjesën më të madhe të krijuesve shqiptar. Në tërë këtë ngarkesë studimi, krijimtarie plus punën që bënte kur nuk pati e nuk kërkoj favore, nuk pati mbështetje, ose minimale, (para vitit 1990), nuk pati përkujdesjen atnore, nuk pati dorën e ngrohtë të shtetit mbi shpatulla. Edhe pse i tillë ishte Moikomi, ai u la në fund të armatës së krijuesve, dhe pas listës së të përkëdhelurve nga politika dhe qeveritë e kohës. Të vërtetat tronditëse në vitet e fundit të jetës së Moikomit, u shprehën edhe në pezmatimin e djalit të Moikomit, Epidamit, në fjalën e lamtumirës për të atin e tij. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Të tjerë, me nivel nën mesataren si shpërblim për shërbimet e padinjitetshme që i bënin politikës dhe qeverive të kohës, shpërbleheshin me poste në politikë, qeverisje, në biznes, por edhe me leje krijimtarie, deri edhe nxjerrjen në profesion të lirë, me pagesë të plotë dhe tërë privilegje. Këta sharlatanë, disa edhe me grada shkencore, me tituj e dekorata të larta e të pa merituara, edhe pse e dinin se kush ishte Moikomi, edhe pse e dinin se si kishin përfituar vetë, kurrë nuk e hapën gojën e jargavitur nga elozhet servile, për Moikomin e sëmurë, të pa punë e pa pension!?

Lidhur me problemin e më sipër që flas, Moikomi pati fatin e njëjtë, ose të përafërt me Migjenin, të cilin Moikomi e kishte idhull. Edhe Migjeni i madh kishte dy armiq: shëndetin dhe shtetin. Por, Migjeni i rreshtonte ndryshe: “Unë kam dy armiq: shtetin dhe shëndetin”. Por Migjeni vendoste përpara, si armik të tij, së pari shtetin! Të njëjtin fat pati edhe poeti tjetër Frederik Reshpja, me të cilin Moikomi kishte një miqësi të mirë dhe të kahershme. Shteti i para ‘90-ës, Fredin e burgosi për shkak të krijimtarisë. Ata të pas viteve 1990 e braktisën. Banditët e lidhur me politikën dhe shtetin i rrëmbyen edhe pasurinë që kishte, shtëpinë botuese e shtypshkronjën. Vdiq i braktisur, i pabukë e i vetmuar. Ama vargun e artë, nuk ja kyçën dot në shpirt. As në dinjitet nuk mundën ta poshtëronin. As jehonën e emrit e të vargut nuk e burgosën as në qeli as në kasafortat e qeverisë.

Po të kthehemi pak në dekada e shekuj, kështu si me Moikomin, ka ndodhur edhe me poet të tjerë gjenial. Më 1925, udhëtimin e fundit të jetës së tij, në Shënpeterburg, poeti rus Sergej Esenin, e bëri me para borxh. Në tavolinë, në kabinetin e punës, kam parë listën e borxhlinjve që A. S. Pushkin, poeti më i madh i tërë kohërave, kishte lenë pak para se të ndërronte jetën në vitin 1837. Pra, poeti, krenaria e Rusisë prej shekujsh, vdiq në varfëri. Ndërsa anëtarët e familjes së monarkisë hanin me lugë, pirunj e thika prej floriri dhe pjata të argjenda!!! Tani emrin e monarkut e kujtojnë vetëm historianët. Ndërsa Pushkinin prej gati dy shekujsh e adhurojnë dhe e lexojnë miliona njerëz në çdo shtet të botës. Është një aksiomë, ashtu si formula e pagëzimit për predikuesit e dogmave që poetët, shkrimtarët, shkencëtarët, tërë njerëzit inteligjentë, kompetent dhe krenarët, pushtetarët e çdo kohe, që para Krishtit, ose i nënshtrojnë në mënyra nga më të ndryshmet e nga më të ndyrat, ose i braktisin me dinakëri, me diferencime politike fallco, e shantazhe tinëzare e të hapura, e papunësi, nga ku vjen edhe varfëria. Shumë nënshtrohen e parapëlqejnë rolin e derrit të kënaqur. Ndërsa Moikom Zeqon nuk e përkulën, nuk ja thyen krenarinë e njeriut të ditur. Nuk ja ndrydhën kurrë fjalën. Nuk ja thyen kurrë kurajën për të mbrojtur LANÇ, historinë dhe vlerat e popullit e të mbarë kombit. Por as nuk u tremb, pse u la edhe pa punë. Nuk preokupoj politikanë as qeveritarë shëndeti i tij. Por jo pak të tjerë që nuk peshonin as sa qimet e “mjekrës” së Moikomit, nxirreshin fonde dhe mjekoheshin në vendet më moderne e të shtrenjta.

Unë nuk e di sa do ta kenë jetën e gjatë këta frymorë që kanë hipur në podiumet e politikës, në kolltukët e qeverisë dhe në zverkun e popullit të thjeshtë të këtij vendi. Por diçka tjetër e di mirë, e saktësi se: krijimtaria atdhetare, kontributet dhe emrat e Moikom Zeqos, Hysni Milloshit, Rexhep Qoses, ashtu si i Naimit, Samiut e Migjenit, do të jenë më jetëgjatë në shpirtin dhe jetën e popullit shqiptar atdhetar, se sa fosilet e kockave të frymorëve në politikë, qeveri apo milionerë.

***

Një personalitet, studiues e krijues novator, i përveçëm dhe i suksesshëm, një talent si Moikom Zeqo, do ta  kishte për nder e krenari çdo shtet i madh e i përparuar, në cilindo vend të botës. Krijues e studiues të suksesshëm, jo vetëm sot, por edhe brezat e ardhshëm të vendit tonë, por edhe të popujve të tjerë do të na njohin me mirë se ç’ka qenë kombi shqiptar, kontributet që ka dhënë, dhe se, edhe shqiptarët kanë vendin e vet të nderuar në historinë dhe kulturën europiane e botërore. Është domethënëse kjo që do të them tani:

Tek bisedonim për krijimtarinë e Moikomit, disa vite më parë, dikush tha: “Moikomi është poet novator, shkrimtar, arkeolog, piktor… etj”. Në çast ndërhyn bashkëshortja e  poetit të ndjerë Lirim Deda: “…Jo mor jo… Moikomi nuk është thjeshtë një poet… Është një Profet”. (në kuptimin e diturisë). Kuptohet jo Profet që propagandon dogma pa shpirt. Ai ishte një Profet në kuptimin e saktësisë, përsosmërisë, bukurisë dhe pavdekësisë së fjalës së shkruar shqipe. Në këtë kuptim, Moiko Zeqo, ishte dhe mbeti vërtetë një Profet.

Kur ndërroi jetë poeti rus Nikollaj Aleksejeviç Nekrasov, një poet tjetër shkruajti, ndër të tjera edhe këto vargje:

………………………………..

Çfarë pishtari i arsyes u shuajt,

Çfarë zemre se rrahuri pushoi…

Kjo mund të thuhet edhe për krijuesin dhe mendimtarin e madh  MOIKOM ZEQO.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin