Sport

Mourinho “ngre në qiell” Kumbullën

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, dukej i kënaqur me përpjekjen e ekipit të tij në fitoren e mbrëmshme ndaj Fiorentinës. Trajneri portugez iu kërkoi lojtarëve të tij që të jenë më të guximshëm në lojën përpara dhe vlerësoi Marash Kumbullën, që bëri startin e tij të dytë radhazi këtë sezon:

“Unë jam i tmerruar nga kartonët e kuq dhe nuk dua të përfundoj duke thënë ndonjë fjalë më shumë, që mund të rezultojë në marrjen e të kuqes. Ndeshja ishte e vështirë. Fiorentina ka lojtarë të mirë, sidomos nga pikëpamja teknike. Ne u mbrojtëm mirë, e kishim gjithmonë kontrollin e ndeshjes.

Do të doja më shumë cilësi në lojën tonë, më shumë njerëz të gatshëm për të luajtur topin përpara. Nga pikëpamja taktike, vetëm mund t’i lavdëroj lojtarët e mi. Me topin duhet të kemi më shumë cilësi, më shumë besim. Ne duhet të luajmë me atë që kemi dhe të japim gjithçka që kemi.

Merkatoja e janarit? Nuk pres që të vijë dikush tjetër. Tiago Pinto ishte shumë i sinqertë, shumë i drejtpërdrejtë. Ai tha disa fjalë në një intervistë që zakonisht një trajneri nuk i pëlqen t’i dëgjojë, por ato janë fjalë të sinqerta.

Natyrisht, të gjithë trajnerët duan të dëgjojnë se ka shumë para për të shpenzuar dhe se ne mund të blejmë lojtarë dhe të ndërtojmë një ekip shumë të fortë. Unë kam punuar në klube të tilla në të kaluarën, por ky nuk është rasti.

Këtu punojmë shumë, japim gjithçka që kemi. Pinto? Nuk kam asnjë problem me drejtorin e përgjithshëm. Ka shumë ndershmëri dhe respekt në raportin tonë. Shumë të rinj kanë bërë mirë deri më tani, Zalewski, Bove dhe Volpato. Marash Kumbulla na ka dhënë dy paraqitje të shkëlqyera kohët e fundit dhe ka treguar profesionalizëm të vërtetë, pavarësisht se nuk ka luajtur shumë.

Në mbrojtje mendoj se Kumbulla është ai që e trajton më mirë topin, por kafsha e vërtetë mbrojtëse tani është Ibanez. Ai ha çdo gjë që i del përballë. Nuk mendoj se zgjidhja është ndryshimi i planit të lojës, sepse ka shumë njerëz që nuk mund të luajnë me një mbrojtje me katër lojtarë. Nuk mund t’i tregojmë dobësitë tona, duhet t’i fshehim ato”.

TRENDING

Exit mobile version