Shkrime

Na ishte një herë e një kohë një Perëndim që s’e kritikonte Kosovën

“Një herë e një kohë në Perëndim” është titulli i filmit të zhanrit “Western” të regjisorit italian Sergie Leone dhe titulli i një kënge të grupit legjendar britanik “Dire Straits”, që në thelb përdoret për portretizimin e një epoke tashmë të vdekur, ndërsa e ardhmja mbetet e paqartë.

Kur analizon qasjen e Perëndimit në raport me Kosovën në Seancën e Jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, thirrur nga Serbia, është e pashmangshme të mos kujtohet kjo frazë e cila është lajtmotivi e disa prej këngëve dhe filmave më ikonike të shekullit të kaluar.

Në betejën retorike dhe argumentuese përballë një politikani konspiracionist si Aleksandër Vuçiç, fitues doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, jo edhe në raport me kanalizimin e mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar në fushën e Kosovës. Ai u përballë me kritika të ashpra nga aleatët në një seancë të një organizate që është streha e plotë 193 shteteve.

Pavarësisht argumenteve të llojit se vendimi i BQK-së “s’e ndalon dinarin në territorin e Kosovës” ose “ky vendim nuk është kundër komuniteti serb në Kosovë” apo “ne vetëm po zbatojmë një nen të Kushtetutës”, ambasadorët e vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit u shprehën haptazi se nuk po pajtohen me veprimin e fundit të institucioneve të Kosovës. Ata vlerësuan se vendimi për këtë çështje është marrë pa përgatitje të duhur.

E para e cila hapi derën e kritikave ndaj Kosovës ishte Ambasadorja e SHBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield.

E drejtpërdrejtë dhe me tone kritike diplomatja amerikane kërkoi që Kosova ta pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së, meqë sipas saj, vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me komunitetin serb.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” sa i përket mbylljes së zyrave paralele të Serbisë në Kosovë.

Në anën tjetër një qasje më të butë – në krahasim me atë amerikan –  tregoi Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në KS të OKB-së i cili kërkoi që Kosova të hartojë një plan të qartë për t’u siguruar që të gjithë serbët e Kosovës mund të vazhdojnë të pranojnë të ardhurat e tyre në dinar deri në një zgjidhje të qëndrueshme.

Kosova, sipas tij, duhet t’i ushtrojë kompetencat e saj sovrane në një mënyrë që është në përputhje me vizionin e një demokracie multientike, e rrënjosur në zemër të Kushtetutës së Kosovës.

Shumë komentatorë politik e analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e cilësuan si dështim diplomatik paraqitjen e Kurtit në seancën e KS të OKB-së meqë, sipas tyre, me vendimin për Dinarin, Kosova në sytë e aleatëve të saj të enjten u paraqitë si “fajtore” duke dëmtuar kështu edhe “interesin nacional të vendit”.

Kishte edhe nga ata që argumentuan se seanca e djeshme në OKB është dëshmia më e qartë se mungesa e bashkërendimit të veprimeve me aleatët “shkakton pasoja për Kosovën”.

Këto pasoja mund të përfundojnë në mënyrë fatale për vendin marrë parasysh qëndrimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku mes rreshtash la të nënkuptohet se Rusia mund ta ndihmojë Serbinë për kthimin e saj në Kosovë.

Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq politik ku në njërën anë pranon kritika të ditëpërditshme për dy vjet rresht nga shtetet të cilët mundësuan lirin dhe pavarësinë e saj dhe në anën tjetër kërcënohet nga shtete si Serbia që kanë oreks – duke u thirrur në mite historike njëjtë si Rusia – territorial mbi Kosovën.

Çfarë mban e ardhmja e tregon koha, por njëjtë si titulli i këngës/filmit, nga seanca e pardjeshme mund të thuhet se “na ishte njëherë një kohë” kur Perëndimi rreshtohej krejtësisht në anën e Kosovës.

Tani, për 1 milion arsye që mund të diskutohen në një rast tjetër, Kosova më s’e ka mbrojtjen e pakushte të politikës amerikano-perëndimore. Veç 25 vjet nga mizoritë e shkaktuara mbi shqiptarët në Kosovë, përfaqësuesit kosovarë në OKB u panë edhe si fajtorë.

 

 

TRENDING

Exit mobile version