Kosova

NA MBESHTESNI, Rohde përmendi Asociacionin, Kurti kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE

Pak ditë pasi Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim – teksa në pikëpyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me disa deputetët gjermanë ka kërkuar mbështetjen e tyre edhe në hapin e fundit të Kosovës drejt kësaj organizate ndërkombëtare.

“Krahas mirënjohës për mbështetjen e deritanishme ndaj vendit tonë, kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që ajo bënë përpara në votimin pozitiv për në Këshillin e Evropës aq më shumë do duhet t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, potencoi ambasadori duke shtuar se mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, por duhet ta dërgoni draft-statutin te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka theksuar Rohde i cili ka potencuar se “sa më shumë që bëhet para takimit të Komitetit të Ministrave, aq më e madhe është mundësia për një votim të suksesshëm”.

TRENDING

Exit mobile version