Kosova

NATO ndez avionët e luftës, Shea jep lajmin e madh

Dje, teksa u përkujtua 25 vjetori i sulmeve të Aleancës Veriatlantike ndaj ish Jugosllavisë, zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea tha se vendimi për të bombarduar forcat serbe në vitin1999 ishte i duhuri atë kohë dhe ai beson se është shfajësuar nga historia.

Në javët e para të vitit 1999, represioni serb ndaj popullatës civile kosovare po përkeqësohej. Masakra në Reçak ishte një pikë kthese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviçit pati refuzuar paqen e negociuar midis Beogradit dhe Kosovës në Rambuje e Paris” – theksoi Shea.

Sipas tij, NATO i kishte dhënë opsionit diplomatik çdo mundësi për të punuar, por qartësisht nuk mund të qëndronte mënjanë pasi dhuna dhe kriza humanitare u intensifikuan në Kosovë.

“Kështu filloi në fund të marsit, fushata ajrore kundër regjimit të Millosheviçit dhe forcave të tij përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të njeriut. Fakti që më pas refugjatët dhe kosovarët e zhdukur, mundën të kthehen në shtëpitë e tyre dhe teksa populli i Kosovës gjatë 25 viteve të fundit ka qenë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri (edhe pse larg nga e përkryera) tregon se ndërhyrja e NATO-s pati sukses dhe ishte e justifikuar” – potencoi Shea

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, Serbia ende vazhdon të refuzojë të pranojë krimet e kryera nga ish-regjimi i Millosheviçit, dhe për këtë Shea tha se është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe të mirë.

“Qartazi, keni qenë duke jetuar në një fqinjësi të vështirë, që nuk i ka bërë gjërat edhe aq të lehta për ju. Beogradi thotë se dinari është valutë zyrtare e Kosovës, si dhe duke mbajtur qasje të tillë, ata pretendojnë që ky vend i takon Serbisë. Ju e nisët nga zero, nga asgjë.

Ata kanë dëmtuar shumë resurse ekonomike para se të largoheshin. E lanë Kosovën me shumë pak, njëjtë si refugjatë që mbërrijnë me pak para dhe vetëm me rrobat që mbajnë në shpinë. Në këto rrethana, mendoj që Kosova ka bërë jashtëzakonisht mirë. Ka probleme, por demokracia nuk është asnjëherë perfekte” – ka deklaruar Shea, duke shtuar se që nga shpallja e Pavarësisë, dhe themelimi i Forcës së Sigurisë, Kosova e ka një synim, anëtarësimin në NATO dhe sipas tij, derisa kjo të ndodhë, duhet edhe pak kohë.

Ju duhet të keni konsensusin e 32 shteteve anëtare, për t’u pranuar si një anëtar i ri. NATO duhet të punojë në këtë drejtim që Kosova të bëhet një vend anëtar. Nga ana tjetër, edhe Kosova duhet të bëj disa gjëra parapërgatitore. Mendoj që është shumë e rëndësishme që NATO po e angazhon Kosovën si partnere” – ka deklaruar ish-zëdhënësi i NATO-s.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, gjithashtu e cilësoi si të vagët kërcënimin që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka bërë së fundmi Kosovës. Ai e cilëson atë vetëm si vijimësi e propagandës së Vuçiçit për konsum të brendshëm.

“Kërcënimin e presidentit serb e shoh kryesisht si një marifet propagandistik për konsum të brendshëm në Serbi dhe devijim të padobishëm nga detyra reale për të rikthyer në rrugën e duhur, normalizimin e marrëdhënieve të përshkruara në Marrëveshjen e Ohrit të vitit të kaluar” – deklaroi Shea.

Sipas tij, ajo çfarë po bën Vuçiçi s’është tjetër, veç zhurma e rradhës për kinse mundësinë e kthimit të trupave ushtarake në Kosovë. Siç ka raportuar media serbe Danas, Vuçiç ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar. Por, Shea thotë se këto deklarata nuk qëndrojnë për shkak se me veprime të tilla jo vetëm që do shkelej sovraniteti i Kosovës – që është shtet i pavarur, por do të shkelej edhe Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

TRENDING

Exit mobile version