Kosova

Ndalimi i udhëtarëve, BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Pasi që autoritetet e Serbisë kanë ndalur dje udhëtarët dhe autobusët nga Kosova, Bashkimi Evropian ka thënë se janë duke ndjekur situatën nga afër, teksa kanë theksuar se shteti serb është duke e shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Këto komente, në emër të BE-së, i ka bërë zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, duke folur për situatën e krijuar nga Serbia, një ditë pasi që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ai ka potencuar se Unioni e “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet te tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes”.

“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, shtoi Stano

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë që nga orët e mbrëmjes të së martës.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se Serbia po mundohet të gjejë forma për t’u hakmarrë pas votimit në favor të Kosovës në Këshill të Evropës.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka thënë se për këtë situatë ka informuar të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 

TRENDING

Exit mobile version