Kosova

Ndarja e Kosovës sjell ndarjen e gjysmës së Europës

Analisti i njohur, profesor doctor Enver Bytyçi thotë se pesë vendet mosnjohëse të Kosovës, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja duhet të jenë më shumë të interesuara të njohin pavarësinë e Kosovës sesa të ngrejnë ndaj saj kartonin e kuq, pasi kjo e fundit do ti dënojë më shumë këto vende.

Sipas Bytyçit, nëse vëmë re qëndrimin e kryediplomatit të Bashkimit Europian Borrell, emisarit Lajçak e të tjerë të interesuar e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, duket qartë se ata duan një zgjidhje konflikti në favor të Serbisë. Duan ta kafshojnë Kosovën, mundësisht në territor. Por së paku me anën e një asociacioni që në veri të vendit shpall si mbret Radojçiçin, njeriun më të dashur të Aleksandër Vuçiç në këtë pjesë të vendit.

“Nëse do ndahej Kosova do të krijonte precedent për ndarjen e Qipros së Veriut e cila mund t’i bashkohet Turqisë dhe kjo të konsiderohet legjitime. Nëse ndahet Kosova, Katalonja dhe baskët, grupe etnike jo – spanjolle këto, kanë të drejtën të shkëputen nga sovraniteti shtetëror spanjoll. Edhe ndarja e Krimesë nga Ukraina do të motivohej nga ndarja e Kosovës dhe jo nga pavarësia e saj.

Ndarja e Kosovës u jep të njëjtat të drejta edhe pakicave në Rumani dhe në Sllovaki, ndërkohë që ve në lëvizje mekanizma të së drejtës edhe për çështjen çame në Greqi. Nëse ndahet Kosova, pse nuk do të duhej ndarë edhe Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi. Pse nuk duhet ndarë vetë Serbia, ku jetojnë minoritete të shumta kompakte si shqiptarët në Luginën e Preshevës, hungarezët në veri të vendit, apo boshnjakët e muslimanët në perendim të tij? – Shkruan Enver Bytyçi

 

TRENDING

Exit mobile version