Aktualitet

Ndërtoi pa leje hotelin 7-katësh, Apeli liron nga burgu ish-drejtorin e ASHK Sarandë

Gjykata e Apelit ka liruar sot nga qelia ish-Drejtorin e ASHK Sarandë, Mariel Murati, i cili akuzohej për “ndërtim të paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash”  Murati qëndroi për 26 ditë nën arrest, që kur u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës më 27 mars.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit, e cila kishte lëshuar urdhër ndalimi për Muratin dhe 10 zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.

Gjyqtari Genti Shala ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për 47-vjeçarin. Po sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, u shqyrtua edhe masa e sigurisë për 9 të ndaluarit e tjerë të operacionit të nisur në 13 mars. Gjyqtarja Brikena Ukperaj ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Sarandës për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”’për zyrtarët e ASHK, Erald Lika dhe Ermen Stroka, “detyrim paraqitje” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ASHK dhe IKMT, Andri Dhima, Ina Papa, Denis Balili e Manushaqe Saliko si dhe “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e IMT të Bashkisë Sarandë, Viktor Qesari, Tonin Simoni e Oltion Durmishi.

Prokuroria e Sarandës kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke kërkuar “Arrest në shtëpi” për të gjithë të akuzuarit që ndodheshin në “detyrim paraqitje” përvec Papës e Salikos, por kjo nuk u pranua sot nga Gjykata e Apelit. Zyrtarët e mësipërm akuzohen për “shpërdorim detyre” pasi kanë lejuar të ndërtohet dhe më pas kanë legalizuar hotelin 7 katësh të Mariel Muratit. Në kërkim për operacionin e nisur në 13 mars vazhdon të jetë ish-Drejtoresha e ASHK Sarandë, Kozeta Statha.

Mariel Murati në vitin 2020 kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues, por e kishte rrënuar të gjithin duke ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate. Ish-drejtori ka arritur ta legalizojë hotelin dhe e ka vënë në funksion në vitin 2022. Të gjitha këto veprime janë kryer pasi Murati e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI-IT Sarandë dhe kishte marrë drejtimin e Fondit të Sigurimit të Shëndetësor. Ky hotel ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, përkatësisht në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.

TRENDING

Exit mobile version