Kosova

Ndëshkojeni Vuçiçin, Vjosa Osmani thirrje ndërkombëtarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të ndëshkojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas saj, nuk e mbajti fjalën e dhënë para liderëve të Gjermanisë dhe Francës se nuk do t’i instrumentalizojë serbët e Kosovës.

Ajo apeloi komunitetin serb që përbën shumicën e popullsisë në pjesën veriore të vendi, të mos u përgjigjen thirrjeve të Listës Serbe që të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë dhe çvotimin e katër kryetarëve shqiptarë në veri të vendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Fatkeqësisht, edhe këtë herë është Vuçiçi ai që nuk e mbajti fjalën e dhënë para aleatëve, madje edhe në takimet me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, por edhe në takime të tjera ku ai garantoi se nuk do t’u bëj presion të paligjshëm serbëve”- theksoi Osmani duke shtuar:- “Dua t’i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që të jenë shumë më të zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të paligjshëm ndaj serbeve që jetojnë në Kosovë dhe po ashtu ta ndëshkojnë Vuçiçin, i cili për të disatën herë nuk e ka mbajtur fjalën që ka dhënë para tyre”.

Regjistrimi i popullsisë – ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit – filloi më 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj. Por, ndonëse censusi për herë të parë do përfshijë edhe komunitetin serb në pjesën veriore të Kosovës, partia kryesore e serbëve u kërkoi qytetarëve të mos marrin pjesë. Forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës paralajmëroi se s’do të marrë pjesë as në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – për largimin e kryetarëve shqiptarë nga pozita, ndonëse e kërkoi vetë.

TRENDING

Exit mobile version