Connect with us

Kosove

Në 1 vit, Edi Rama e ka bërë Albin Kurtin të duket plak

Published

on

Nga Berat Buzhala

Me 14 shkurt të vitit të kaluar Albin Kurti dukej si një uragan që nuk do të ketë të ndalur, kurse Edi Rama një politikan që i takonte të kaluarës. Tavolina është rrotulluar.

Në shkurt të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama dukej si një boksier që ishte rrahur pamëshirshëm për 12 raunde dhe kërkohej vetëm edhe një goditje për ta rrëzuar në dysheme.

Aleati i vetëm i tij në Ballkan ishte Presidenti serb Aleksander Vuçiq, kurse Kosova për të ishte bërë një tokë e huaj. Edhe Kryeministri e edhe Presidenti i ri i Kosovës ishin në gjendje ta shpallnin, nëse është nevoja, edhe persona non grata. Madje kishte edhe zëra të tillë.

Pasiqë i kishin fituar mbi 50 përqind të votave në Kosovë Kurti e kishte mbjellë farën e partisë së tij edhe në Shqipëri. Si një fëmijë i ekzaltuar, pasiqë kishte korrur sukses elektoral në Kosovë, kishte shkuar me eskortë shtetërore për të votuar në Shqipëri. Për ta demonstruar fuqinë në terren kishte filluar edhe me protesta në pika të ndryshme. Deputetë idiot nga Kosova kishin vajtur për të ngritur zërin e protestës në një shtet tjetër.

Kurti ishte i bindur që Rama i takonte të kaluarës, thjesht dëshironte që ai personalisht t’ia jepte goditjen i fundit. Kadal beg se ka hendek.

Kryeministri shqiptar, ndonëse i frikësuar se nga Kosova po frynte një erë e fuqishme e ndryshimit, arriti ta ruante qetësinë. Për disa javë më radhë ai nuk i ishte përgjigjur provokimeve të ulta nga Prishtina. Ishte i bindur që çfarëdo polemike parazgjedhore, do t’i shkonte përshtati kauzës së Kurtit, e do ta dëmtonte atë vetë. Rama, në kushte të tjera, do të kishte mjaft gjëra për t’i thënë. Më falni për gjuhën, por Rama po e mbante shurrën. Sabri e ka selamtin.

Kështu, në prill Rama i mbylli hesapet në Shqipëri, duke e siguruar edhe mandatin e tij të tretë. Kurti kishte mbjellë duhi dhe kishte korrur breshër. Potera që e shkaktoi para zgjedhjeve të Shqipërisë rezultoi të kishte qenë një stuhi në gotë. Votat që i mori nuk e justifikonin as naftën e shpenzuar nga eskorta e tij për të shkuar nga Prishtina në Tiranë për të votuar. Rama, ndonëse i dërrmuar, pas rezultatit të prillit arriti që t’i ikte goditjes fatale. Tash gradualisht po e pushtonte mesin e ringut.

Ndoshta që nga viti 1945 Kosova dhe Shqipëria nuk kishin qenë kaq keq. Është i diskutueshëm raporti i Ramës me Serbinë, por është i pakuptueshëm axhamillëku i Kurtit e Osmanit për t’i sulmuar udhëheqësit e shtetit shqiptarë – kushdo qofshin ata – veç pse këta po mendonin ndryshe. Kurti dhe Osmani po silleshin si pronarët e të vërtetës absolute.

Edi Rama, si ujk i moçëm, e dinte që hakmarrja më e mirë servohet kur është e ftohtë. Përplasja direkte dhe në media do t’i çonte ujë në mullirin e Kurtit. Një politikan që është në pushtet që 20 vjet e ka të pamundur të matet, pa marrë parasysh argumentet e forta që mund t’i ketë, me një tinejxher. Aleati kryesor i Ramës në këtë rast ishin koha dhe durimi.

Pas rreth 15 muajsh pushtet dhe pas një qeverisje – mos të themi skandaloze – mediokre, fenomeni Kurti ka filluar të demistifikohet. Edhe vetë Vetëvendosja po e ka të pamundur ta gjejë një fushë ku do të mund të thoshte “ja këtu po shkëlqen qeveria e jonë”. Nepotizëm, korrupsion, sulm ndaj mediave, inflacion ekstrem, raporte të ftohta me Amerikën dhe para së gjithash gënjeshtarë patologjikë. Kjo e karakterizon këtë qeveri, e Kurtin në veçanti.

Publiku avash – avash ka filluar të ngopët me retorikën e zbrazët, e posaçërisht me sulmet ndaj qeverive të kaluara. Publiku avash – avash ka filluar t’i shoh edhe disa punë të mira nga periudha e të ashtuquajturit “shkatërrim 20 vjeçar.”

“Ndoshta more Hashim Thaci nuk ka qenë aq i keq sa na është thënë”. Dhe krahas kësaj pyetje njerëzit kanë filluar që befasisht të pyesin për të dhe shokët e tij. Pse nuk po lirohen për t’u mbrojtur në liri, siç janë praktikat më të mira ndërkombëtare? Çfarë po bëjnë institucionet tona për ta?

Derisa njerëzit kanë filluar të pyesin, derisa Kurti dhe kllapa e tij më shumë janë në anën e prokurorisë se sa në anën e UÇK’së, Edi Rama, pa e vrarë shumë kokën, shkoi për vizitë të miku i tij në Hagë. Albin Kurti as nuk e ka menduar ndonjëherë një akt të tillë. Për më keq, para disa javësh, ai kishte zgjedhur t’i ofendonte krerët e UÇK’së, duke ua çuar në vizitë ministren e Drejtësisë. Nëse do ta pyesje Thaçin e Veselin, se cili do të donit të ishte personi i vetëm në Kosovë që nuk do ta takonit, pa dyshim që do të thoshin Albulena Haxhiu. Këtë e ka ditur edhe Kurti kur kishte vendosur që Albulenën ta niste për në Hagë si ngushëllim.

Dërgimi i Ministres së Drejtësisë, tash jo si emër i përveçëm por si institucion, ishte mesazh i kësaj qeverie se Thaci, Veseli dhe të tjerët, nuk ishin asgjë tjetër, përveç ca të burgosur, që mund ta takojnë vetëm personin përgjegjës për burgjet, siç është ministrja e drejtësisë.

Për Edi Ramën, megjithatë, ata që gjenden në Hagë, ende të pafajshëm, kanë vlerë shumë më të madhe se sa disa të burgosur. Ata atje, me të drejtë, janë para së gjithash figura të rëndësishme historike të Kosovës dhe të shqiptarëve. Se si është bërë ai Tribunal, se si janë ngritur ato aktakuza, më së miri e pamë tash së fundmi kur vetë senatori Dick Marty foli publikisht për një atentat që po i përgatiste shërbimi sekret serb, në mënyrë që pastaj t’i fajësonte krerët e UÇK’së. Duhesh të jesh ose i verbër, ose i motivuar thellësisht politikisht, siç është Kurti, që ta mohosh këtë realitet.

Sido që të jetë, kjo nuk është fiaskoja e vetme e kryeministrit të Kosovës. Erërat kanë ndërruar drejtim. Në Mal të Zi është zgjedhur një kryeministër shqiptar, që vizionin për Ballkanin e ka më të afërt me atë të Edi Ramës, se sa më këtë të Albin Kurtit, edhe pse fjala vizion dhe Albin brenda të njëjtës fjali duken tepër kontradiktore.

Gjithashtu, edhe aleatët më kokëfortë të Kurtit në arenën ndërkombëtare, gjermanët, kanë filluar të dëshprohen me të. Për raportin e Kurtit me SHBA’të nuk ia vlen të flitet shumë. Ai po qëndron për një vizitë zyrtare në Amerikë, që më shumë duket si shuarje e kureshtjes personale. Kurti ka harruar, ose nuk e ka ditur kurrë, që asnjë trik e asnjë taktikë nuk do ta ndihmojnë atë për të sjellur investime të rëndësishme në vendin tonë, pa raporte të shëndosha politike në mes të Kosovës dhe SHBA’së.

Pak a shumë ka kaluar 1 vit prej kur Rama e ka filluar mandatin e tij të tretë, kurse Kurti mandatin e tij të parë. Aq i lodhur dhe i pashpresë duket Kurti, sa dikush do të mund të mendonte që ai po qeverisë me Kosovën që tri mandate, kurse Rama sapo e ka filluar punën si kryeministër. Mjaft ironike kjo, kur ta mendosh që Kurti kërkonte që të bëhej edhe kryeministër i Shqipërisë, pra nuk po i mjaftonte vetëm Kosova.

(Se çfarë mendoj për Ramën si kryeministër i Shqipërisë këtë e kam thënë qindra herë dhe edhe më tutje u qëndroj atyre qëndrimeve).

Kosove

‘Vlerë prej 6 milion euro’, Ministri Xhelal Sveçla: Laboratori është shkatërruar

Published

on

By

Ditën e sotme pas një aksoni të Policisë në veri të Kosovës është gjetur një laborator ku kultivohej marihuana me mbi 10.000 fije bimësh të cilat do të shiteshin në mënyrë të jashtëligjshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se tashmë po shkatërrohet droga që u gjet në veri të vendit.

Ai njofton se vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë 6 milionë euro.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar ai.

Gjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Continue Reading

Kosove

Meta në Kosovë, nderim Kuvendit të Junikut: Kosova vend i paqes…

Published

on

By

Presidenti Ilir Meta ka shkuar sot në Kosovë, ku së bashku me Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, ka marrë pjesë në përkujtimin e 110-vjetorit të Kuvendit historik të Junikut, i cili u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik.

Në prononcimin për mediat në Kosovë, Presidenti Meta theksoi se Kosova është një vend me të drejta të plota, i lirë, demokratik dhe duke e cilësuar si një vend model.

Meta gjithashtu shtoi se plikim që meriton mbështetjen e të gjithëve, që i shërben afirmimit të vlerave europiane të të gjithë rajonit tonë, dhe nuk i shërben vetëm Kosovës.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Zoti President si e vlerësoni progresin e bërë nga shteti i Kosovës dhe a keni një koment për aplikimin në KiE?

Presidenti Meta: Kosova është një vend shumë solid dhe demokratik, është një shembull i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një shembull i respektimit të të drejtave të njeriut, një shembull i respektimit të të drejtave të pakicave.

Është një vend model që kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, dhe padyshim që është edhe për sa u takon standardeve, është që para kohe të anëtarësimit të Këshillit të Evropës.

Kështu është një aplikim për Kosovën që meriton që të jetë gjithëve, i përdor një firmë për vlerat evropiane të të gjithë rajonit tonë, dhe nuk i përket të gjithë rajonit tonë.

Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni zgjedhjen e zotit Sali Berisha Kryetar të Partisë Demokratike?

Presidenti Meta: Në demokraci duhet të respektohet dhe vullneti i tij!

Continue Reading

Kosove

Zhgënjehet ish-kandidati i VV-së: Ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë

Published

on

By

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje njeherit ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera është zhgënjyer me partinë të cilës i përket.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Potera mes tjerash shkruan se “ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mira, por edhe vepra të mira”.

Ish-kandidatit të VV-së për Podujevën nuk po i pëlqen qeverisja nga bashkëpartiaku i tij, Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij qeverisja në Llap është kthyer ‘prapë në binarët e vjetër’ .

“Kemi shpresë ende me nivelin qendrorë dhe nuk kisha dashur kurrë që kjo të ndodh njëjtë me qeverisjen Qendrore”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Kur u ndryshua qeverisja në Komunën e Podujevës ndërgjegjja qytetare e komunës sonë reflektoi nivel të lartë politik, duke na ofruar e mundësuar marrjen e përgjegjësive, duke na besuar që të sendërtojmë rregullsi në jetën praktike. Ishte momenti, ishte fryma për ndryshim rrënjësor. Ishte gatishmëria qytetare për të kthyer atë vend për së mbari, për vendosjen e ligjshmërisë, e deshën atë ndryshim, më shumë se vet qeverisja, prandaj edhe e votuan!

Ata deshën të kenë institucione që i bën qytetarët të ndihen të organizuar, të realizojnë të drejtën e tyre që parashihet me ligje, të realizojnë projekte për lagjen e fshatin e tyre pa dallim, të ndihen e të trajtohen të barabartë. Donin ndryshime rrënjësore në arsim e shëndetësi, në siguri e bujqësi e gjithsesi në administratë. Për qytetarët llapjanë ndryshimi ka qenë i shumë pritur e i mirëseardhur. Qytetari Llapjan e dha provimin si shpeshherë kur e ka kërkuar nevoja.

Por jo, nuk ndodhi ndryshimi i shumë pritur, diçka shkoi keq dhe qeverisja u kthye prapë në binarët e vjetër.

Pse?

Qytetari Llapjan e meriton të realizojë çdo ëndërr që ju është mohuar nga kushdo qoftë. Nuk guxon nga asnjë përfitues, abuzues, kriminel, keqpërdorues e lere më nga administrata të trajtohen padrejtësisht.

Kemi shpresë ende me nivelin Qendrorë dhe nuk kisha dashur kurrë që kjo të ndodh njejtë me qeverisjen Qendrore.

Mos të lejojmë të na ikë nga dora ndryshimi për të cilin populli ka votuar. E ne jemi zotuar e kemi premtuar shumë e jemi hyrë në obligime.

Ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mira por vepra të mira. Nuk nënkupton vetëm ankesa por veprim. Nënkupton guxim ndaj sfidave përpara.

Disa si në qeverisje lokale ashtu edhe qendrore, duhet shpejt dhe shpeshherë të kalibrojnë, ratifikojnë shënjestrat sepse e kanë huqur shumë cakun.

Një aktivist politik pavarësisht në cilën parti është nuk duhet që të jetë aq shumë servil e i dëgjueshëm. Subjekti ka nevojë për aktivistë të zëshëm e kritik, jo veç çka ju servohet, e veç numër (kjo është njejtë sikur luftëtari në betejë në istikame nuk shkrep asnjë plumb dhe ruhet mos të plagoset e mos të vritet. Kurse në poligon të gjuajtjeve bëjnë kërdinë).

Populli votoi për ndryshim me plot kuptimin e fjalës.

Continue Reading

Kosove

‘Biletë falas për të gjithë’, Prishtina nxit qytetarët të marrin transportin publik, ja nisma interesante

Published

on

By

PRISHTINË- Bileta do të jetë falas për të gjithë ata që sot dhe nesër do të zgjedhin transportin publik në Prishtinë.

Kjo është një nismë mjaft interesante, për të nxitur qytetarët të zgjedhin transportin publik dhe alternativat e tjera në vend të makinës private. Kjo në kuadër të “luftës” kundër ndotjes.

“Ju njoftojmë se nesër dhe pasnesër, transporti me Trafiku Urban, do të jetë pa pagesë. Për të mirën e Kryeqytetit, ju inkurajojmë që të përdorni sa më shumë transportin publik dhe alternativa të tjera, si patina dhe biçikleta”, shkruhen në njoftim.

A do të donit kjo nismë të praktikohej në qytetin tuaj?

Continue Reading

Kosove

Kurti takim me guvernatorin Baker, diskutojnë për investimet në Kosovë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Massachusetts, Boston, është pritur në takim nga guvernatori i këtij shteti, Charles Baker.

Kurti e Baker diskutuan mbi avancimin e parimeve demokratike, për mënyrat e bashkëpunimit ekonomik, mbrojtje e siguri.

I pari i qeverisë foli edhe për mundësitë për investime në Kosovë, teksa përmendi edhe Gjykatën Komerciale e cila është në themelim e s ipër, ofrojnë sipas tij, mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë.

“Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, kryeministri Kurti tha se rinia e talentuar, rritja ekonomike, e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, me më pak se 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë”.

“Ai theksoi klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë janë edhe pozita gjeografike e kulturore, popullata e re, kreative dhe e talentuar, njohja e mirë e gjuhës angleze, shtrirja e gjerë të rrjetit të internetit, politika stabile fiskale e infrastruktura moderne të transportit.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING