NTV
No Result
View All Result
20/02/2021 , 19:35
  • Kreu
  • Live TV
  • Politike
  • Shendeti
  • Kronike
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sociale
  • Pinknews
  • Sport
  • Kreu
  • Live TV
  • Politike
  • Shendeti
  • Kronike
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sociale
  • Pinknews
  • Sport
20/02/2021 , 19:35
NTV
No Result
View All Result
Home MEMORIE

NË KUJTIM TË TRE SHIJAKASVE TË VËRTETË, ME MIRËNJOHJE E RESPEKT TË THELLË…

by Kasaj
09/02/2021 , 13:48
NË KUJTIM TË TRE SHIJAKASVE TË VËRTETË, ME MIRËNJOHJE E RESPEKT TË THELLË…
4
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter
Ata ishin tre burra të shkëlqyer, SULË GALLAJ, XHEMAL KRUJA dhe CEN GURABARDHI, që ne, të rinjtë, i quanim me adhurim “Tre muskëtierët e Shijakut”, krenari e vërtetë e njërit prej qyteteve më të ndritur të Shqipërisë së Mesme.
Gjithmonë bashkë, gjithmonë të qeshur, gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar cilindo në hall e në nevojë, prandaj një i moshuar i quajti me të drejtë “Krypa e Shijakut”.
Ishte shkurti i vitit 1991 (plot para 30 vjetësh), kur për herë të parë po vizitoja vendlindjen e tim eti, Mostarin e famshëm për të kaluarën dhe realitetin e tij, ndërkohë më erdhi lajmi shumë i hidhur: “U nda nga jeta “bamirësi i të gjithëve, Cen Gurabardhi!”. Edhe tani, pas 30 vjetësh, e ndiej thellë tronditjen që provova atëherë.
Të tre ata burra të lartpërmendur sot nuk jetojnë. Në respekt të tyre, shembulli i të cilëve frymëzon dhe do të frymëzojë gjithmonë të madh e të vogël, shkrova dikur këtë pasazh, të cilin, tashmë të zgjeruar, po e hedh në fejsbuk:
TRE FISNIKË TË VËRTETË – KRENARI TË SHIJAKUT…
“Vështirë është të gjesh njerëz të mirë, – thotë një fjalë e urtë, – por më e vështirë është t’u japësh vendin e merituar në shoqëri”.
Mbase, kjo është arsyeja që shpesh dëgjojmë të thuhet se e keqja përhapet me progresion gjeometrik, ndërsa e mira me atë arithmetik. Pikërisht njerëzit e mirë janë ata që e zbukurojnë mjedisin shoqëror, janë ata që ushqejnë shpresat dhe optimizmin në mesin e tij, janë ata që merren si “etalon i modelit shoqëror”. Të tillë ka kudo dhe respekti e dashuria për ta do të rrojë sa edhe vetë jeta.
Lidhur me këtë “filozofim”, mendimet e vlerësimet janë të ndryshme, megjithatë, mbase edhe “subjektive”, por unë do të përmend tre shijakas të tillë, që e meritojnë t’i quash “njerëz të vërtetë, me shpirt të madh dhe të prirur për humanizëm, emblema të padiskutueshme të mirësisë shjakase”. Ata janë të paharruarit Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi.
Ishte viti 1942, kur një djalosh i ri, me atë entuziazmin e moshës dhe dëshirën për të kënaqur bashkëqytetarët, do të hapte në Shijak, bashkë me njeriun më energjik dhe më poupllor në të gjithe zonën e Shijakut, të paharruarin Hashim Berhamin (“Rapi i kinemasë” siç e quanin njerëzit e thjeshtë) të parën kinema prej dërrase (përballë shtëpisë së atdhetarit Neki Alite), këtë “oaz kënaqësie të veçantë”, duke u bërë edhe operatorët e parë në historikun e qytetit. Djaloshi entuziast quhej Sulë Gallaj, (apo siç do ta thërriste më vonë, i madh dhe i vogël këtë njeri babaxhan, “Babë Sula”). Të moshuarit e mbajnë mend jehonën e madhe që bëri në qytet kjo ngjarje, sidomos në masën e të rinjve. Gjithçka jepnin ata për të parë një film. Në atë kohë njerëzit magjepseshin nga “bëmat e” Xhon Veismylerit, këtij aktori të famshëm, që luante “Tarzanin e pavdekshëm”, apo filma me dyshen jashtëzakonisht simpatike, seritë e të cilëve ishin shumë të frekuentueshëm e që në popull njiheshin me nofkën “I holli dhe i trashi” (Olio dhe Stelio).
Ndërkohë, Sula, ky antifashist i orëve të para, do të bëhej një nga kuadrot kryesore të luftës ilegale në Shijak. Ai kontribuoi si në organizimin e rinisë antifashiste, të njësitit gueril, por sidomos në mobilizimin e shtresave të ndryshme të popullit për të shtuar radhët e batalionit partizan të zonës.
Më pas do të vinte çlirimi, i cili do të sillte ndryshime në jetë e në mentalitet. Rrallë mund të ndeshesh në jetë njeri më të apasionuar pas bujqësisë si Sulë Gallaj. Në kushte tepër të vështira ai kreu me sukses fakultetin e agronomisë, duke u bërë specialisti më i mirë i bujqësisë në Shqipëri, njëri nga drejtuesit më të aftë në rrethin e Durrësit, njëkohësisht edhe figura qendrore e Komunitetit të mrekullueshëm boshjak të Shijakut. I talentuar si ai, model i vërtetë i përkushtimit fizik e shpirtëror ndaj detyrës, Sulë Gallaj do ta shndërronte NB-ën e Sukthit, këtë perlë të bujqësisë shqiptare, në ndërmarrjen bujqësore më të përparuar në vend, madje edhe edhe në njërën nga më të përmendurat në Ballkan.
Por Sulë Gallaj ishte edhe njëri nga ata njerëz të mrekullueshëm që në devizën e tij të padeklaruar do të kishte vetëm postulatin: “Kudo, ku të jepet rasti, bëj vetëm mirë!” Dhe ai e respektoi me fanatizëm këtë, duke u shndërruar në një “bamirës të vërtetë” e me shumë kurajo, në atë zymtësi, mjerim dhe urrejtje, që ndeshej në periudhën e diktaturës. Mirësitë e këtij njeriu të rrallë janë të shumta. Ferma ishte një konglomerat të ardhurish nga të katër anët e vendit, me mentalitete dhe zakone nga më të ndryshmet, mirëpo, njeriu zemërbardhë, i durueshëm, njohës i thellë i halleve të punonjësve dhe mbajtës i fjalës, hyri thellë në zemrat e tyre dhe u bë “si i shtëpisë”. Kjo është arsyeja që dashuria dhe respekti për këtë humanist të mrekullueshëm edhe sot ruhet si hajmali në zemrat e atyre që e kanë njohur dhe dashur.
Me kurajo ai shkeli edhe “vijën e partisë” për të sistemuar në punë dhe ndihmuar materialisht shumë “të deklasuar”, tek të cilët ngjalIi besim dhe shpresë për të jetuar. (Ekipe pas ekipesh nga Komiteti Qendror dhe nga Ministria e Bujqësisë zbarkonin në fermën e Sukthit, për shkak të denoncimeve të shumta që bëheshin, për të vërtetuar “pastërtinë moralo-politike” të këtij humanisti, që nuk e kishte një të dytë në të gjithë vendin, i cili akuzohej “për zbutje të luftës së klasave”. I tillë ishte njëri nga rastet e shumtë të bamirësisë që tregoi ndaj djalit të ish komandantit të xhandarmërisë së Shijakut, atdhetarit nacionalist Mustafa Delialisi, Idealit, të cilin e hoqi nga fusha dhe e futi në ofiçinën e fermës si mekanik. Me atë buzagazin e tij karakteristik, ky njeri i rrallë u jepte përgjigjen e duhur këtyre fytyrëngrysurve që kërkonin gjilpërën në kashtë, duke u thënë: “E vërtetë është se ata janë të deklasuar, por unë i mbaj pranë për t’i pasur “në mbikëqyrje”. Kjo është arsyeja që “partiakët në krye” shpreheshin për të: “Punon mirë, por është ca si “tepër liberal”!” Vazhdimisht e përmendim me respekt të thellë në familjen time këtë njeri të mirë, kur kujtojmë peripecitë e mia për të ndjekur studimet e larta. Ai linte mbledhjet e punës, madje edhe njerëz të dërguar nga “qendra”, dhe tregohej gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar.
I dyti nga këta të tre, të cilët miqësinë e vërtetë midis tyre e ruajti si gjënë më të shtrenjtë, ishte Xhemal Kruja, rrobaqepësi virtuoz dhe i papërtuar. Ky njeri i rrallë, ky dashamirës i vërtetë shijakas, do të linte mbresa të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e bashkëqytetarëve të vet. Dikur në rininë e vet kishte marrë pjesë në luftën ilegale. Dyqanin në qendër të qytetit e kishte kthyer në qendër takimesh dhe gumbullimi materialesh ilegale, të njësitit gueril, ku bënte pjesë, ndërsa shtëpinë e shndërroi në bazë të rëndësishme të luftës për nënprefekturën e Shijakut. Ai futi në luftën ilegale edhe vllezërit dhe motrën, Ikbalen, duke u bërë shembull në atë kohë për rininë. Kontributi i tij në organizimin e aksionit masiv për të ndihmuar fshatrat e zonës kodrinore, të djegura nga nazistët, ka zënë vend nderi në historikun e luftës për liri, në zonën e Shijakut.
Mbas çlirimit, me kalimin e viteve, ai do të arrinte perfeksionim shumë të lartë, do të shndërrohej në një mjeshtër të vërtetë të zanatit dhe për vite me radhë do të drejtonte reparti e rrobaqepësisë të ndërmarrjes komunale të qytetit. Njeri gojëmbël, i padjallëzuar, me atë shpirtbutësinë e tij karakteristike, pa bërë asnjë dallim, ishte i gatshëm pa kurrëfarë interesi të ndihmonte edhe materialisht cilindo. Shpesh herë kjo mirësi e tepruar edhe do ta zhgënjente, por ai nuk do të hiqte dorë. Rastet në këtë drejtim nuk numërohen. Dikush nga fshati Shetel porositi një kostum për dasëm, por hallexhiu e donte brenda në një kohe rekord. Atëherë Xhemali mbyllet në dyqan dhe nuk del prej tij, derisa e qepi kostumin. Për çudi, ku rastisa edhe vetë, fshatari erdhi për të marrë kostumin, por… paratë nuk i kishte me vete. Mirëpo ustai me atë buzagazin e tij karakteristik i thotë: “S’ka gjë, merre kostumin dhe pas dasmës m’i sill lekët”. Një miku i tij i ngushtë, që u ndodh bashkë me mua, iu “hakërrye”: “More, Xhemal, a je në vete? Pa e njoft tjetrin dhe vetëm në mirëbesim i dhe kostumin? Mos ke dalë për sevap? Po sikur të të vijë ndonjë kontroll nga ndërmarrja?” Ky njeri fisnik, pasi na vështroi, vuri buzën në gaz dhe u përgjegj me atë çiltërsinë e tij të zakonshme: “S’ka gjë, se e kam rrogën në xhep, kështu që edhe po të vijë kontrolli… ”. Si aktivist shoqëror ai ishte i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve në lagje, madje, edhe në ato brenda familjes, prandaj edhe njerëzit e donin dhe e respektonin jashtë mase.
Kurrë nuk do ta harroj mbështetjen e fuqishme dhe me rrezik të madh që na dha ky burrë i vërtetë në lidhje me njohjen e figurës së Qemal Deliallisit. Ai qe nga të parët që, jo vetëm lëshoi deklaratë, por kërkoi me këmbëngulje që Qemali të njihej dëshmor i atdheut, duke rrezikuar seriozisht veten dhe familjen. I paharruari Xhemal Kruja u bë njëri nga mbështetësit kryesorë për ngritjen e muzeut historik të zonës.
I treti nga këta, por jo më pak human, ishte mjeshtri i madh, usta Cen Gurabardhi, orëndreqësi i famshëm në të gjithë republikën. Ky burrë i urtë, gjithnjë fytyrëqeshur, që nuk dinte te nxirrte një fjalë të keqe nga goja, ishte një profesionist i rrallë, një njohës i jashtëzakonshëm i të gjitha llojeve të orëve. Që në fëmijëri ai u dha me mish e shpirt pas këtij profesioni saqë mrekullohej si fëmi, kur i binte në dorë një markë e panjohur ore, prandaj linte çdo punë derisa të zbulonte mekanizmin e saj. Ishin fare të rinj kur bashkë me të vëllanë, Hamitin, do të angazhoheshin në rininë antifashiste të qytetit. (Asnjëherë ky njeri modest nuk e përmëndi kontributin e tij të asaj kohe, sepse, siç thoshte me modestinë e vet karakteristike: “U përpoqëm të bajmë sa mundëm atë që kërkonte koha dhe që ishte detyrë pë cilindo!”). Shpesh ne, të rinjtë, kthenim tek dyqani i usta Cenit në qendër të qytetit e, duke pirë kafe me ustain e përmendur, bisedonim për pobleme të ndryshme. Prej tij do të dëgjonim vetëm mendime të pjekura dhe shumë dashamirëse. Keqdashjen, hipokrizinë, pabesinë, që ishin të huaja për të, ai i luftoi deri në fund në marrëdhëniet me njerëzit. Të shumtë janë ata që i drejtoheshin për hallet e tyre usta Cenit dhe ai, pa mëdyshje, me atë bujarinë e veçantë, që e karakterizonte, hiqte shumën nga paratë e tij dhe ndihmonte hallexhiun. Madje, arrinte deri atje, sa që të merrte edhe vetë borxh diku për t’i kryer punë bashkëqytetarit në nevojë.
Profesionin e tij të bukur usta Ceni ia la trashëgm së bijës, Nebahetit, ndërsa dy fëmijët e tjerë do të merrnin drejtim krejt tjetër: i madhi, Dashi, do të bëhej një piktor i suksesshëm, si brenda dhe jashtë vendit. Këtë reputacion tashmë ai e ka shtrirë dhe në Nju-Jork, ku jeton sot familiarisht, prandaj me të drejtë ne e quajmë atë: ”Ambasador të Shijakut në Amerikë!” Djali tjetër, Bahriu, asi më i mirë i të gjitha kohëve në historikun e shkollës së mesme të Shijakut, (rasti tepër I rrallë që një nxënës gjimnazi të shkëlqente me plot kuptimin e fjalës në të gjitha lëndët, si në ato shkencave ekzakte, ashtu edhe në ato humanitare, pa përmendur talentin e jashtëzakonshëm në përvetësimin e gjuhëve të huaja). Ai kreu degën e ekonomisë agrare dhe sot jeton e punon në Durrës.
Ç’i lidhte midis tyre këta burra të vërtetë, Sulën, Xhemalin dhe Cenin? Mosha? Ata ishin gati të një moshe! Shijaku? Ai do të mbetej mjedisi i veprimtarisë së tyre! Por mbi të gjitha arsyet bazë të kësaj miqësie shumë të ngushtë, derisa qenë gjallë, do të ishin: sinqeriteti, dashuria dhe respekti i jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin, gadishmëria për t’u shërbyer në çdo kohë dhe me të gjithë mundësitë njerëzve dhe e vogël në dukje, por me domethënie të madhe: pasioni i patreguar për sportin, sidomos për futbollin e në rradhë të parë për skuadrën e tyre të zemrës, “Erzenin”. Kontributi i këtyre “fisnikëve të vërtetë shijakas” për sportin është i jashtëzakonshëm.
Mbase, mund të jetë edhe rastësi, por ngjarjet e ndryshme personale dhe shoqërore të tre ata i përjetonin thellë, prandaj mbresat do të ndikonin shumë fort në shëndetin e tyre. Ato do t’ua dobësonin organizmin e sidomos pjesën më vitale të tij, zemrën. Të tre këtyre burrave të shquar, për fat të keq, dëmtimi i zemrës do t’ua shkurtonte jetën.
Ata sot nuk janë më, por ne që i kemi njohur e ndiejmë thellë në çdo hap praninë e tyre. Ajo dashuri e madhe për vendlindjen, ajo mirësi e rrallë, ajo gadishmëri njerëzore dhe ai përkushtim për hallet e njerëzve do të mbeten të ngulitura thellë në mendjen dhe zemrën e çdo shijakasi. Jo vetëm ne, por edhe brezat që do të vijnë do të thonë: “Shijaku ka pasur shumë njerëz të mirë, por midis tyre gjithmonë do të shkëlqejnë tre burra të vërtetë, tre humanistë të pazakontë, të cilët janë: Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi!”
Mirënjohje për jetë ndaj këtyre njerëzve të rrallë e të mrekullueshëm, që e kanë mbajtur gjithmonë lart emrin e mirë të Shijakut dhe që kanë zënë vend nderi në historikun e tij.
Pëlqej

Komento
Ndaj

Related Posts

Sot, 30 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha (FOTO)
MEMORIE

Sot, 30 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha (FOTO)

20/02/2021 , 9:12
Sot, kujtojmë lindjen e patriotit të shquar Luigj Gurakuqin
MEMORIE

Sot, kujtojmë lindjen e patriotit të shquar Luigj Gurakuqin

19/02/2021 , 9:49
Sot, përkujtojmë 118-vjetorin e vdekjes së figurës së shquar patriotike Papa Kristo Negovani
MEMORIE

Sot, përkujtojmë 118-vjetorin e vdekjes së figurës së shquar patriotike Papa Kristo Negovani

12/02/2021 , 11:46

Recent Posts

  • Përgatituni për supriza të mëdha, Meri Shehu ka lajme të mira për këtë shenjë horoskopi që nuk duhet t’i humbisni në asnjë moment
  • Përfshihen nga flakët lëndët toksike në “ish-trikotazhin” e Korçës, 10 familje të rrezikuara
  • “Nafta është me ujë!”, Grida Duma takim me fermerët: Toka që punohet nuk do taksohet
  • Vaksinimi i bluzave të bardha në Elbasan/ Rama batuta me mjekun që u vaksinua: Po pse me Interin mo doktor (FOTO)
  • Prej muajsh jeton larg burrit 36-vjeçar, gjyshja 81-vjeçare zbulon se është e “shkatërruar” (FOTO)

Kategorite

  • Aktualitet (1,884)
  • Bota (1,855)
  • DOSSIER (15)
  • Ekonomi (232)
  • Foto lajm (11)
  • Horoskopi (116)
  • Kembimi valutor (20)
  • Kosove (289)
  • Kronike (636)
  • kryesore (1)
  • Kulture (55)
  • LAJMI I FUNDIT (95)
  • Lifestyle (611)
  • MEMORIE (28)
  • Moti (115)
  • OPINION (40)
  • Pinknews (1,196)
  • Politike (770)
  • Rajon (170)
  • REAGIM (115)
  • Shendeti (419)
  • Shkrime (14)
  • Shtypi Dites (28)
  • Sociale (72)
  • Sport (375)
  • Videonews (353)

Moti ne disa qytete

booked.net

Kembimi valutor

Exchange Rates

Statistikat e Covid-19

  • Kreu
  • Live TV
  • Politike
  • Shendeti
  • Kronike
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sociale
  • Pinknews
  • Sport

© 2020 NTV

  • Kreu
  • Live TV
  • Politike
  • Shendeti
  • Kronike
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sociale
  • Pinknews
  • Sport

Welcome Back!

OR

Login to your account below

Forgotten Password?

Create New Account!

OR

Fill the forms below to register

*Duke u regjistruar ne kete website pranoni Kushtet dhe Politikat e Privacise
All fields are required. Log In

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

Ky website perdor cookies. Duke vazhduar ju pranoni perdorimin e tyre!