“Në qytetin e Durrësit ka një borgjezi tregtare të rafinuar…”/ Letra e Byrosë Politike në 1953: Unë si armiq kam njohur…

Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një letër e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mban datën 13 qershor të vitit 1953, dërguar Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, ku merret në analizë e gjithë puna që ishte bërë deri në atë kohë nga ana e atij komiteti që deri në atë kohë e kishte drejtuar sekretari i parë, Nonda Baka me origjinë nga fshati Vuno i Vlorës, i cili ishte shkarkuar së bashku me disa nga vartësit e tij, për arsye se kishte zbutur luftën e klasave dhe nuk zbatonte direktivat e Komitetit Qëndror të PPSH-së, në lidhje me luftën që duhej bërë ndaj “elementëve armiq” etj. Raporti i plotë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, për punën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, Nonda Baka, ku midis të tjerash thuhet: “Luftën e klasave në qytet në radhë të parë, sekretari i parë e kishte harruar.

Ai kishte harruar se në qytetin e Durrësit ka një borgjezi tregtare të rafinuar, se agjentura e jashtme italiane, jugosllave e gjithëlloj agjenturash të tjera punojnë në Durrës, që është porti më i madh i vendit tonë. Ja se si është shprehur vetë ai për këtë çështje: “Kam nënvleftësuar punën e armikut. Unë si armiq kam njohur kryesisht kriminelët e arratisur dhe kam harruar të vlerësoj punën e borgjezisë tregtare, e cila kishte pasur baza në qytetin tone”.

“Në aparatin e komitetit ekzekutiv dhe në ndërmarrjet e ndryshme janë vendosur elementë armiq e të padëshirueshëm. Organizata bazë e NISH-Cigares dhe drejtoria e kësaj ndërmarrjeje kishin vendosur pushimin nga puna të P.B., i cili ka kryer universitetin e Papës në Romë dhe ka vëllanë të arratisur. Mirëpo N.B. i thotë sekretarit të organizatës, kur ky ngulte këmbë që ai element të pushohej nga puna: “Mos e pushoni, pasi ndihmon në aktivitetet kulturale”. Pra që nga ish-sekretari i parë i komitetit të Partisë, jepej toni i qëndrimit kundrejt armikut të klasës dhe elementit të padëshirueshëm. Për vërtetimin dhe ndërrimin e dokumentave ishin ngarkuar elementë me biografi jo të pastër e të papërshtatshëm. Ja një rast tipik: Ishte shkarkuar si verifikues një shok shumë i mirë, sekretar organizate bazë, me të kaluar shumë të mirë të tij dhe të familjes së tij dhe ishte ngarkuar një anëtar partie i vitit 1952, që ishte hequr nga Dega e Punëve të Brendshme, si element papërshtatshëm. Edhe për sa i përket armës së dashur dhe besnike të Partisë dhe të popullit, Armës së Sigurimit, ish-udhëheqja e Partisë e rrethit të Durrësit ka treguar moskokëçarje për të dhe bile e ka nënvleftësuar”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mban datën 13 qershor të vitit 1953, dërguar Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, ku merret në analizë puna e deriatëhershme e atij komiteti që ishte drejtuar nga sekretari i parë, Nonda Baka me origjinë nga fshati Vuno i Vlorës, i cili akuzohej se “kishte zbutur luftën e klasave, nuk zbatonte direktivat e Partisë për luftën që duhej bërë ndaj elementit armik”, etj., etj., dhe si dënim u dërgua si kryetar i kooperativës bujqësore të fshatin Vuno të Vlorës, që ishte dhe vendlindja e tij. Për më shumë rreth këtyre fakteve dhe ngjarjeve, na njeh dokumenti në fjalë me letrën e Byrosë Politike që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në këtë shkrim.

Letra e Komitetit Qëndror të PPSH-së “Mbi gabimet e rënda në udhëheqjen e Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit”.

23 qershor 1953

KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT DURRËS

Për njoftim:

GJITHE KOMITETEVE TE PARTISË TË RRETHEVE DREJTORISE POLITIKE TE

USHTRISE POPULLORE DREJTORISË POLITIKE TE MP TE BRENDSHME

Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së mori në shqyrtim edhe një herë punën e sëmurë të zhvilluar nga ish-udhëheqja e Partisë e rrethit të Durrësit dhe konsideron se puna e organizatës së Partisë të këtij rrethi, e drejtuar keq nga byroja e vjetër e komitetit të Partisë, ka pasur rezultate shumë të dëmshme për Partinë, e ka vënë organizatën e Partisë të Durrësit në rrugë të shtrembër. Kjo punë në të gjitha ngjyrat dhe trajtat e saja kryesore është në kundërshtim me vijën e Partisë. Ish-udhëheqja e Komitetit të Partisë e rrethit të Durrësit, me sekretarin e parë N.B. në krye, ka punuar në kundërshtim me vijën e Partisë, në këto drejtime kryesore:

Në drejtimin e luftës së klasave në fshat dhe në qytet, në rezolucionin e Kongresit I-rë të PKSH-së thuhet: “Partia do të punojë pa u lodhur për ruajtjen e fitoreve të luftës së popullit, për ruajtjen e indipendencës kombëtare dhe të pushtetit popullor duke luftuar pa mëshirë të gjitha tentativat e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë drejtim Partia do të drejtojë luftën e klasave…”. Por ish-udhëheqja e Komitetit të Partisë të Durrësit nuk e ka pasur parasysh këtë direktivë themelore të Partisë. Puna e saj në këtë drejtim është karakterizuar nga një verbëri politike e theksuar, nga qëndrime oportuniste kundrejt armikut të klasës në fshat dhe në qytet. Dihet se politika e Partisë sonë në fshat orientohet nga parulla “mbështetje e fortë e Partisë në fshatarësinë e varfër, aleancë me fshatarësinë e mesme dhe luftë të pandërprerë për kufizimin ekonomik dhe izolimin politik të kulakut”. Ish-udhëheqja e Komitetit të Partisë e rrethit të Durrësit ka punuar në kundërshtim me vijën e Partisë në këtë drejtim. Ajo ka përkrahur elementët kulakë, ka goditur fshatarë të mesëm si kulakë dhe nuk është mbështetur sa duhet në fshatarësinë e varfër. Në letrën e shokut Enver Hoxha “Të zbatojmë drejt politikën e Partisë në cilësimin e kulakëve në fshat”, i tërhiqej vëmendja ish-udhëheqjes së rrethit të Durrësit për moszbatimin e drejtë të vijës së Partisë në luftën e klasave në fshat. Në atë letër midis të tjerave thuhet: “Në lidhje me luftën e klasave në fshat, konstatojmë se ju nuk i vini rëndësinë e duhur këtij problemi ashtu si ju ka udhëzuar Komiteti Qendror. Konstatojmë se në këtë drejtim, ju bëni gabime qoftë nga e djathta, qoftë nga e majta dhe këtë problem kaq të rëndësishëm nuk e keni studjuar dhe vazhdoni të mos e studjoni me seriozitetin e duhur. Nga kjo rrjedhin shumë padrejtësi dhe vija e Partisë në përcaktimin e kulakut dhe në kufizimin e tij ekonomik nuk zbatohet si duhet”.
Por edhe pas kësaj letre nuk pati ndonjë përmirësim. Luftën e klasave në qytet në radhë të parë, sekretari i parë e kishte harruar. Ai kishte harruar se në qytetin e Durrësit ka një borgjezi tregtare të rafinuar, se agjentura e jashtme italiane, jugosllave e gjithëlloj agjenturash të tjera punojnë në Durrës, që është porti më i madh i vendit tonë. Ja se si është shprehur vetë ai për këtë çështje: “Kam nënvleftësuar punën e armikut. Unë si armiq kam njohur kryesisht kriminelët e arratisur dhe kam harruar të vlerësoj punën e borgjezisë tregtare, e cila kishte pasur baza në qytetin tone”. Por a mund t’i lejohej një sekretari të parë komiteti partie të harronte luftën e klasave dhe të mendonte në këtë mënyrë? Kjo nuk i lejohet asnjë qytetari të thjeshtë të Republikës sonë Popullore e jo një sekretari të parë komiteti partie. Në letrën e shokut Enver Hoxha “Mbi mungesë vigjilence të theksuar në organizatën bazë të Partisë në NBSH ‘8 Nëntori’ Sukth”, drejtuar rrethit të Durrësit, porositej ish-udhëheqja e komitetit të Partisë në këtë mënyrë: “Duhet të keni parasysh se vendi ynë është gjeografikisht i rrethuar nga armiq të betuar të socializmit e të popullit tonë. Në periudhën e kalimit për në socializëm, në të cilën ndodhet vendi ynë, lufta e klasave nuk zbutet. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm nuk do ta zbutin luftën e tyre kundër pushtetit popullor dhe popullit tonë, por do t’i shumëfishojnë përpjekjet e tyre për të sabotuar ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Prandaj ka qenë dhe është gjithnjë e domosdoshme që çështjen e forcimit të vigjilencës revolucionare, çështjen e ruajtjes së fitoreve të popullit dhe të Partisë sonë ta bëni detyrë kryesore të të gjithë komunistëve dhe të të gjitha masave punonjëse”. Por ata, si para kësaj letre dhe derisa u hoqën nga udhëheqja, punuan jo për forcimin e vigjilencës revolucionare, por për shuarjen e saj në organizatën e Partisë dhe në masat punonjëse të rrethit të Durrësit është vepruar në kundërshtim me udhëzimet e Komitetit Qendror për zgjedhjen dhe vendosjen e kuadrit. Në aparatin e Partisë, të pushtetit dhe të sektorëve ekonomikë janë përkrahur elementë armiq dhe të padëshirueshëm dhe janë goditur elementë të shëndoshë të Partisë. Gjithashtu në sektorët ideologjikë ka pasur mungesë të theksuar vigjilence. Në vetë aparatin e komitetit të Partisë kanë punuar elementë të papërshtatshëm. Që nga viti 1950 deri në dhjetor të vitit 1952, në aparatin e komitetit të Partisë, ka punuar si instruktor i seksionit të industrisë një element me qëndrim jo të mirë. N.B. mbi qëndrimin e këtij elementi informohet qysh më 1950 nga një anëtar i byrosë së Komitetit të Partisë të Kolonjës. Më 1951 Komiteti i Partisë i Kolonjës informon zyrtarisht Komitetin e Partisë të Durrësit mbi këtë element ku në mes të tjerave i thotë: “Për sa i përket qëndrimit para dhe pas lufte nuk ka qenë i mirë; kanë simpatizuar ‘Ballin Kombëtar’ dhe e kanë ndihmuar. Ky vetë është mobilizuar në dhjetor 1944 në rreshtat partizane. Familja e tij sot është cilësuar kulak. Jemi të mendimit që ky të mos qëndrojë në punë pranë atij komiteti”. Në janar 1952, N.B. merr një letër pa firmë që e informonte po për këtë çështje dhe në korrik 1952 i ngarkuari për vërtetimin e dokumentave të këtij personi, i jep gjithashtu të njëjtat të dhëna. Por ky element, bir kulaku, largohet nga aparati i komitetit të Partisë vetëm në dhjetor 1952 kur i shkruhet zyrtarisht nga Drejtoria e organizimit e Komitetit Qendror të Partisë. Po kështu ka pasur edhe raste të tjera flagrante. Në aparatin e komitetit ekzekutiv dhe në ndërmarrjet e ndryshme janë vendosur elementë armiq e të padëshirueshëm. Organizata bazë e NISH-Cigares dhe drejtoria e kësaj ndërmarrjeje kishin vendosur pushimin nga puna të P.B., i cili ka kryer universitetin e Papës në Romë dhe ka vëllanë të arratisur. Mirëpo N.B. i thotë sekretarit të organizatës, kur ky ngulte këmbë që ai element të pushohej nga puna: “Mos e pushoni, pasi ndihmon në aktivitetet kulturale”. Pra që nga ish-sekretari i parë i komitetit të Partisë, jepej toni i qëndrimit kundrejt armikut të klasës dhe elementit të padëshirueshëm. Për vërtetimin dhe ndërrimin e dokumentave ishin ngarkuar elementë me biografi jo të pastër e të papërshtatshëm. Ja një rast tipik: Ishte shkarkuar si verifikues një shok shumë i mirë, sekretar organizate bazë, me të kaluar shumë të mirë të tij dhe të familjes së tij dhe ishte ngarkuar një anëtar partie i vitit 1952, që ishte hequr nga Dega e Punëve të Brendshme, si element papërshtatshëm. Edhe për sa i përket armës së dashur dhe besnike të Partisë dhe të popullit, Armës së Sigurimit, ish-udhëheqja e Partisë e rrethit të Durrësit ka treguar moskokëçarje për të dhe bile e ka nënvleftësuar. Një nënvleftësim i tillë i Armës së Sigurimit nga ish-udhëheqja e komitetit të Partisë të Durrësit, bënte që në vend që të forcohej lufta e Partisë dhe e popullit kundër armikut të klasës, përkundrazi të dobësohej. Shoku Enver, në raportin e tij para Kongresit I-rë të Partisë, ka thënë: “Sigurimi i Shtetit është arma e mprehtë dhe e dashur e Partisë sonë sepse ajo mbron interesat e popullit dhe të shtetit tonë socialist kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Si e tillë, pra, çdo anëtar i Partisë duhet ta dojë dhe ta ndihmojë Armën e Sigurimit dhe populli ynë gjithashtu duhet ta dojë dhe ta mbrojë këtë armë, pse mbron interesat vitale të tij”. Pra nga sa thamë më lart del e qartë se në drejtimin e luftës së klasave në fshat dhe në qytet ish-udhëheqja e komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit, në vend që të forconte çdo ditë e më tepër vigjilencën revolucionare në Parti dhe në masat punonjëse, ka punuar për ta shuar këtë vigjilencë dhe i ka lehtësuar rrugën armikut të klasës për të na dëmtuar më tepër.
Për drejtimin e organizatës së Partisë. Puna e ish-udhëheqjes së Komitetit të Partisë të Durrësit në drejtimin e organizatës së Partisë është karakterizuar nga këto akte të palejueshme: shkelje të udhëheqjes kolegjiale, mbytje të kritikës dhe të autokritikës, sidomos të kritikës nga poshtë, dobësim të disiplinës së Partisë, paralizim të aparatit të komitetit të Partisë dhe nënvleftsim të organizatës bazë të Partisë. Dihet se udhëheqja kolegjiale është metoda e vetme e drejtimit në Partinë tonë, por N.B. me shokë e kishte shkelur me të dy këmbët këtë parim bazë të Partisë sonë. Byroja e komitetit të Partisë ishte vënë në pozita të theksuara familjariteti dhe në udhëheqje ishte krijuar një grup njerëzish të privilegjuar. Komprometimi reciprok ndërmjet pjesëtarëve të grupit ishte bërë fare i dukshëm. Ish-anëtari i byrosë së komitetit të Partisë shoku I.SH. e shpreh këtë me këto fjalë: “Unë nuk e kritikoja N.B., sepse për vete e kisha në rregull me të dhe po ta kritikoja, do të dilnin dobësitë e mia”.
Bile N.B. e kishte vënë veten mbi byronë e komitetit të Partisë, siç ka thënë vetë, “se unë i zgjidh më mirë problemet”. Kështu për çështje shumë të rëndësishme nuk kanë qenë në dijeni gjithë shokët e byrosë të komitetit të Partisë dhe disa herë çështje që i takonin byrosë së komitetit, vendoseshin jashtë saj nga sekretarët. Plenumi i komitetit të Partisë ishte nënvleftësuar fare, bile N.B. kishte arritur të mbante një qëndrim aq përçmues kundrejt tij saqë në një rast flagrant, në kundërshtim me vendimin e komitetit të Partisë (janar 1953), lidhur me ngjarjen e Sukthit, që i jepte N.B. vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, ai heq nga ky vendim masën e marrur nga plenumi kundrejt tij dhe për këtë nuk vihen në dijeni as aktivi i Partisë dhe as organizatat bazë. N.B. dhe shokët e tij shtypnin kritikën nga poshtë, mbytnin zërin e masës së Partisë dhe të punonjësve. “Unë, ka thënë N.B., e quaja veten më pak të gabueshëm se të tjerët dhe nuk i vlerësoja vërejtjet dhe kritikat”.

Tipik është në këtë rast qëndrimi i N.B. dhe i ish-sekretarëve të tjerë të komitetit të Partisë kundrejt shokut Abaz Kondo, komunist nga të parët në rrethin e Durrësit, i cili ka kritikuar vazhdimisht me kurajë N.B. me shokë për oportunizëm kundrejt elementëve armiq. Për këtë qëndrim të drejtë partie të shokut Abaz Kondo, ish-sekretarët e kanë persekutuar duke e pushuar nga puna, bile ata arritën derisa ta përjashtonin nga Partia gjoja se “kërkon t’i ulë autoritetin udhëheqjes”. Vetëm ndërhyrja e shokut Enver Hoxha i ndaloi ata ta realizonin këtë masë. N.B. dhe shokët e tij zbatonin dy disiplina në Parti, një për udhëheqësit dhe grupin nga njëra anë, dhe një për anëtarët e thjeshtë dhe ata që i kritikonin nga ana tjetër. Aparati i komitetit të Partisë nuk drejtohej mirë dhe nuk tregohej kujdes nga ish-sekretarët për edukimin e tij. Seminaret nuk bëheshin në rregull, instruktorët nuk ishin ndihmuar dhe kontrolluar për punën që bënin në bazë, kishte butësi dhe mos kërkim llogarie, mungesë të theksuar disipline dhe lëshime të shumta. Organizatat bazë ishin nënvleftësuar.

Byroja e komitetit të Partisë dhe sidomos tre ish-sekretarët nuk e njihnin mirë jetën e Partisë dhe të organizatave bazë dhe kanë mbajtur lidhje të dobëta si me bazën e Partisë, ashtu edhe me masat punonjëse. Sekretari i parë dhe ish-sekretarët e tjerë asnjëherë nuk kishin vajtur në Uzinën e pambukut në Rrogozhinë etj. Sipas Statutit të Partisë, në bazë të centralizmit demokratik, parimit themelor të ndërtimit të Partisë, vendimet e organeve më të larta të Partisë janë të detyrueshme për organet më të ulëta. Por faktet tregojnë se ish-udhëheqja e Komitetit të Partisë e rrethit të Durrësit e ka thyer këtë parim themelor të ndërtimit të Partisë, duke mos pranuar me ndërgjegje direktivat e Komitetit Qendror të PPSH dhe duke mos i vënë ato në jetë. N.B. dhe shokët e tij nuk zbatonin direktivat e Komitetit Qendror dhe ndihmën e tij e nënvleftsonin. Letra e shokut Enver Hoxha “Të zbatojmë drejt politikën e Partisë në cilësimin e kulakëve në fshat”, drejtuar rrethit të Durrësit, nuk punohet në plenumin e komitetit të Partisë dhe nuk mbahet aspak parasysh letra e shokut Enver Hoxha “Mbi mungesë vigjilence të theksuar në organizatën bazë të Partisë në NBSH ‘8 Nëntori’ Sukth”, drejtuar rrethit të Durrësit, e cila punohet në organizatën bazë të fermës së Sukthit vetëm pas 4 muajsh. Kështu është vepruar dhe për vendime e udhëzime të tjera të Komitetit Qendror.

Për ndihmën që u jepej nga Komiteti Qendror nëpërmjet instruktorëve të aparatit të tij, N.B. ka shfaqur pikëpamjen që “nga lart po vijnë për të na kapur, prandaj të mbrohemi”. Kjo punë e dëmshme ka bërë që rrethi i Durrësit të paraqitet nga rrethet më të prapambetura në realizimin e planeve ekonomike në qendrat industriale dhe sidomos në fshat. N.B. dhe shokët e tij nuk kishin besim në realizimin e planeve ekonomike dhe këtë frymë kapitullimi dhe çmobilizimi ishin munduar ta futnin dhe në organizatat bazë. Për sa i përket mosrealizimit të planit në qendrat e prodhimit në qytet, justifikoheshin “për mungesë të mosplotësimit të materialeve nga dikasteret” dhe për sa i përket mosrealizimit të planeve ekonomike në fshat me “thatësirën”. Këtë frymë çmobilizimi e kishin çuar deri poshtë. Për këtë situatë të krijuar mban përgjegjësi ish-byroja e komitetit të Partisë dhe kryesisht N.B. dhe S.B. Autokritika e këtyre të dyve ka qenë sa për sy e faqe, sa për të shkuar radhën.

Prandaj Byroja Politike e Komitetit Qendror arriti në konkluzion që elementë të tillë nuk mund të qëndrojnë në radhët e Partisë dhe vendosi përjashtimin e tyre nga Partial dhe komunikimin e kësaj mase gjithë Partisë. Nga ana tjetër Byroja Politike aprovoi masën e marrur ndaj shokut E.K., vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, shkarkimin nga detyra që ka sot. Byroja Politike e Komitetit Qendror vendosi këtë masë për të diferencuar veprimtarinë e dy të parëve me të shokut E.K., faji i të cilit nuk është në atë nivel dhe se ai në plenumin e komitetit të Partisë dhe në konferencën e Partisë të rrethit të Durrësit, ashtu dhe në Byronë Politike të Komitetit Qendror ka bërë autokritikë më të mirë. Organizata e Partisë e rrethit të Durrësit duhet ta ndihmojë Komitetin Qendror për ta sqaruar deri në fund këtë situatë, dhe ajo, megjithëse e goditur dy herë me radhë pas çlirimit, në vitin 1946 nga grupi trockist-fraksionist i Hysen Ballhysës me shokë dhe nga puna e dëmshme e tanishme, ka vitalitetin e duhur dhe është në gjendje ta normalizojë gjendjen. Byroja Politike e Komitetit Qendror i shtron komitetit të ri të Partisë dhe gjithë organizatave bazë të rrethit të Durrësit të kenë parasysh këto detyra të rëndësishme:

Komiteti i ri i Partisë duhet të bëjë plotësisht të ndërgjegjshme gjithë organizatën e Partisë të rrethit për vlerësimin e drejtë dhe konsekuencat e veprimtarisë së dëmshme të ish-udhëheqjes së komitetit të Partisë, e cila ka lënë rrënjë në organizatën e Partisë. Prandaj komiteti i Partisë ta shkundë organizatën e Partisë dhe të luftojë pa mëshirë të gjitha dobësitë që janë vërtetuar duke vendosur centralizmin demokratik, rregullin dhe disiplinën në Parti, duke forcuar demokracinë e brendshme të Partisë, kolegjialitetin në udhëheqje, duke forcuar çdo ditë e më tepër vigjilencën revolucionare, disiplinën shtetërore dhe duke dëgjuar më shumë zërin e masës së Partisë. Të ruhen aparatet e Partisë, të shtetit dhe aparatet ekonomike nga elementi armik, të punohet më shumë për ngritjen e nivelit politik dhe ideologjik të Partisë për ta bërë të ndërgjegjshme organizatën e Partisë për këto rreziqe.
Të forcohen çdo ditë e më tepër lidhjet me masat punonjëse të qytetit e të fshatit. Në zgjidhjen e gjithë problemeve të Partisë dhe të pushtetit udhëheqja e re të mbështetet në masën e Partisë dhe të popullit, në klasën punëtore dhe në masat e tjera punonjëse të qytetit, në fshatarët e varfër dhe të mesëm dhe të bashkëpunojë ngushtë me Degën e Punëve të Brendshme duke e pasur atë një armë të fortë në duart e komitetit të Partisë dhe të komitetit ekzekutiv për luftimin e armiqve.
Byroja të punojë, sipas rregullave të Partisë, në mënyrë kolegjiale për çdo problem dhe në bazë të instruksioneve të Komitetit Qendror mbi mënyrën e pregatitjes së mbledhjeve, studimin dhe shqyrtimin e project-vendimeve në mbledhje dhe të organizohet puna më mirë që të përcaktohet drejt përgjegjësia personale. Byroja Politike e Komitetit Qendror ka bindje se organizata e Partisë e rrethit të Durrësit dhe udhëheqja e re i kanë të gjitha mundësitë ta ndreqin situatën. Kjo ngjarje të bëhet një mësim i madh për udhëheqjen e Partisë dhe për gjithë organizatën e Partisë të rrethit të Durrësit. Udhëheqja e re e Partisë, duke u mbështetur vendosmërisht në klasën punëtore dhe në fshatarësinë patriote të rrethit, duke u mbështetur vendosmërisht në të gjitha masat punonjëse të qytetit dhe të fshatit, nën udhëheqjen e komunistëve, të bëjë që rrethi i Durrësit të dalë nga gjendja e prapambetur dhe të vihet në radhën e rretheve të përparuara të Republikës. Nga kjo ngjarje të nxjerrin mësime gjithë organizatat e Partisë në terren dhe në ushtri. Në bazë të vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror kjo letër të punohet në plenumin e komitetit të Partisë dhe në të gjitha organizatat bazë të rrethit të Durrësit si dhe në plenumet e komiteteve të Partisë të të gjitha rretheve. /Memorie.al

Related Posts

Kategorite

BIoscalin