Shkrime

Në Rajonin tonë të shqyer, mbyllja e ‘Open Balkan’ nuk i zgjidh problemet

Nga Enver Bytyçi

E nisën si “Minishengen” në vjeshtën e vitit 2019. Pas pak më shumë se një viti ia ndërruan emrin sipas propozimit të Sandrit të Sorosit miliarder dhe e quajtën “Open Ballkan”, pra i vunë nofkën e “Open Society” të vetë miliarderit në fjalë. Dhe vjen një ditë e njëri prej dy themeluesve, njëkohësisht mbrojtësi më i zellshëm i kësaj iniciative serbo-ruse, pra Edi Rama, deklaron se “Ballkani i Hapur nuk ekziston më”!

Në Ohër, në Shkup, në Tiranë, madje dhe në Beograd, kryeministri i Shqipërisë kërcënonte Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për refuzimin që ata ia bënë Minishengenit dhe Open Balkan-it.

“Do të na lusni e ne nuk do t’ju pranojmë”! “Ju jeni kundër paqes dhe integrimeve”!  “Nuk kuptoj pse ju refuzoni, Ballkani i Hapur është për të gjithë”! “Do të izoloheni”! “Ne do të vazhdojmë edhe pa ju, kush të dojë le të vijë, kush mos të dojë le të rrijë në fatin e vet”! “Ballkani i Hapur është ideja më e shkëlqyer e të gjitha kohërave”!

Të gjitha këto i thoshte samit pas samiti kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Thoshte disa gjëra edhe presidenti i Serbisë dhe kryeministri maqedonas. Por ato çfarë thoshte Vuçiç e Zaev ishin shumë më pak se artikulimet e Ramës dhe shumë më të moderuara se dhëmb-kërcitjet e kryeministrit të Shqipërisë. Në fund ‘Open Ballkan’ u mbyll! Dhe në këtë Ballkanin e shyer për shkak të politikave të dominimit serb në rajon, nuk mund të rezistonte një nismë si kjo. Aq më tepër se Procesi i Berlinit ishte dhe mbeti një iniciativë e njëjtë me iniciativën Rama-Vuçiç-Zaev e njëkohësisht shumë më solide.

Edi Rama në deklarimin e tij për mbylljen e Ballkanit të Hapur tha se ai e kreu misionin e vet. Se pse u investua kaq shumë kapital politik e më pak kapital financiar për këtë iniciativë serbe, askush nuk e mori vesh!

Për ta mbyllur pas pak më shumë se tri vitesh?! Për ta zhbërë si më shkop magjik, madje siç duket pa u konsultuar as me partnerët themelues?! Kështu ndodh vetëm me autokratët. Vetë themelimi i Minishengenit apo Open Balkan ishte iniciativë autokratësh. Pa rregulla, pa statut, pa marrëveshje, pa traktat, pa një dokument ku të përcaktoheshin mënyrat e sjelljes. Open Balkan-i ishte nën nivelin juridik të një OJQ-je. Prandaj u themelua nga tre liderë autortarë ballkanikë dhe u mbyll nga njëri prej tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

Pse ndodhi kjo? Sepse Ballkani vazhdon të jetë një zonë europiane e shqyer, ku më i forti përpiqet ta shqyejë më të dobëtin! Ku agresori bën rolin e viktimës dhe viktima akuzohet për agresion! Ku arroganca fiton qytetarinë dhe qytetaria lihet në skutat e harresës! Ku mafia bashkëpunon me ndërkombëtarët dhe të pakorruptuarit konsiderohen destabilizues! Ku lobimi vlen më shumë se parimi dhe e drejta! Ku forca shitet për moral! Ku arsyeja konsiderohet naivitet! Ku logjika ka humbur sensin e saj! Ku drejtësia nuk shkon as deri te koncepti që shprehte para 4000 vitesh Kodi i Hamurabit! Prandaj dhe papritmas del një njeri i gjatë dhe i thotë të gjatit tjetër në Beograd, se “Ballkani i Hapur u mbyll”! Thotë edhe se “misioni i tij përfundoi”! Ndërkohë askush nuk e di se cili ishte ky mision!

Arroganca është tipari kryesor i kësaj iniciative dhe me arrogancë ajo u shua si të mos kish qenë kurrë e vërtetë! Ndërkohë arrogantët vazhdojnë të triblojnë në politikë si xhonglerë me bekimin e disa udhëheqësve, politikanëve dhe diplomatëve të vendeve më demokratike të botës. Aq sa të venë në diskutim e në dyshim sistemin e vlerave që demokracia bart. Ndoshta kjo është pasoja më e tmerrshme që popujt e Ballkanit po përjetojnë në këto kohë të mbrapshta.

Arroganca e autokratëve kleptokratë të Ballkanit, sidomos në Serbi e në Shqipëri është burimi I të gjitha konflikteve në rajon. E si për fatkeqësinë e këtyre popujve, janë pikërisht këta autokratë që përkrahen dhe mbështeten nga ata që kanë bërë emër si liderë me pikëpamje demokratike e humane në Europë e në SHBA, e sidomos nga “Open Society” e Sorosit!

Ishte Kosova ajo që i qëndroi fort tundimit dhe presionit për të mos u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur! Prandaj dhe kjo vepër anti-shqiptare e Vuçiç-Rama-Zaev dështoi. Ishte politika shqiptare në Shqipëri e në rajon e përçarë rreth kësaj ideje. Prandaj dhe Edi Rama nuk mund ta vazhdonte më tej marrëzinë e tij të bashkëpunimit në këtë iniciativë me Serbinë. Ishte presioni i kancelarit, Olaf Scholz, që e zhbëri Open Balkan-in e famshëm të panaireve të verës. Sepse ajo iniciativë vinte edhe në kundrshtim me Procesin e Berlinit.

Megjithatë Ballkani edhe pas kësaj vazhdon të mbetet një Ballkan i njëjtë, në të cilin ambiciet e Serbisë për hegjemoni e territore bëhen gjithnjë e më kërcënuese. Megjithatë mbyllja e Open Balkan nuk i zgjidh problemet e Ballkanit të shqyer!

 

 

TRENDING

Exit mobile version