Politike

Në Shqipëri nuk kanë ndodhur krime lufte, sikurse pretendohet

Z. Balla ju keni paralajmëruar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, përsa i përket burgjeve të UÇK-së në veri të vendit. Cili është synimi i këtij Komisioni dhe çfarë ka në objekt?

 

Ne jemi duke vlerësuar kuadrin kushtetues dhe atë ligjor në instrumentet që ka Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të një procesi kuvendor në kuadër të një Komisioni të Posaçëm për të verifikuar disa prej çështjeve që lidhen me Shqipërinë në raportin që ka bashkë-shoqëruar rezolutën e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës me hartues z. Dick Marty.

Siç edhe ju e keni publikuar, delegacioni shqiptar në Asamblenë Kombëtare të Këshillit të Europës, ka qenë i ndarë në pozicionet e veta. Përfaqësuesi i mazhorancës së asaj kohe, pas komunikimeve edhe me Ministrinë e Jashtme, ka mbajtur qëndrimin për të votuar Pro raportit. Opozita socialiste e asaj kohe ka votuar kundër.

Në atë raport referohen edhe ngjarje apo vepra penale, të cilat sipas raportit kanë ndodhur në Shqipëri. Pas atij momenti në Shqipëri janë bërë verifikime nga EULEX – i apo institucione të tjera, të cilat kanë ushtruar aktivitetin e tyre në Kosovë. Duhet të kujtojmë se verifikime janë bërë edhe nga institucionet hetimore shqiptare.

Të gjitha këto duhet të përfshihen në një raport përfundimtar. Është në dinjitetin institucional të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe dinjitetin e Shqipërisë sonë të përbashkët që në këtë kontekst të gjitha këto gjetje të raportohen. Çdo lloj dëshmie hedh poshtë dyshimet, sepse prova nuk ka, që në Shqipëri, Kukës, Has apo Mat të jenë kryer, sikurse pretendohet, krime kundër njerëzimit apo krime lufte.

Shqipëria është një shtet ligjor që ka detyrimin të verifikojë çdo dëshmi.

Pasi ta kemi kolauduar të gjithë procesin juridik, Kuvendi do të shprehet dhe më pas i takon Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës, që në vijim të atij raporti dhe asaj rezolute, të rivlerësojë vlerësimet që lidhen me Shqipërinë.

Kemi hulumtuar edhe procedurat që ka Asambleja Kombëtare e Këshillit të Europës dhe mendojmë se do të gjejmë instrumentin e duhur që këto çështje që lidhen me Shqipërinë të qartësohen. Askush nuk duhet të marrë përsipër të hartojë raporte apo të japë vlerësime për krime, që gjoja mund të kenë ndodhur në Shqipëri, të cilat janë më shumë arsyetime hipotetike për nevoja të caktuara të politikës së ditës në një vend apo një tjetër.

Shqipëria ka qenë një vend pritës i më shumë se një milion shqiptarëve të shpërngulur. Vëllezër e motra shqiptare janë detyruar të shpërngulen nga gjenocidi serb.

 

Në Shqipëri nuk kanë ndodhur krime lufte, sikurse pretendohet në atë raport apo akt-akuza të ngritura nga institucione, të cilat duhet të ishin institucione të së drejtës në Kosovë, por që kanë marrë një status tjetër.

 

Z. Balla, a po bëni edhe ju politikë në këtë çështje duke akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha? A po e ngrini këtë Komision Hetimor pikërisht për z. Basha? A do të jetë i ftuar në këtë Komision z. Basha apo njerëz të tjerë, të cilët kanë kryer hetime në kohën që ju thoni?

 

Lulzim Basha dhe Sali Berisha së pari duhet të  kërkojnë falje që kanë votuar atë raport monstruoz kundër luftës çlirimtare të Kosovës. Partia Demokratike e Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim. Mendoj se Lulzim Basha duhet të ndahet nga Sali Berisha, të paktën për këtë çështje, nëse ka këllqe ta bëjë.

Vota e Partisë Demokratike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës Pro raportit të Dick Marty është një tradhti e rëndë kombëtare.

 

Partia Demokratike ishte Pro raportit apo Pro hetimit?

 

Pro raportit që ka kërkuar hetimin. Sa për hetimin, shqiptarët kurrë nuk kanë kryer krime lufte, sepse kurrë nuk kemi kryer luftë pushtuese. Edhe Kuvendi i Shqipërisë e ka mbështetur hetimin. Ju kujtoj që në vitin 2012 kemi votuar në Kuvendin e Shqipërisë, për ti dhënë mundësinë këtyre institucioneve të vijnë të hetojnë.

Ajo që unë kam publikuar dje dhe që përfshin Lulzim Bashën është një fakt i bërë publik prej shumë vitesh në mediat kosovare, ku një prej dëshmitarëve të mirënjohur dhe pranuar nga komuniteti i nderuar i Krushës, z. Milaim Bellanica, deklaron se poseduesi i të vetmes kasetë të krimeve të Krushës, ia ka dorëzuar kasetën përfaqësuesit të UMNIK-ut, z. Lulzim Basha. Këtë gjë nuk e them unë, por e thotë zotëria në fjalë, i cili për fat të mirë ka mbijetuar nga masakra e Krushës. Ju mediat madje mund ta intervistoni.

Që Lulzim Basha ka punuar në zyrën e hetimeve të krimeve të UÇK-së kjo nuk ka dyshim. Mund të intervistoni vetë komandantët apo ushtarakë të UÇK-së, të cilët mund t’ua konfirmojnë.

Ajo që po ju them unë është se Partia Demokratike, ndjesën ndaj UÇK-së dhe historisë së luftës së UÇK-së, duhet ta kërkojë tek pozicioni që ka mbajtur në marrëdhënie me raportin e z. Dick Marty.

Lulzim Basha ka plot elementë për rolin që ka luajtur, të cilëve nuk u kthen ende përgjigje.

 

Z.Balla, në momentin që Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi kanë qenë në Hagë nuk kanë akuzuar Lulzim Bashën si frymëzues apo kontribues në akuzën ndaj tyre. Ata kanë akuzuar Serbinë. Pikërisht në këto momente Kryeministri Edi Rama, ka qenë duke firmosur një memorandum bashkëpunimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ju që i dilni në krah luftëtarëve të UÇK-së dhe udhëheqësve të UÇK-së mendoni se për ti mbrojtur ata është firmosja e mini-Shengenit me Serbinë?

 

E para, këto çështje nuk lidhen me njëra-tjetrën, sepse kanë të paktën një diferencë kohore prej më shumë se 20 vitesh. Nuk ka asnjë dyshim që shovinizmi serb ka kryer krime lufte në Kosovë. Shovinizmi serb ka vrarë 10 mijë shqiptarë e shqiptare të pafajshëm, ka përdhunuar 20 mijë gra e vajza të pafajshme dhe ka shpërngulur nga trojet shqiptare gjatë luftës në Kosovë më shumë se 1 milion shqiptarë e shqiptare.

Ju lutem mos pretendoni se ka ndonjë mini-qasje nga ana jonë për të politizuar këtë çështje.

Ajo që unë po them ka të bëjë me rolin që ka Shqipëria në këtë proces.

I them Sali Berishës publikisht se, turpi i mbrëmshëm në një prej televizioneve kosovare duke vazhduar të sulmojë Hashim Thaçin, teksa ky i fundit përballet me akuza të paqena, çdo shqiptar e shqiptare di ta dallojë mirë se kush është tradhtari në këtë mes. Historia është gjykatësi më i mirë i tradhtisë.

Ajo që unë po ju them është se Lulzim Basha është një njohës i mirë i këtyre hetimeve, sepse ka punuar për institucionet që kanë hetuar.

Ai duhet të vihet vetë në dispozicion, për të zbardhur këto çështje.

 

Hetimet për Shtëpinë e Verdhë z. Balla. Nuk është më as në akt-akuzë. Çfarë doni të zbardhni?

 

Prisni dhe duroni. Kuvendi i Shqipërisë ka marrë një iniciativë të rëndësishme dhe të vonuar. Shpresoj që të gjejmë të gjithë instrumentat e duhur parlamentarë për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë e çdokujt.

Unë besoj e vlerësoj se ka mbetur paksa atdhetarizëm brenda Partisë Demokratike, prandaj duhet të kërkojnë falje për votën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

 

Z. Balla, përfundimet e këtij Komisioni Parlamentar a do ti shkojnë Gjykatës së Hagës?

 

Nuk është ky objekti i Komisionit. Ne jemi anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Pra, ne kemi një delegacion të përbërë nga deputetë të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

Pasi Komisioni të ketë bërë këtë vlerësim, padyshim që Shqipëria do ti kërkojë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që të rivlerësojë atë që ka thënë në vitin 2012.

Fatkeqësisht përfaqësuesit e mazhorancës së asaj kohe duhet të kishin luajtur një rol tjetër në bllokimin e një raporti dhe resolute, e cila flet për ngjarje që nuk kanë ndodhur në Shqipëri.

Nuk ka pasur ndonjëherë Shtëpi të Verdhë, sepse nuk ka pasur ndonjëherë klinikë transplantesh në Fushë – Krujë apo Mat.

 

Përse po e ngrini sot z. Balla këtë Komision? Mund ta kishit bërë prej shumë kohësh.

 

Ua thashë se duhet ta kishim bërë prej shumë kohësh. Më mirë vonë sesa kurrë, thotë populli shqiptar.

Ky është një proces që duhet bërë dhe do të bëhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version