Shkrime

Nëse jo, Thaçi sot do ishte mbret e padishah/ Tri vite në Speciale

Nga Enver Bytyçi

Janë bërë tri vite që kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij, për vrasjen e anëtarëve te Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas profesor Enver Bytyçi, Hashim Thaçi do të njihet si njeri që në Kosovë nxiti dhe inkurajoi korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Megjithatë si kryeministër dhe president i Kosovës, Thaçi njihet si lider, i cili nxiti dhe inkurajoi korrupsionin dhe paligjshmërinë, shpërblimet për përkrahësit e tij dhe diskriminimin e kundërshtarëve. Ai ishte arkitekt i përçarjeve në Lidhjen Demokratike, ndërkohë që liderët e kësaj partie besuan ose u korruptuan prej tij. Të gjitha aktet negative në shtetndërtimin e Kosovës, Hashim Thaçi i realizoi duke angazhuar më së shumti disa të keqpërdorur prej tij në LDK, si Isa Mustafën, Skënder Hysenin, Lutfi Hazirin e të tjerë” –  thotë Bytyçi, sipas të cilit Thaçi imitoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çka përfundoi edhe në prehrin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. “Gabimi më i madh i Hashimit ishte imitimi i metodave përçarëse dhe autoritariste të Rilindjes se Edi Ramës në Shqipëri dhe roli i vasalit ndaj tyre. Kjo e çoi atë te prehri i Akesandër Vuçiç. Punoi në tri vitet e fundit si president për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në funksion të përfitimit të territoreve nga ana e Serbisë”. – shkruan profesori Bytyçi, sipas të cilit, edhe sot Kosova po i vuan pasojat e Hashim Thaçit. “Të gjitha vendimmarrjet e zotit Thaçi si kryeministër e si president i Kosovës, i kanë krijuar kosto qeverisë së zotit Kurti. Kjo kosto është e dukshme në sistemin e drejtësisë, në krijimin e segmenteve të korruptuara në administratën publike dhe në bisedimet me Serbinë. Për shkak të gabimeve dhe në ndonjë rast fajeve të Thaçit, Kosova në gati tri vitet e fundit ka hasur shumë vështirësi për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për spastrimin e administratës nga të korruptuarit” – shprehet Bytyçi, duke shtuar se trashëgimia e Thaçit ka krijuar vështirësi shumë herë më të mëdha në dialogun me Beogradin. “Sidomos Marrëveshja e 19 prillit 2013 e nënshkruar prej tij me Ivica Daçiç dhe ajo e vitit 2015 për Asociacionin. Këto janë pasojat që Kosova po i vuan ende sot pas tri vitesh si hipotekë e ish-presidentit Thaçi. Dhe kjo duhet ë jetë mësim për çdo lider e politikan. Ata duhet të kuptojnë se përmes korrupsionit, hakmarrjes, përçarjes, vendimeve anti-shtetërore dhe anti-kushtetuese, e dëmtojnë vendin e tyre për një periudhë shumë më të gjatë sesa qëndrimi I tyre në pushtet” – ka shtuar profesor Bytyçi, duke theksua se nëse Thaçi do ishte ende në pushtet, Kosova sot do ishte pa pjesën veriore të saj dhe pa pasuritë e paçmueshme të këtij territori. “Nëse Thaçi do vazhdonte të ishte president ose kryeministër i Kosovës, ai do kishte fortifikuar oligarkinë financiare, politike e mediatike në Kosovë, në modelin e Edi Ramës në Shqipëri. Do ishte jo thjesht një president apo një kryeministër, por një padishah ose monark i Kosovës. Madje Hashim Thaçi do ta justifikonte më mirë se Edi Rama të qenit monark i vendit të tij. Në fund të fundit thoshte se “Unë bëra luftën, ndaj dhe unë jam njeriu i vetëm që marr vendime në emër të sovranit” – tha Bytyçi, duke treguar edhe se çfarë pret nga Gjykata Speciale, ku tashmë po zhvillohet gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.“Për të gjitha këto arsye unë kam qenë i lumtur që zoti Thaçi iku nga pushteti. Por të them të drejtën, nuk jam aq i lumtur për vuajtjet e tij në Hagë. Do të doja që drejtësia në Kosovë ta kishte bërë detyrën e saj si duhet dhe ndoshta në gjendje të lirë ta hetonte e gjykonte edhe Hashim Thaçin. Por dihet tashmë se Haga është produkt i dështimit të të bërit drejtësi nga gjykatat në territorin e Kosovës. Këto gjykata dhe prokuroria e Kosovës nuk mundën qoftë edhe një kriminel vrasës të aktivistëve të LDK-së ta identifikonin e ta dënonin. Nëse ndodh që në Hagë zbulohen dhe dënohen autorët e këtyre vrasjeve, atëherë unë do të them se ia ka vlejtë edhe arrestimi i Hashim Thaçit” – ka potencuar profesor, doktor Enver Bytyçi.

 

TRENDING

Exit mobile version