Kosova

Nëse Perëndimi s’ka plan B për Serbinë, atëherë jemi në prag të një konflikti serioz

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka komentuar takimet e ditës së enjte të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë e me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Vuçiç, po luan lojën e Rusisë në mes të Brukselit, të cilën ia kanë mundësuar vendet mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës si në BE ashtu edhe në NATO.

“Nëse vendet kyçe të perëndimit nuk kane plan B për Serbinë dhe vazhdojnë të tmerrohen nga ideja se ajo mund të bëhet Bjellorusia e dytë, atëherë jemi në prag të një konflikti serioz me pasoja të rënda”, ka shkruar Peci në platformën sociale,

Sipas ish ambasadorit, në këto momente vetëm SHBA-të me vendet e QUINT-in kanë kapacitet që t’i marrin frenat në dorë për të mos lejuar që situata të shkoj në drejtim të ferrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të prociesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme. Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre.

Ndërsa Vuçiç potencoi në një konferencë për media se e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas propozim-statutit që i është propozuar nga emisarët ndërkombëtarë më 21 tetor në Beograd.

Ai theksoi se Serbia është pro zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por ka shtuar se shteti i tij nuk mund ta njoh Kosovën si vend të pavarur dhe as nuk do ta pranojë anëtarësimin e saj në OKB.

Në anën tjetër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

TRENDING

Exit mobile version