Connect with us

Shkrime

Nga Baton Haxhiu – Zgjedhjet e zhveshën nga miti… Pse humbi populisti Albin Kurti? VIDEO

Published

on

Tregimi ndër shqiptarë se çdo çudi zgjat jo më shumë se tri ditë dhe pastaj kalohet në një tjetër ngjarje çuditëse, për ta harruar atë të para tri ditëve, duke dashur kështu të shpjegohet mbamendja kohëshkurtër, mund të mos jetë aq i vërtetë sa e ka edhe famën.

Në Kosovë qytetarët kanë treguar se mbajnë mend pak më shumë e pak më gjatë se vetëm tri ditë dhe këto zgjedhjet e fundit tregojnë se memoria e tyre punoi fort kur u afruan pranë kutive të votimit.

Historia tashmë mbi 20 vjeçare e demokracisë kosovare nuk kujton një tjetër rast kur një parti përgjysmohet në vetëm gjashtë muaj dhe dorëzon elektoratin për mbi 50 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje nga 50.28% me 14 shkurt, ka rënë në 25.7% me 17 tetor. Nga 438 mijë e 335 vota me 14 shkurt, ka rënë në 205 mijë e 804 vota. Si mund të humbasësh afër 250 mijë vota brenda gjashtë muajsh?

Arsyet janë të shumta, por adresa shpjeguese është një – Albin Kurti.

Studimet tregojnë se partitë populiste siç është Lëvizja Vetëvendosje kur vijnë në pushtet ndryshojnë shumë. Ato i largohen radikalitetit të opozitës dhe moderohen brenda strukturës shtetërore. Por, ndryshimi i Lëvizjes Vetëvendosje në kaq pak kohë nuk është moderim. Në fakt është tjetërsim.

Në vitin 2011, Albini në Parlamentin e Kosovës thoshte se dorëzimi i kufirit nën përkujdesjen e KFOR-it ishte heqje dorë nga pavarësia, kurse në vitin 2021 kërkoi negocim në Bruksel që kufiri t’i dorëzohet KFOR-it.

Në vitin 2011 negocimin për Veriun Kurti e konsideronte dorëzim. Po atë vit, ai doli në conference shtypi duke thënë se ai do negociata në Bruksel, por po refuzon Serbia.

Situata e fundit në Veri të Kosovës, e shkaktuar nga vetë Kurti, për hesapet e veta, e nxorri atë ashtu siç nuk e kishin menduar, sidomos mbështetësit e tij. Ai befasoi edhe veten me situatën e sikletshme në të cilën u gjend.

Kurti u frikësua dhe frika e tij u reflektua. Atë e tradhtoi qëndrimi dhe mimika, derisa vetë tradhtoi qëndrimet e dikurshme. “Shko në Bruksel dhe prano ç’të japin”, i kishte thënë Kurti Besnik Bislimit.

Populli i Kosovës me 14 shkurt në zgjedhjet e përgjithshme bëri një prerje radikale me tri partitë që udhëhiqnin Kosovën për 20 vjet. Albini pati mundësinë e rrallë të shpalos një plan konkret për sfidat të cilat e prisnin Kosovën në muajt e vitet në vijim. Një qeveri e udhëhequr nga VV dhe Albin Kurti nuk diti dot t’i adresonte ato, dhe nuk beri asgjë.

Asnjë plan konkret për dialogun, asnjë plan konkret për veriun e Kosovës, asnjë plan konkret për bashkimin kombëtar, asnjë plan konkret për mos kapjen e shtetit, që ka qenë slogani kryesor i VV gjatë gjithë kohës sa ka qene në opozitë, dhe në emër të të cilës ka udhëhequr protesta të dhunshme në mënyrë të vazhdueshme.

Në zgjedhjet e kaluara faktor i rëndësishëm ishte edhe Vjosa Osmani. Ajo formoi një Listë zgjedhore pak para zgjedhjeve, mori votat që deshi dhe më pas u zhduk në rolin e parëndësishëm të presidentes.

Në politikën e jashtme krejt çka është arritur, janë gabimet e Ministres Donika Gërvalla në statuset e saj të çoroditur. Për 20 vjet lëshuan kritika se si Kosova nuk di të bëjë politikë të jashtme dhe më pas gjithë përfaqësimi i Kosovës u la në dorë dy njerëzve: Bisnik Bislimit dhe Donika Gërvallës.

Ndërsa në anën tjetër, Albin Kurti pranoi simbolet e Kosovës, të cilat më pare nuk i njihte, tani rrezikon sigurinë e qytetarëve me intervenime në kohë fushate. Kthen frikën e luftës në Kosovë ku plagët janë të freskëta. Ktheu fuqinë e Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe rrezikoi shtetësinë e Kosovës, me kushtin qe ai të jetë Kryeministri i saj.

Mobilizimi i forcave ushtarake serbe, rritja e gjendjes së gatishmërisë në nivel luftarak, lëvizja drejt kufirit me Kosovën dhe pozicionimi i trupave ushtarake serbe në afërsi të kufirit, futja në përdorim e aviacionit luftarak serb si paralajmërim, janë gjëra që vetëm një javë më parë pakkush do t’i imagjinonte, lëre më t’i besonte.

Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, Ambasadori rus në Serbi, njeriu i afërt i Putinit në Beograd, përkrah ministrit serb të mbrojtjes, vizitoi trupat luftarake serbe të pozicionuara afër kufirit me Kosovën. Mesazhi i vizitës së tij nuk kishte nevojë për përkthyes! Dhe të mendosh se e gjithë kjo situate u krijua nga Kurti, i cili u detyrua me urgjencë për rikthim në dialog. Në dialogun që aq shumë e kritikonte.

Ai poshtëroi njësit speciale të Kosovës duke i tërhequr nga veriu dhe duke i shndërruar ato në polici të zakonshme dhe duke ia humbur fuqinë.

Dhe, njolloi si politikanët e së kaluarës së para luftës, njëri në veçanti, çështjen e veriut dhe serbëve të Kosovës e shndërroi nga një çështje politike dhe dialogun në çështje të luftës kundër krimit në veri.

Albini ka rrezikuar me dashje, vetëm për votat për të, sigurinë e qytetareve të Mitrovicës dhe Kosovës. Ai ktheu frikën e luftës dhe krejt çka Kosova kishte arritur në arenën ndërkombëtare për 20 vite i humbi për më pak se gjashtë muaj.

Nëse politikanët e pushtetit në Kosovë gabuan për 20 vjet, ardhja në pushtet e Kurtit tregoi se ai nga opozita mashtroi për 20 vjet. Dha një opsion politik, i cili nuk ekzistonte. Me narracione abstrakte krijoi një iluzion te populli se gjithçka është e thjesht, situata nuk është e komplikuar dhe ata po humbasin parajsën se nuk po e zgjedhin atë për të qeverisur.

Kurti nuk doli për t’i komentuar rezultatet zgjedhore si lider partie, por për më tepër nuk ka dalur as ta komentojë procesin zgjedhor, meqë i takon si kryeministër.

Pushteti e ka veshur Kurtin me fuqi, por e ka zhveshur nga miti që kishte krijuar për veten. Bashkë me të përfundon edhe epoka e politikanëve në Kosovë që duan pushtet për të ardhmen, duke thirrur të kaluarën. Nga 17 tetori jo më. E kaluara nuk shërben. Madje e kundërta.

 

Shkrime

BE, unanimiteti dhe strategjia e shantazhit

Published

on

By

Unanimiteti si formë vendimmarrje në Bashkimin Evropian duhet hequr, pasi kjo lejon një vend që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të mbajtur peng një vendim apo më keq akoma një vend tjetër. Ky ishte qëndrimi i fortë i Kryeministrit Rama pas dështimit të Këshillit Evropian në hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të një vetoja bullgare, për çështje dypalëshe me vendin fqinj. Por Rama nuk ka qenë i parë që e ka shprehur një mendim të tillë të qartë. Edhe brenda Bashkimit Evropian liderë të rëndësishëm mendojnë se kjo formë e marrjes së vendimeve duhet shmangur pasi ‘është një mundësi për shantazh’. Më poshtë analiza e botuar sot në corriere.it, shkrim i gazetareve Francesca Basso dhe Miklena Gabanelli, që tregon domosdoshmërinë që BE ta marrë këtë vendim të rëndësishëm dhe çfarë ndodh sot në vendimmarrjet e ‘Unionit’.

Shkrimi i plotë në Corriere.it

“Ne duhet të kapërcejmë ‘parimin e unanimitet’, i cili krijon një logjikë bërë nga veto të kryqëzuara, dhe të shkojmë drejt vendimeve të marra me shumicë të cilësuar. Një Evropë e aftë për të marrë vendime në kohën e duhur është më e besueshme para qytetarëve të saj dhe përballë botës”. Fjalët janë kryeministrit italian Mario Draghi, të thëna 3 majin e kaluar gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian, fjalë të cilat parashtrojnë qartë se cili është problemi i Bashkimit Evropian në marrjen e vendimeve.

Evropa nuk është një shtet federal, monedha e përbashkët është miratuar dhe përdoret nga vetëm 19 nga 27 vende, nuk ka Kushtetutë evropiane sepse në vitin 2005 qytetarët francezë dhe holandezë votuan kundër në një referendum. Bashkimi Evropian është një komunitet ligjor i bazuar në traktatet e negociuara nga shtetet anëtare, të cilat ia kanë lënë juridiksionin Brukselit, por jo në të njëjtën masë në të gjitha fushat.

Për çështjet që konsiderohen si më të ndjeshmet politikisht, të gjitha shtetet duhet të jenë dakord. Në praktikë, vendet janë të gatshme të dorëzojnë kompetencat, me kushtin që të kenë garancinë për të parandaluar miratimi e vendimeve që nuk u pëlqejnë. Megjithatë, unanimiteti ngadalëson procesin e vendimmarrjes së Unionit dhe ndonjëherë përdoret nga një shtet anëtar për të “shantazhuar” të tjerët.

Unanimiteti si shantazh
Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës u bllokua për javë të tëra nga Hungaria, e cila ushtroi të drejtën e vetos derisa mori një përjashtim nga embargoja ruse e naftës, sepse ajo nuk ka dalje në det dhe e ka më shumë të vështirë diversifikimin e furnizimeve të saj. Por më pas e riktheu veton për ta rihequr me kushtin se që Patriarku i Moskës Kirill të përjashtohej nga sanksionet.

Direktiva e BE-së që synon të garantojë një taksë minimale globale prej 15% për kompanitë shumëkombëshe (taksa minimale globale) u bllokua fillimisht nga vetoja e Polonisë, e cila më pas e hoqi, por tani e ka vendosur Hungaria. Megjithëse nuk ishte deklaruar zyrtarisht, Varshava e kishte ndërprerë direktivën për të marrë dritën jeshile për Fondin e Rimëkëmbjes nga Komisioni i BE-së. Hungaria gjithashtu vuri veton ndaj saj për të ushtruar të njëjtin presion. BE-ja prezantoi një mekanizëm për të lidhur fondet e BE-së me respektimin e sundimit të ligjit, dhe Hungaria dhe Polonia vendosën veton ndaj buxhetit të BE-së për 2021-2027 derisa morën garancinë që të mos zbatohej menjëherë. Në vitin 2020, Qiproja vonoi sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë për javë të tëra, e shqetësuar për provokimet e Turqisë, e cila kërkonte hidrokarbure në ujërat e Nikosias pa autorizim.

Kur vendoset unanimisht
Brenda Këshillit nevojitet unanimiteti kur merren vendime në këto fusha: politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (sanksione, deklarata politike, misione ushtarake); taksat (taksat e reja në nivel të BE-së, siç është taksa minimale për shumëkombëshet); sigurimi social ose mbrojtja sociale (të drejtat për t’u njohur në nivel të BE-së për të gjithë qytetarët evropianë); pranimi i shteteve të reja në Bashkimin Evropian (të 27 vendet duhej të miratonin statusin e kandidatit në Ukrainë); bashkëpunimin operativ policor ndërmjet shteteve anëtare. Në raste të tjera, Këshilli vendos me shumicë të cilësuar, të quajtur edhe “shumicë e dyfishtë”: 15 nga 27 vende duhet të jenë pro dhe të përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë totale të BE-së. Një abstenim konsiderohet votë kundër. Në vend të kësaj, pakica bllokuese duhet të përfshijë të paktën katër vende, të cilat përfaqësojnë mbi 35% të popullsisë së BE-së.

Çfarë thonë Traktatet
Traktatet aktuale parashikojnë tashmë mundësinë e procedimit me shumicë të cilësuar edhe në sektorët në të cilët duhet të merren vendime unanime, por për ta bërë këtë është e nevojshme që të 27 shtetet anëtare të bien dakord: këto janë “klauzolat kalimtare”. Domethënë, duhet unanimiteti për të mos zbatuar unanimitetin. Ndërsa ndryshimi i Traktateve rregullohet nga neni 48 i Traktatit të Lisbonës, i cili parashikon një procedurë të zakonshme dhe dy të thjeshtuara. Në të tre rastet, Këshilli Evropian në fund vepron në mënyrë unanime.

“Më lejoni të jem i qartë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të mbrojë këndvështrimin dhe interesin e tij kombëtar. Por, siç e kemi parë, gjithnjë e më shpesh vetoja përdoret si mjet pazari për çështje që nuk kanë asnjë lidhje me vendimin që duhet marrë”, është shprehur Draghi në fjalimin e tij.

Epo, pas një viti diskutimesh mes qytetarëve, institucioneve, shoqërisë civile dhe shoqatave përmes Konferencës për Ardhmërinë e Evropës, qytetarët po kërkojnë nga institucionet evropiane që të zbatohet parimi i unanimitet vetëm për hyrjen e një shteti të ri në BE, dhe modifikimin e parimeve themelore. Pjesa tjetër të bëhet me shumicë të cilësuar.

Vendimet e Parlamentit
Më 9 qershor, Parlamenti i Bashkimit Evropian miratoi një rezolutë që u bën thirrje udhëheqësve të BE-së të fillojnë procesin e ndryshimit të Traktateve. Në mënyrë të detajuar kërkesat janë këto:

1) Kalimi nga unanimiteti në votim me shumicë të cilësuar në fusha të tilla si sanksionet, të ashtuquajturat klauzola kalimtare (lejojnë modifikimin e Traktateve) dhe emergjencat;

2) Ndryshimi i kompetencave që ka BE-ja në fushën e shëndetësisë, energjisë, mbrojtjes, politikave sociale dhe ekonomike;

3) Njohja e iniciativës legjislative dhe të drejtat e plota të bashkëligjvënësit për buxhetin e BE-së në Parlamentin e BE-së;

4) Të forcojë procedurën për mbrojtjen e vlerave themeluese të Unionit dhe të qartësojë përkufizimin dhe pasojat e shkeljeve.

Tani topi i kalon Këshillit Evropian dhe janë krerët e shteteve dhe qeverive ata që vendosin nëse do të ngrenë një konventë ndërqeveritare për rishikimin e Traktateve. Vendimi merret me shumicë të thjeshtë, që do të thotë 15 nga 27 shtetet anëtare (por rezultatet e Konventës duhet të miratohen unanimisht). Dhe ky është problemi i parë sepse më 9 maj, pak pas mbylljes së Konferencës për Ardhmërinë e Evropës, 13 vende të BE-së – Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Suedia – paraqitën një dokument jozyrtar në të cilin shkruajnë se fillimi i një procesi modifikimi të Traktateve do të ishte “i pamatur dhe i parakohshëm” dhe do të rrezikonte “të çenergjizonte” sfidat urgjente gjeopolitike me të cilat duhet të përballet Evropa”. Gjashtë vende – Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Spanja – i kanë dorëzuar Komisionit një dokument në të cilin ata kërkojnë të ndajnë propozimet “të cilat mund të zbatohen shpejt në kuadrin ekzistues të traktatit” dhe “reformat institucionale afatgjata” dhe ata deklarohen “në parim të hapur ndaj nevojës për të bërë ndryshime në Traktatet e përcaktuara së bashku”.

Këshilli nuk është i pabalancuar
Këshilli Evropian në konkluzionet e tij në takimin e së enjtes dhe të premtes së kaluar “merr parasysh propozimet” dhe thekson se “një ndjekje efektive” që duhet të sigurohet nga institucionet, “secila brenda kompetencave të veta dhe në përputhje me Traktatet”, asgjë më shumë. Topi më pas kërcen në presidencën e ardhshme të Këshillit të BE-së, e cila në korrik do t’i kalojë Republikës Çeke dhe më pas Suedisë, të cilët nuk e kanë fshehur se nuk duan të prekin Traktatet. Është e vështirë të pritet përparim në këtë front. Por ka zgjidhje të tjera, duke filluar me bashkëpunimin e zgjeruar që tashmë parashikohet nga Traktatet (është përdorur për shembull për të krijuar Zyrën e Prokurorit Publik Evropian): ai lejon të paktën nëntë shtete anëtare të bashkëpunojnë në një fushë specifike nëse është evidente se Unioni me 27 vendet nuk është në gjendje të arrijë objektivat që i ka vënë vetes brenda një kohe të arsyeshme.

Pandemia dhe tani lufta në Ukrainë po tregojnë se përgjigjet për problemet e mëdha nuk vijnë nga shtetet individuale, por nga BE-ja në tërësi. Kur COVID shpërtheu, blerja e përbashkët e vaksinave doli të ishte një strategji fituese. Plani ‘maxi’ i ndihmës për gjeneratën e ardhshme të BE-së, i financuar për herë të parë me borxh të përbashkët, përfaqëson një pikë kthese në historinë e Bashkimit. Por për sa kohë mbizotëron një logjikë kombëtare, e mbrojtur fort me votim unanim, është e vështirë të përparohet.

Dhe pastaj janë vendet, të gatshme për të ecur përpara, të cilat duhet të gjejnë guximin për ta bërë këtë, duke u lënë atyre që kundërshtojnë (dhe e konsiderojnë BE-në vetëm një mjet për mbledhjen e fondeve) përgjegjësinë për t’u kthyer prapa.

Continue Reading

Shkrime

Kriptomonedhat, zhvillim apo manipulim e mashtrim

Published

on

By

Nga Anastas Angeli

Që në kohën kur monedhat dixhitale (kriptomonedhat) “dolën në dritë”, në vitin 2008, periudhë kjo që përkon me atë të krizës financiare të kësaj kohe e kur një person (apo grup personash) nën emrin anonim Satoshi Nakamato, publikuan një shkrim shkencor me titullin “BitcoinNjë sistem elektronik për shkëmbimin palë-më-palë të parasë”, bashkë me rreth 15 vitet që kaluan, ngjarjet dhe zhvillimet kanë qenë të shumta dhe të mëdha. Vetë kriptomonedhat pasuan njëra-tjetrën, nga Bitcoin te Litecoin, nga Ethereum në ZEC, nga DASH, në Monero, NEO etj. Bashkë me to edhe platformat dixhitale në funksion të tyre. Ato u bënë pjesë e sistemit të pagesave monetare dhe pse jo e investimeve në tregje. Kjo, ndërkohë që ekonomia globale dhe bota financiare u goditën gjatë kësaj periudhe nga tronditjet e krizës dhe recensionit ekonomik të shkaktuar nga Pandemia e Covid-19 dhe pasojat e kërcënimet e krizës energjetike dhe asaj ushqimore, inflacionit të lartë dhe rritjes “së çmendur të çmimeve”, rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe gjithë pasojat e tjera të kësaj lufte. Po ç’ndodhi me paranë elektronike, kriptomonedhat “Bitcoin” si babai i tyre?

KRIPTOMONEDHAT SI ZHVILLIM

15 vitet e jetës së kriptomonedhave janë shoqëruar jo vetëm me faktin e shndërrimit të tyre nga një ide në një realitet, duke u zhvilluar dhe krijuar platforma elektronike nga më të mëdhatë për tregtimin e këtyre kriptovalutave, por edhe me debate e dilema, teorike e praktike për to, rolin dhe të ardhmen e tyre. A janë ato një zhvillim apo mashtrim dhe spekulim?

Pa dyshim që nga pikëpamja e formës, mënyrës së përdorimit të monedhave dixhitale në transaksionet monetare përmes platformave elektronike, ato janë produkt dhe pjesë e zhvillimit të paimagjinueshëm të teknologjisë dixhitale, e cila tashmë është bërë pjese e gjithanshme e “jetës së re” të këtij shekulli. Cilat janë të rejat që solli lindja, zhvillimi dhe përdorimi i kriptomonedhave?

Nga pikëpamja monetare solli futjen në qarkullim, për efekt pagesash-transaksionesh dhe investimi, një monedhë të re, e cila synon të bëhet monedhë ndërkombëtare.

Por, siç është e njohur, zhvillimet kryesore të sistemit dhe monedhës ndërkombëtare janë të lidhura me krijimin e sistemit monetar ndërkombëtar, atij të Bretton Woods-it (1944). Ky ishte sistemi i parë i përdorur pas Luftës së Dytë Botërore, për të kontrolluar vlerën e parasë midis vendeve të ndryshme e që do të thoshte se çdo vend duhej të kishte një politikë monetare, që mbante kursin e këmbimit të monedhës së tij brenda një vlere fikse – plus ose minus një për qind – në terma të arit (at US$35 per troy ounce of fine gold, or 0.88867 gram fine gold per dollar). Por siç është e njohur, ishte presidenca Nixon që shkaktoi kolapsin e sistemit Bretton Woods, duke pezulluar zyrtarisht konvertueshmërinë e dollarit në ar më 15 gusht 1971 dhe mori vendimin e SHBA për të pezulluar konvertueshmërinë e arit. Kjo i dha fund një aspekti kyç të sistemit Bretton Woods. Pjesa e mbetur e sistemit, kunja e rregullueshme, u zhduk në mars 1973. (Një arsye kryesore për kolapsin e Bretton Woods ishte politika monetare inflacioniste që ishte e papërshtatshme për vendin e monedhës kryesore të sistemit). Edhe pse dollari amerikan vazhdon të jetë monedha më e fuqishme ndërkombëtare dhe mbas “shembjes” së këtij sistemi, lindja, futja në tregun monetar në vitin 1999 e monedhës së përbashkët europiane Euro për vendet e eurozonës përbënte zhvillimin historik në fushën monetare, në sistemin monetar ndërkombëtar. Dhe më pas, monedhat dixhitale pas vitit 2008 u konsideruan si një përpjekje madhore për t’u futur drejt një roli ndërkombëtar si monedhë (edhe pse janë ende shumë larg këtij synimi).

-Nga pikëpamja e zhvillimit të legjislacionit dhe akteve rregullative është ende në filizat e veta pasi janë të pakta vendet që kanë ndërmarrë akte ligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtyre monedhave, edhe pse shumë autoritete rregullatore apo Banka Qendrore kanë nxjerrë akte më tepër për ta kontrolluar dhe për të qenë vigjilentë ndaj kësaj risie sesa për ta motivuar atë.

Në këndvështrimin teknologjik, platformat dixhitale që perdoren janë zhvilluar e përsosur vazhdimisht dhe me shpejtësi, duke mundësuar lehtësimin e përdorimit të tyre në një kohë shume të shpejtë dhe shtimin e garancive të sigurisë së tyre.

-Njëhershmi, ky zhvillim i përdorimit të kriptomonedhave, jo vetëm që ndryshoi shumë kulturën, teknikat dhe mënyrën e punës në përdorimin e tyre, veçanërisht në transaksione, por progresoi kulturën financiare e monetare dhe pasuroi fjalorin, terminologjinë e botës monetare me atë teknologjikë të papërdorur më parë për përdoruesit dhe tregjet financiare, analistët e këtyre tregjeve dhe vetë ekonomistëve dhe financiarëve.

-Më në fund, një çështje e rëndësishme është se lindja e fenomenit të monedhave dixhitale dhe e krijimit të tregut të tyre shënoi një epokë të re në fushën monetare duke u shoqëruar (që po vazhdon dhe sot) me debate për këtë fenomen, të ardhmen e tij, çfarë roli dhe funksioni do të ketë në të ardhmen në krahasim me rolin dhe funksionet tashmë të konsoliduara dhe klasike të parasë. Dhe më tej:

-Ajo që përbën edhe thelbin e debatit, mbulimin në ar apo në ç’formë tjetër nga Bankat Qendrore të kësaj monedhe. Dhe nëse ky zhvillim do të shkojë drejt synimit të plotë të vet, për më tepër në kushtet e zhvillimeve globale post-Covid dhe të luftës në Ukrainë, për t’u shndërruar në monedhë ndërkombëtare. A do t’i duhet botës financiare t’i drejtohet një Bretton Woods-it të Ri? Po cili është realiteti?

Çfarë po ndodh?

JANE KRIPTOMONEDHAT NJE MANIPULIM APO MASHTRIM?

Kur investitorët e parë “nxituan” të investonin në kriptomonedha dhe filluan përdorimin e platformave dixhitale për transfertat e para të pagesave, duket se “u buzëqeshi fati”. Kështu që Bitcoin, “zemra” e kriptomonedhës, jetoi lulëzimin e vet me ulje-ngritjet e pritshme të tregut. Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe krizën që pason u shfaq ideja dhe u duk se kjo monedhë do të ishte edhe “shkopi magjik” i shpëtimit nga kriza ekonomike, financiare që po kërcënon ekonominë globale dhe inflacioni i lartë. Por zhgënjimi ishte i shpejtë. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por përkundrazi, tronditja e kriptomonedhave kryesore ishte shumë e fuqishme. Ky tërmet, rrethet e të cilit vazhdojnë e zgjerohen, tronditën thellë besimin e investitorëve humbjet e të cilëve po shkojnë në miliarda e miliarda dollarë dhe numri i të “viktimizuarve “nga ky fenomen po bëhet tronditës. Sipas njoftimeve të fundit, tronditjet e këtij tregu vazhdojnë dhe humbjet janë të mëdha. Por, si erdhi kjo situatë? Përse tashmë analistët e ekonomisë e vlerësojnë këtë situatë si tepër negative? Është kjo për vetë pikëpyetjet që kjo monedhë (kriptomonedhat) mbart që nga krijimi i tyre? Është kjo për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të gjigantëve multimiliarderë të kundërta për këto monedha dhe efektit psikologjik i saj? Apo lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike, ajo energjetike, e çmimeve dhe inflacioni i lartë dhe sasia e investimeve në këto monedha dixhitale nga investitorët e mëdhenj e të vegjël në këta sektorë te goditur nga kriza? Apo të gjitha së bashku? Le t’u referohemi disa informacioneve më të fundit:

Ndërsa lufta në Ukrainë nuk po ndalet dhe kërcënimi i krizës energjetike, recensionit ekonomik, rritjes së çmimeve dhe staglacionit vazhdon e rritet, njoftimet dhe nga tregjet e kriptovalutave janë negative dhe mjaft dëshpëruese.

-Dy ditë më parë njoftimet janë se një kolaps i Bitcoin-it kërcënon San Salvadorin, të parin shtet ku kjo monedhë u ligjërua dhe u fut ne përdorim.

-Një lajm tjetër tronditës vjen nga bota e monedhave dixhitale: Manipuluan çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale”: Elon Musk, SpaceX dhe Tesla paditet për 258 miliardë dollarë përvetësime në gjykatën federale me pretendimet se Musk “manipuloi” drejtpërdrejt çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale” të qëllimshme të kryer përmes “Twitter”. Padia pretendon se kriptomonedha- Dogecoin, që u lançua në vitin 2013, është një “ndërmarrje e paligjshme mashtrimi” e nxitur nga promovimi dhe manipulimi në “Twitter”.

-Këto lajme vijnë në një kohë që tronditja në tregjet e kriptomonedhave po shtohet, çka dëshmohet edhe nga fakti se Binance, platforma më e madhe në botë dixhitale për tregtimin e kriptovalutave, ndërpreu përkohësisht pagesat në Bitcoin dhe vlera e Bitcoin ka rënë për më shumë se 10 për qind, ose nën 24 mijë dollarë për copë, që është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020. Kjo tregon se kriptovalutën më të madhe e kanë goditur problemet makroekonomike, përfshirë edhe inflacionin e madh. Kështu, sipas analistëve, kjo tronditje vazhdon të thellohet me shpejtësi negativisht. Tashmë, çmimi i Bitcoin është ulur 28% nga një javë më parë dhe tani është -67% nga nivelet më të larta që nga nëntori, duke pësuar një rënie të madhe drejt nën 21 mijë dollarë. Kapitali i tregut është ulur në 430 miliardë dollarë dhe dominimi i tij është zvogëluar me 2% brenda një dite.

-Ndërkaq, vijnë edhe shpërthimet me deklarime të miliarderit Bill Gate, i cili e përshkruan fenomenin që po ndodh si “100 % të bazuar në budallallëkun më të madh teorik”

Ndërsa bilioneri Warren Buffett deklaroi se nuk do të ofrojë as 25 dollarë për gjithë sasinë e Bitcoin-it që qarkullon në botë. “Nëse ju më thoni, -theksoi ai,- që unë të bëhem zotërues i gjithë sasisë së Bitcoin-it që qarkullon në botë dhe ju ma ofroni atë për 25 dollarë, unë nuk do t’i blija ato, sepse çfarë mund të bëja me to? Në një mënyrë apo tjetrën do të më duhet t’jua shisja përsëri juve. Por me to ju nuk mund të bëni asgjë (ato s’kanë vlerë)”.

Pa dyshim që këto deklarime nuk janë thjesht kundërvënie ndaj Pronarit të “Amazon” (që këto kohë po anancon monedhën e vet dixhitale- Amazon) apo Elon Musk (tashmë i paditur për skemë mashtruese me kriptomonedha), por janë edhe një thirrje për “vigjilencë” për të gjithë investitorët, të mëdhenj e të vegjël, që kanë dhe po investojnë në tregun e kriptomonedhave. Dhe efekti psikologjik, pa dyshim, nuk mund të jetë i pakonsiderueshëm.

Kjo situatë dëshmon se dilemat dhe pikëpyetjet për të ardhmen e kriptomonedhave janë ende të pazgjidhura. Kush do të fitojë? Zhvillimi teknologjik i ndershëm apo manipulimi dhe mashtrimi? Le të presim dhe të shikojmë.

Continue Reading

Shkrime

Rama si Noli, nuk kupton nga politika reale

Published

on

By

Shpëtim Nazarko

Analisti Shpëtim Nazarko ka komentuar luidhur me samitin e Bashkimit Europian ku u ndal tek fjalimi i kryeministrit tonë për të cilin tha se Rama është shumë larg të të kuptuarit të politikave reale.

Ai tha se fjalimi i Ramës dëmton vendin tonë, ndërsa shtoi janë disa gjëra që si përcakton dot kryeministri por vetëm i zbaton ato.

Sipas tij, kur Rama të flasë për Bullgarinë apo Maqedoninë duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse ai që prish këtë aks prish më tepër sesa mendon kryeministri, pasi aksi Maqedoni- Bullgari- Shqipëri pengon interesat e fqinjëve.

“Bullgaria ka atë drejtë. Siç e gjykoj unë fjalimi i Ramës është një nga ato 4 fjalimet e spikatura të shtetit. Nqs heqim paralele është e ngjashme me fjalën e Fan Nolit në OKB. Mendoj se si fjalimi i Nolit dhe Ramës mund të quhet një fjalim i shënuar, por Rama si Noli janë shumë larg të kuptuarit të vendit të vet.

Konfliktet që kanë ndodhur atëherë po të kthehemi pas në kohë do shohësh se ato po ndodhin dhe tani dhe ajo që s’ka kuptuar Rama është se krijuesit e shtetit tonë austriakët janë krijuar dhe vetë për të penguar interesat tokësore të Rusisë të cilat përmes Maqedonisë, Shqipërisë kërkonin të pushtonin pjesën tjetër të botës, pra interesat kalojnë në Bullgarinë e djeshme dhe Shqipërinë e djeshme dhe të sotme.

Pra ky aks që nis nga Shqipëria dhe shkon në Bullgari është aksi më i rëndësishëm europian që pengon interesat e Rusisë për të vazhduar . kështu aleanca më e madhe do të ishte forcimi i aksit Shqipëri – Maqedoni- Bullgari që materializohet si Korridori i 8.

Mendoj se pavarësisht fjalimit elokuent të Ramës për mua është një dëm që i ka bërë vendit të tij. Mund ta duartrokas nëse do isha një njeri i palidhur me skemat por nisur nga interesat tona ndërkombëtare dhe besoj se e ka domosdoshmëri jetike që të mos prishte marrëdhëniet me Bullgarinë. Janë disa gjëra që si përcakton dot kryeministri por i zbaton ato.

Siç e perceptoj unë këtë problem, prishja e aksit Shqipëri Maqedoni- Bullgari si intereson vetëm Rusisë por edhe Europës sepse nëse do na ndihmonte realisht kjo rrugë pengon interesat tokësore të Rusisë ndaj ambicieve të veta. Kur Rama të flasë për Bullgarinë apo Maqedoninë duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse ai që prish këtë aks prish më tepër sesa mendon kryeministri, pasi aksi Maqedoni Bullgari Shqipëri pengon interesat e fqinjëve”, tha ai.

Sa i përket Ballkanit të Hapur Nazarko tha se ajo është një manovër që nuk të çon askund. Ai theksoi se kjo nismë është shumë herë më e vogël se sa mund të jetë krijimi i ‘Korridorit 8” sepse vetëm ky e bën vendin tonë partnere të denjë për Europën.

“Serbia ka një politikë të ngjashme me atë të Titos që kanë kancelaritë shtetërore të klasit të parë ndërsa ne përfytyrojmë. Mendo sikur vërtet të ndërtohet ‘korridori 8’ dhe në këtë aks armikun më të madh do të kemi Serbinë, Greqinë sepse pozicionet e tyre ngelen si zorrë qorre pas nesh. Në këtë sens besoj se Rama nuk po arrin të kuptojë se forma nuk pjell përmbajtje, por sqimë.

Ne duhet të kuptojmë se historia e Ballkanit të hapur është shumë herë më pak me aksin e korridorit të 8 sepse ndërtimi i saj e bën një nga fuqitë më të mëdha në rajon. Mendoj që historia e Ballkanit të hapur është një manovër dhe Ramës i duhet më shumë se çdo herë edhe për shkak të marrëdhënieve me Europën apo ekonominë, i duhet të ndërtojë kancelarinë e shtetit. Ti bësh presion Europës me Ballkanin e hapur për mua është qesharake” tha Nazarko.

Continue Reading

Shkrime

ANALIZË: Rënia e Dmitry Medvedev

Published

on

By

RUSI- Në verën e vitit 2010, presidenti i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, u nis në një turne në Silicon Valley, në kërkim të investitorëve dhe ideve sesi të modernizonte ekonominë e vendit të tij.

Presidenti i ri, i njohur për dashurinë e tij për teknologjinë, zhvilloi vizita në Google, Apple dhe Twitter në atë që bashkëthemeluesi i platformës së mediave sociale Biz Stone e përshkroi si “një nga ditët më të veçanta në historinë e Twitter-it”.

Pikërisht aty Medvedev shkroi postimin e tij të parë në Twitter. Këto ditë, Medvedev tenton të përdorë Twitter-in dhe platforma të tjera të mediave sociale për postime ‘të ndyra’ rreth zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, si dhe për të bërë kërcënime të fshehta për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe për të fshirë Ukrainën nga harta.

Në një postim në Telegram të hënën, ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i luten Rusisë që të rifillojë negociatat për kontrollin e armëve.

“Lërini të vrapojnë ose të zvarriten vetë dhe ta kërkojnë”, shkroi ai.

Pavarësisht se ka postuar në Twitter “Mad Libs” e tij luftarake në një sërë gjuhësh, audienca e Medvedevit ka shumë të ngjarë të jetë vendase.

“Ka shumë shqetësime në mesin e elitës, madje edhe midis atyre që konsiderohen të jenë nën mbrojtjen e Putin-it”, tha Mark Galeotti, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për prestigjiozen “Foreign Policy”, përcjell Albanian Post.

Në tetor të vitit të kaluar, pak para se Rusia të fillonte të ndërtonte praninë e saj të trupave përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, Medvedev botoi një ese në gazetën ruse Kommersant, e cila vlonte me teori konspirative dhe përbuzje për liderët e Ukrainës.

Në një pasazh të mbushur me ngjyrime antisemitike, ai akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është hebre, se ishte i lidhur me nazistët. Kërcënimet me zjarr dhe squfur janë bërë normë nga zyrtarët e lartë rusë dhe drejtuesit e televizionit shtetëror rus.

Zbritja e ish-presidentit në një tërbim mezi të kuptueshëm kundër makinës perëndimore pasqyron zhvendosjen më të gjerë të Rusisë nga fqinji i bezdisshëm në një kërcënim ekzistencial për Evropën – dhe ndoshta më keq.

“Është një nga intrigat më të mëdha të politikës aktuale të brendshme. Rusia ka ndryshuar. Dhe Medvedev duhet të tregojë se i përket kësaj Rusie”-tha Tatiana Stanovaya, një analiste politike ruse dhe themeluese e konsulencës R.Politik.

I përbuzur nga liberalët për gatishmërinë e tij për të kënaqur Putin-in dhe i parë me dyshim nga të fortët e shërbimeve të sigurisë ruse për hapat e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, Medvedev është bërë gjithnjë e më i izoluar vitet e fundit pasi aleatët e tij janë arrestuar ose dëbuar në mërgim.

“Medvedev është një nga figurat më të cenueshme në elitën politike ruse”,-tha Stanovaya.

Në një postim në Telegram këtë muaj, Medvedev u përpoq të trajtonte disa nga spekulimet rreth figurës së re të tij.

Marrë dhe përkthyer nga Foreing Policy.

Continue Reading

Shkrime

Evolucioni i fuqive të mëdha

Published

on

By

Nëse nënvlerësohen ndryshimet gjeopolitike që ndodhin sot në botë, evolucioni i fuqisë ushtarake, është një nga ndryshimet më të rëndësishme. Gjatë gjithë shekullit XX-të, fuqia ushtarake ishte një atribut i kombeve të mëdha. Makineritë dominonin në fushën e betejës, dhe prodhimi i këtyre makinerive, materialet që i furnizonin ato, por edhe mjetet që përdornin, kërkonin pasjen e fabrikave komplekse dhe sasi të mëdha lëndësh të para.

Nga ana tjetër, kjo kërkonte një numër të madh punëtorësh, strehimin dhe ushqimin e këtyre të fundit. Një ekonomi e kësaj shkalle duhej të prodhonte një numër të madh anijesh, avionësh, tankesh, dhe çdo lloj produkti tjetër që nevojitet në kohë lufte, edhe pse ato kërkonin një ekonomi funksionale jashtë ekonomisë së kohës së luftës, duke siguruar nevojat themelore të jetës, dhe në mënyrë ideale edhe ruajtjen e moralit kombëtar.

Fushat e betejës janë “vrimat e zeza” të konsumit. Çdo komb mund të ndërtojë një avion ose tank. Apo të dërgojë një njeri drejt vdekjes në front. Por historikisht luftërat janë fituar nga kombet që patën mundësi të ndërtonin një numër të madh avionësh dhe tankesh, dhe t`i zëvendësonin ato që ishin shkatërruar nga armiku.

Për të mos përmendur rimbushjen e fluksit të qëndrueshëm të ushtarëve të vdekur. Kombet e vogla nuk mund të përfshiheshin në luftë me intensitet të lartë, pasi mungonin burimet për ta bërë këtë. Prandaj përkufizimi i një fuqie të madhe, ishte ai i një vendi me një popullsi të madhe, me një sistem bujqësor që e ushqente atë, dhe me burime minerare që mund ta armatosnin.

Duke pasur parasysh numrin e vdekjeve dhe dëmeve që mund të shkaktonte armiku, çelësi i fuqisë ushtarake ishte madhësia e popullsisë dhe burimet e saj. Po ashtu ai duhet të ishte gjeografikisht i madh, me burime të shpërndara në mënyrë të tillë që një fitore e armikut në një rajon të mos nënkuptonte një fitore në të gjitha rajonet.

Ndërkohë, kombet e suksesshme në kohë lufte, kishin nevojë për një ekspertizë teknike. Avionët, anijet luftarake dhe tanket duhej të planifikoheshin dhe ndërtoheshin. Ndërsa modelet ekzistuese kishin nevojë për përmirësime të vazhdueshme në përgjigje të evolucioneve teknike që kishte arritur armiku.

Kjo do të thoshte se fuqitë e mëdha kishin një numër të madh teknikësh. Pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kishin potencialin të zhvillonin luftëra si fuqi të mëdha. (Më vonë iu bashkua Kina.) Para luftës, fuqitë më të vogla, si Gjermania, Britania e Madhe, Franca ose Japonia, mund të konsideroheshin gjithashtu fuqi të mëdha.

Por në fund, ato ose humbën ose morën pjesë në luftë në kuadrin e një një aleance. Vitet që pasuan sollën një evolucion të madh të teknologjisë luftarake. Dikur ishte e nevojshme të çohej një tank 40 tonësh mbi 3000 km larg për të shpërndarë 20 ose 25 kg eksploziv drejt pozicioneve armike.

Sulmi i parë bombardues britanik, ishte aq i pasaktë sa gjermanët nuk mund të kuptonin se cili ishte në fakt objektivi i tyre. Anijet nuk mund të shihnin më larg sesa horizonti, ku mund të fshihej një flotë armike. Avionët specialë ishin ata që mund të jepnin të dhëna më të sakta. Paradoksalisht, sa më primitiv të ishte sistemi, aq më shumë burime kërkoheshin për ta mbajtur atë në punë.

Sa më i vetëdijshëm për mjedisin e tij dhe sa më i saktë të jetë udhëzimi, aq më të vogla janë gabimet. Për shembull, një satelit mund të sigurojë vendndodhjen e një armiku, dhe sistemet e automatizuara të udhëzimit të brendshëm mbi municionet mund ta godasin saktësisht. Sot ka satelitë të rinj që i përkasin një gjenerate të re.

Për shkak të saktësisë, një forcë ushtarake ka nevojë për më pak municione. Përqendrimi i fuqisë punëtore kalon nga fusha e betejës aktive, në menaxhimin e të dhënave të inteligjencës dhe teknologjive. Lufta nuk kërkon më shumë trupa, dhe as kërkon konsum masiv të lëndës së parë.

Dhe kjo gjë sjell pasoja gjeopolitike të rëndësishme. Vendet e vogla, dhe madje shumë të vogla mund të bëjnë luftë, sidomos kundër modeleve të vjetra ushtarake që nuk kanë saktësinë dhe shtrirjen e grupimit të ri të vendeve. Këto vende të vogla kalojnë nga hapësira, tek varësia nga koha. Dikur sa më shumë hapësirë kishte një vend, aq më shumë hapësirë kishte për t’u shpërndarë. Në modelin e ri të luftës, sa më shumë kohë të kenë për të reaguar ndaj rreziqeve, aq më efektive janë ato. Nuk është një evolucion i vetëm, por më shumë një mori evolucionesh, nga inteligjenca e bazuar tek hapësira, tek armët automatike shumë më të sakta dhe me rreze të gjatë, deri tek sistemet e automatizuara kundër raketave.

Këtë evolucion mund ta shohim më qartë në Izrael. E themeluar fillimisht me armët franceze dhe më pas ato amerikane, ushtria izraelite ka sot aftësi të shtuara, që si për ironi mund t’ua shesë ato të tjerëve. Ato janë të dizajnuara rreth parimit se vënia e trupave në rrezik është një ngjarje e mundshme, por e rrallë, ndërsa përdor avionët pa pilot si elementin dominues të strategjisë së saj.

Përveç Izraelit një strategji e tillë por përdoret edhe nga vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori. Për pasojë, secila prej tyre ka fuqi politike ndërkombëtare shumë më tepër se çfarë mund të pritej prej tyre gjatë epokës së mëparshme. Teknologjitë e reja u japin mundësi fuqive të vogla që të angazhojnë fuqi shumë më të mëdha.

Thelbi i forcës janë teknologët që mirëmbajnë dhe përmirësojnë sistemet, një pjesë e fuqisë punëtore e nevojshme sipas përkufizimit të vjetër të fuqive të mëdha. Sigurisht, ushtritë me njerëz mbeten ende të domosdoshme. Por kalimi tek një mënyrë e re e të menduarit, po funksionon shumë mirë. Izraeli ka një ndikim të jashtëzakonshëm rajonal, por teknologjia e tij nuk mund të mbrohet plotësisht kundër një force masive nga fuqia e madhe e epokës së fundit.

Ruajtja e një kulture gjatë procesit të krijimit të kulturave të reja, shkakton kriza midis kulturave, dhe brenda buxheteve kombëtare. Teknologjia e re është gati të nisë të funksionojë, por në vetvete nuk është ende e provuar. Megjithatë, evolucioni është në zhvillim e sipër, dhe kjo do tëthotë se duhet të ndryshojë përkufizimi i fuqisë së madhe.

Rusia priste që ta mposhtte Ukrainën me armët e vjetra. Kjo nuk ka ndodhur, të paktën jo ende. Rusia duhet të zhvillojë ushtrinë e saj. Kështu do të bëjnë edhe fuqitë e tjera të mëdha, nëse dëshirojnë të kenë forca efektive. Nuk ka asnjë arsye të qenësishme sesi të mos evoluojnë, por madhësia e tyre nuk është më vendimtare. Kombet më të vogla mund të bëhen fuqi të mëdha vendimtare, madje edhe të rrezikshme.

Shënim: George Friedman, është një parashikues dhe strateg gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht për çështjet ndërkombëtare. Themelues dhe drejtues i “Geopolitical Futures”. / “Geopolitical Futures”

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING