Kosova

Nga përçarja e Unionit Europian përfiton Serbia

Vendimi i Këshillit të Ministrave i Bashkimit Evropian për ta kushtëzuar procesin integrues të Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën, përkatësisht zbatimin e obligimeve që ka marrë nga Marrëveshja Bazë, nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk po shihet si diçka që mund ta shtyjë Beogradin në zbatimin e detyrimeve, dhe po konsiderojnë se një gjë e tillë varet edhe nga faktorë të tjerë.

Të hënën, Këshilli i Ministrave i BE-së, në tekstin e ri të kornizës negociuese vendosi kusht për Serbinë zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

“Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”, thuhet në vendim.

Një veprim i tillë nga BE-ja, sipas ish-Ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, vendimi i Këshillit të Ministrave i BE-së, për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim e Serbisë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është vetëm vazhdimësi e praktikës së deritanishme të BE-së, derisa shton se obligime duhet që të zbatojë edhe Kosova, atë çka e ka pranuar.

“Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të Ohrit të pranuar nga Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it, bëhet kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE” – deklaroi Çollaku

Mirëpo, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare nënvizon se e njëjta marrëveshje bëhet obliguese për t’u zbatuar edhe për Kosovën dhe do bëhet pjesë e obligimeve në kuadër të grupit “special për normalizim” për shkak se Kosova ende nuk e ka marrë as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe rrjedhimisht është shumë larg mundësisë  për të hapur negociatat për anëtarësim.

“Pra, ky vendim nuk është asgjë e re në qasjen e BE-së për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që arrihen ndërmjet dy palëve në kuadër të procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Për më tepër, siç potencoi ai, duke e ditur se anëtarësimi eventual i Serbisë nuk është se mund të ndodhë brenda një periudhe relativisht të shpejtë, “atëherë nuk mund të pritet që kjo të ndikojë fare në përshpejtimin e dinamikës së zbatimit të obligimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi”.

Ne lidhje me kete, Afrim Kasolli, studiues i filozofisë dhe analist politik, rikujtoi faktin që palët, në këtë rast Kosova dhe Serbia, ishin dakorduar për Marrëveshjen e Bazike të Brukselit dhe aneksin e zbatimit në Ohër, ato ishin pajtuar edhe që  Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt BE-së, derisa përmend edhe mosnënshkrimin e marraëvshjes, ndonëse e kishin pranuar.

“Por kjo nuk e ka penguar BE-në as SHBA-në që ta konsideronte këtë marrëveshje si obligim ligjor ndërkombëtar për të dy vendet. Dhe në rasatin e Serbisë kjo ishte menduar pikërisht nëpërmjet ndryshimit të kornizës negociuese, përkatësisht kapitullit 35, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën do të bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në Union” – theksoi Kasolli.

Duke pasur parasysh bojkotin e vazhdueshëm që Serbia i ka bërë zbatimit të Marrëveshjes Bazë, sipas Kasollit, në këtë drejtim është edhe vendimi i BE-së për ta kushtëzuar në procesin integrues.

Por, se sa do të arrijë blloku evropian që ta detyrojë Serbinë përmes këtij vendimi t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, varet edhe nga faktorë të tjerë, “në radhë të parë sa do të tregohet unike vet BE-ja”.

“Sepse pikërisht mungesa e konsensusit të brendshëm ndërmjet shteteve anëtare te Unionit ka qenë në vazhdimisht burim i dobësisë së politikës jashtme të Brukselit” – deklaroi analisti I njohur.

Nëse ndodh një ndryshim i tillë, atëherë Kasolli thekson se ka implikime edhe për Kosovën.

“Sepse edhe nëse Kosova nuk i zbaton obligimet e saj sikur se ai për themelimin e Asociacionit do të ketë pasoja. Dhe po ashtu ajo nuk mund të mbrohet tani e tutje se mungesa e nënshkrimeve nuk e obligon atë të veprojë në pajtim me detyrimet që i ka marrë”, vlerëson Kasolli, duke shtuar se me këtë vendim, BE transmeton mesazhin se Marrëveshja Bazike për të cilën janë pajtuar dy vendet “është obligim që e kanë karshi Brukselit dhe jo vetëm ndaj njëra-tjetrës”.

 

TRENDING

Exit mobile version