Sport

Nis etapa e licencimit, klubet të zhytura në borxhe rrezikojnë të mos pranohen nga UEFA

Klubet shqiptare kanë probleme të mëdha të brendshme, por sidomos probleme financiare. Ata jo vetëm menaxhohen keq, sidomos klubet që janë të varura nga bashkitë, por njëherësh kanë probleme financiare të thella që rrezikojnë të shkojnë në falimentim. Natyrisht, paketa që dha FSHF si ndihmë në pranverë nuk mjafton dhe ka qenë për një ndihmesë të përkohshme që klubet të mund të përmbushin objektivat e tyre për sezonin e kaluar që u zhvillua me urgjencë në muajt e verës pasi ishte shtyrë gara për shumë muaj. E njëjta situatë vijon dhe tani, pasi nuk lejohet prania e tifozëve në stadium. pra klubet nuk gjenerojnë të ardhura as nga biletat, as nga reklamimet e as të ardhura që vijnë nga sponsorët. Në këto rrethana, klubet e futbollit tonë janë në kushtet e mbijetesës. Gjithsesi, si të mos mjaftojnë këto probleme, klubet duhet të paguajnë një kuotë të caktuar për t’u licencuar. Kjo është domosdoshmëri, pasi ky është një kriter që e ka prioritet Federata Shqiptare e Futbollit. Por federata nuk ka ndonjë platformë se si ta shpëtojë futbollin e klubeve nga dëshpërimi i thellë qoftë për infrastrukturë, ashtu dhe në bazë materiale. Gjithsesi, ditën e djeshme, nisi procesi i licencimit të klubeve për të marrë pjesë në kampionatin e ardhshëm, e po ashtu për të marrë pjesë edhe në Kupat e Europës të sezonit të ardhshëm pas verdiktit që do të japë renditja përfundimtare. Nëpërmjet një njoftimi, FSHF bën me dije se ky proces do të përfundojë më datë 31 mars, teksa klubet duhet të përmbushin kriterin sportive, infrastrukturor, administrative, ligjor dhe atë financiar.

Njoftimi i federatës

Ka qenë vetë Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka njoftuar klubet për nisjen e procesit të licencimit dhe kur është fjala për zyrtarizime të tilla FSHF bëhet strikte në zbatimin rregullores, por është fakt që licencimet shkojnë në përputhje me standardet e UEFA-s e të FIFA-s, edhe pse asnjë klub shqiptar nuk i plotëson strikt kriteret për të qenë një anëtar i denjë i këtyre organizmave. “Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit informon të gjithë klubet dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve aplikante për një licence në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2021-2022. Ky proçes do të përmbyllet më 31 Mars 2021, sipas afateve të vendosura nga UEFA. Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Liçensimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces. Duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike në raport me kriteret e tjerë. Ashtu si edhe në vitin e shkuar, Sektori i Licencimit do të organizojë seminare dhe takime bilaterale me të gjithë klubet aplikante për licencë, për t’i asistuar dhe ndihmuar në këtë proces”, shkruhet në njoftimin e sektorit të Licencimit në FSHF, njoftim i përcjellë dje për mediat.

Klubet rrezikojnë falimentin, shkak borxhet

Klubet e Superligës, aq më shumë ato të kategorive inferiore, duke mos gjeneruar të ardhura, kanë ardhur në momente kolapsi dhe rrezikojnë të falimentojnë. Shembulli më i qartë është Luftëtari, i cili pavarësisht se kishte rënë nga Superiorja në Kategorinë e Parë, e braktisi kampionatin pasi nuk e përballonte dot dhe ndodhet tashmë në kategorinë më të ulët, duke qenë praktikisht një skuadër e shkrirë. Sidoqoftë, pas protestave të qytetarëve e sportdashësve, ka shenja që bashkia e Gjirokastrës mund të marrë nisma që ta shpëtojnë klubin, duke angazhuar të rinjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version