Aktualitet

Nis trajnimi i 4 mijë mësuesve në gjithë vendin, Rama: Efektiv për aftësitë dixhitale dhe metodat e mësimdhënies

TIRANË– Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve ka nisur zbatimin. Fillimisht është nisur me trajnimin e mësuesve me metodat më efektive të mësimdhënies në Durrës, Tropojë, Elbasan e Korçë. Ky program do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa kryeministri Edi Rama thotë se do trajnohen mbi 4 mijë mësues në këtë fazë të parë.

“Mirëmëngjesi dhe me fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, që ka nisur në Durrës, Tropojë, Korçë, Elbasan, e që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, për të trajnuar mbi 4 mijë mësues në fazën e parë me metodat më efektive të mësimdhënies, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Vetë mësueset i kanë mirëpritur këto trajnime duke thënë se janë efektive dhe ndikojnë në përmirësimin e arsimit fillor.

“Ishte mjaft i nevojshëm ky trajnim, pasi lënda e Matematikës i vlen nxënëseve gjatë gjithë jetës.

Dhe ne që kemi kaq vite në punë mësojmë me këto metoda të reja.

Si mësuese e re në arsim mendoj që trajnimet janë mjaft frytdhënëse

Trajnimi ndikon në përmirësimin e arsimit fillor”, shprehen mësuesit.

Në fazën e parë do trajnohen për aftësitë digjitale brenda këtij viti mbi 4000 mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit e Gjuhës Shqipe, Matematikës dhe Shkencat e Natyrës. Për trajnimet janë angazhuar 7 universitete, si edhe 130 trajnerë dhe pedagogë nga arsimi i lartë.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve parashikon që deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.

TRENDING

Exit mobile version