ITALI- Italia nis vaksinimin anti-Covid tek personat me rrezik të lartë infektimi nga pandemia. Të vaksinuarit e parë kanë qenë mjekja Maria Rosaria Capobianchi, infermierët Claudia Alivernini dhe Omar Altobelli. Sipas mediave italiane, vaksinimi ka nisur në orën 7.20 të mëngjesit në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Spallanzani në Romë. Pas tyre janë vaksinuar dhe dy mjeke Alessandra Vergori dhe Alessandra D’Abramo.
“Ndihem mirë, jam e ngazëllyer, por edhe më shumë se e ngazëllyer jam krenare. Shpresoj që ky privilegj së shpejti të jetë për të gjithë,”-ka thënë Maria Rosaria Capobianchi, drejtoreshë e laboratorit të virologjisë Inmi Spallanzani.
Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se sot do të vijojë vaksinimi në të gjitha rajonet e Italisë dhe 470 mijë doza të vaksinës do të mbërrijnë në vend çdo javë.
“Shpërndarja aktuale e vaksinave do fillojë sot dhe rreth 470 mijë doza që do të mbërrijnë në Itali çdo javë,“-ka thënë ajo.