Shkrime

Një çelës për dy dyer dhe 6 miliardë euro, plus Kosova

Paralajmërimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është një mesazhi serioz i dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se ia duhet ta mbajë fjalën e dhënë për këtë çështje, vlerësojnë analistët politikë.

Marrë për bazë faktin se Bashkimi Evropian shumë shpejtë do të hyjë në një proces zgjedhor, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, konsideron se ky mesazh i Macron tregon që BE-ja dëshiron që çështja e Asociacionit të trajtohet me urgjencë, para këtij procesi.

“Ky është një paralajmërim mbi detyrat dhe obligimet që e presin Qeverinë së Kosovës në ditët dhe javët ne vijim në raport me themelimin e Asociacionit. E tëra kjo për shkak se nuk ka mbetur edhe shumë kohë para se shtetet e BE të shkojnë në zgjedhje për Parlamentin Evropian”, theksoi analisti

Kasolli kujton se gjatë vizitës së fundit zyrtare në Shqipëri, Macron kishte deklaruar se Franca është pajtuar me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke u bazuar në premtimin e Kosovës se do t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet me Serbinë.

Në anën tjetër për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, deklarata e Macron sa është specifike e eksplicite, është edhe jashtëzakonisht serioze marrë për bazë faktin se nëse Kosova nuk procedon më tej me Asociacionin, ajo mund të përballet me ndëshkime shtesë nga BE-ja.

“Pala franceze po kërkon që Kosova specifikisht ta përfundojë pjesën e vetë të detyrave. Sepse kjo paralajmëron nëse nuk ka seriozitet në javët në vazhdim atëherë mund të ketë sanksione shtesë për Kosovën apo anashkalim i tërësishëm i Kosovës në integrimet euro-atlantike, prandaj mesazhi i presidentit francez është jashtëzakonisht serioz”, ka vlerësuar analisti politik.

I drejtpërdrejtë në kërkesë, Macron në letrën e urimit dërguar më 13 shkurt presidentes Osmani ka apeluar që Qeveria e Kosovës të procesojë  me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, meqë në vlerësimin e tij javët e ardhshme do të jenë vendimtare për “zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit”.

Marrë për bazë luftën në Ukrainë dhe kërcënimi i stabilitetit në Lindjen e Mesme, Macron, ka konsideruar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë “përbën një çështje madhore”.

Ai në letër ndër të tjera ka shpresuar që Kosova do marrë vendime të guximshme, vendime këto, të cilat, sipas tij janë të “nevojshme dhe që do t’i lejojnë asaj të përparojë në trajektoren e saj evropiane”.

Javët e ardhshme janë vërtet vendimtare në përcaktimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës sidomos para samitit të marsit 2024, Bashkimi Evropian do zyrtarizojë kushtin e implementimit të Marrëveshjes Bazike si kusht thelbësor në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, krahas këtij vendimi, BE do ta vendosë zyrtarisht implementimin e Marrëveshjes Bazike si kusht kryesor për thithjen e fondeve nga fondi 6 miliardësh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Pra, BE do të vendosë një derë me dy brava që i hap po i njëjti çelës.

Në takimin e gjashtë të radhës në mes të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it, Kosova e Serbia, pranuan Marrëveshjen Bazë – derivat i propozimit franko-gjerman – e cila brenda kishte edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Ujdia nga ndërkombëtarët u cilësua si më e mira e mundshme në rrethanat aktuale, meqë si Kosova ashtu edhe Serbia jepnin diçka për të fituar diçka tjetër dhe kështu startonin një maratonë të gjatë diplomatike për t’i normalizuar raportet.

 

 

TRENDING

Exit mobile version