Shkrime

Një shkarje intelektuale

Nga Viktor Malaj

Kohët e fundit u rihap në Kosovë, por edhe në Shqipëri, debati nëse duhet lejuar mbajtja e shamive nga femrat që punojnë në administratën shtetërore, si dhe nga nxënëset e shkollave të mesme e të larta në Kosovë. Siç ndodh vazhdimisht, dhe me të drejtë, palët u ndanë kryesisht në dy grupime, ku njëra pohon të drejtën kushtetuese të femrave të mbajnë shamitë në kokë si e drejtë e shprehjes së përkatësisë së vet fetare, ndërsa grupimi tjetër, ku duket se përfshihen edhe shumica e qeverisësve të Kosovës, shprehen kundër mbajtjes së shamive dhe, madje, e kanë ndaluar atë me një akt normativ nënligjor sikundër janë vendimet qeveritare.

Argumentet kryesore të grupimit të dytë sillen rreth pretendimit se “ne jemi si gjithë Evropa”, “duam të shkojmë në Evropë”, “Në Perëndim nuk lejohet një gjë e tillë”, etj.etj. Ky grupim njerëzish, herë të paditur, herë hileqarë dhe herë të tjera ksenomanë të pashërueshëm, nuk shpjegojnë asnjëherë se çfarë  dëmesh mund të sjellë mbajtja e shamisë nga femrat dhe nëse është apo jo kushtetuese t’iu ndalohet atyre një gjë e tillë. Personalisht nuk e pëlqej mbajtjen e shamisë në kokë nga femrat dhe do të dëshiroja që nxënëset e shkollave, sidomos të mesme, të mos e mbanin atë dhe të kishin njëfarë “uniforme” dinjitoze shkollore, siç ka qenë dikur në Shqipëri dhe siç e kanë sot disa shkolla në vendet perëndimore.

Pretendimi, më tepër hipokrit dhe servil, se mosmbajtja e shamisë na bën më shumë evropianë është i rremë. Mosmbajtja e shamisë në kokë na bën evropianë po aq sa mbajtja e saj na bën besimtarë fetarë. E vërteta është se përkatësia e njeriut, sidomos sot në kohët moderne, përcaktohet më shumë dhe më mirë nga ato që njeriu ndien shpirtërisht, “bluan” mendërisht dhe demonstron moralisht në sjelljet e tij në familje e shoqëri, dhe jo nga fakti se çfarë vesh apo mban në kokë.

Kur Fan Noli i madh ishte drejtues i Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA, dikush shkoi dhe e pyeti, në emër të shumë grave shqiptare të Bostonit që frekuentonin kishën, nëse lejohej mbajtja në kokë e kapelave nga gratë që shkojnë të ndjekin meshat kishtare dhe a përbënte kjo mëkat. Fan Noli u përgjigj: Iu thoni grave besimtare se ka rëndësi çfarë kanë në kokë dhe jo çfarë vënë mbi kokë.

Mania e klasës politike shqiptare, këtej e andej kufirit me Kosovën, për t’u dukur “evropianë” në formë dhe moskokëçarja e tyre për t’u sjellë si “evropianë” në përmbajtje është ulëritëse. Sikur drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm politikë të të dy shteteve shqiptare të kishin bërë përpjekje serioze dhe të sinqerta për t’u sjellë si evroperëndimorë me njëri-tjetrin dhe me popullin e tyre, aq sa kanë bërë e bëjnë përpjekje hipokrite e sipërfaqësore për t’u dukur të tillë, populli shqiptar dhe dy shtetet e tij do t’i kishin punët shumë më mirë se ç’i kanë.

Nga ana tjetër, shumica e vendeve perëndimore nuk e ndalojnë mbajtjen e shamisë nga femrat në rrugë, punë apo shkollë. Ajo që është më e rëndësishmja, siç e shpjegonte me të drejtë konstitucionalisti Klodian Rado, mbajtja e shamisë nga femrat e Kosovës është një e drejtë kushtetuese dhe si e tillë nuk mund të shkelet apo abrogohet me akte nënligjore apo ligjore. Dhe, në fund të fundit, pse iu duhet ndaluar?! Ne që nuk ndalojmë lakuriqësinë komerciale dhe amorale në mjetet e informimit viziv publik, që nuk ndalojmë pornografinë dhe imoralitetin ekstrem të programeve “artistike” antietike si “Big Brother”, “PërPuthen” etj.etj., u dashka të ndalojmë mbajtjen e shamisë në kokë?! Ne, që nuk ndalojmë, por, përkundrazi, reklamojmë dhe lartësojmë çdo ditë ekspozimin e pjesëve “mëkatare”, epshndjellëse dhe instinktnxitëse të femrave të harbuara, u dashka të ndalojmë mbulimin e kokës nga disa femra që vërtetë besojnë se ashtu po i shërbejnë “Fjalës së Zotit”?!

Cila pjesëtare e shoqërisë tonë është më e dëmshme dhe e rrezikshme, ajo që mban një shami në kokë dhe sheh punën e saj pa u ekspozuar apo “shitur” si VIP, apo ato femra që na zhvishen përditë dhe pohojnë se “fitojnë” mijëra euro duke postuar fotot nudo ose gjysmë nudo në rrjetet sociale (në të vërtetë, antisociale), që shkojnë e zhgërryhen nëpër rrugët e Perëndimit apo pallatet e sheikëve arabë të Lindjes dhe pastaj mjetet tona të informim- degjenerimit ia shesin brezit të ri si modele “suksesi”, pra modele që duhen ndjekur në jetë?!

Shaminë e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë ndonëse në pakicë edhe femrat izraelite dhe mijëra gra të tjera nëpër botë, pa qenë të fesë islame. Madje dhe shumë të njohura si aktorja Elizabet Tejlor, mbretëresha Elizabetë e Dytë e Anglisë, herë pas here, jashtë ceremonive zyrtare etj.

Mosmbajtja e shamisë nga femrat nuk i dëmton aspak identitetin shqiptar dhe atë mysliman, ashtu si mbajtja e saj nuk i forcon ato identitete. Mbajtja ose jo e shamisë nuk ka fare lidhje me ruajtjen apo humbjen e gjuhës shqipe, siç thotë z. Mehmeti. Ne mund të mbajmë shaminë sot dhe ta përçudnojmë gjuhën shqipe duke e folur e shkruar keq, duke e përzier me fjalë angleze, franceze apo arabe, ashtu si mund të mos e mbajmë shaminë dhe ta ruajmë gjuhën të pastër. Disa publicistë dhe individë të tjerë kosovarë, të cilët nuk mbajnë shami në kokë, ka vite e dekada që flasin e shkruajnë për “komb kosovar” dhe “gjuhë kosovare apo gege”, duke dëshmuar kështu sa mendjecektësinë e tyre intelektuale, aq edhe ligësinë e tyre kombëtare.

Përfundimisht duhet thënë se nuk mund dhe as duhet ndaluar me ligj mbajtja e shamisë në kokë nga femrat. Ajo duhet lënë në dëshirën dhe bindjen e tyre. Është tjetër gjë mbulimi i fytyrës nga gra të veçanta që gabimisht mendojnë se mbulimi i fytyrës është urdhëresë e fesë. Këtu ka vend që kleri mysliman të bëjë detyrën e vet për të qartësuar besimtaret se është tjetër gjë mbulimi i fytyrës nga gratë e fiseve të shkretëtirave dhe tjetër gjë urdhëresa e librit të shenjtë.

Ne kemi njëqind mënyra, mjete e rrugë të tjera për t’u “evropianizuar”, ndërsa çështja e shamisë mbetet periferike dhe, me kalimin e kohës, shumica dërmuese e femrave shqiptare do të binden se ajo nuk ka arsye as dobi të mbahet. Është më mirë dhe më e dobishme të bëhemi evropianë me sjellje përpara se të bëhemi të tillë me veshje. Të pranueshëm nuk na bëjnë servilizmi dhe dukja, por thelbi, sjellja dhe shfaqja dinjitoze në marrëdhëniet me të tjerët dhe brenda vetes.

 

TRENDING

Exit mobile version