Ekonomi

Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit – Familjet në Manzë dhe Shijak të Durrësit në banesa të reja

Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit, në Manzë dhe Shijak të Durrësit, 1 mijë familje përfituan banesa të reja individuale, nga programi Kombëtar i Rindërtimit që ndërmori qeveria në mbështetje të drejtëpërdrejtë për qytetarët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga kjo fatkeqësi natyrore.
Përveç ndihmës së menjëhershme shëndetësore, me ushqime, batanije, rroba, sende higjenosanitare dhe akomodimin në kontenier e çadra të familjeve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, qeveria u angazhua dhe filloi punon në terren për programin Kombëtar të Rindërtimit pas katastrofës.
Rindërtimi u adresua në rehabilitimin e shtëpive të dëmtuara, në nivelet DS1, DS2, DS3 , ndërtimin e shtëpive të reja individuale dhe blloqeve të banimit (pallateve) përfshirë këtu edhe objektet arsimore; investimin në infrastrukturës si dhe në ndihmën ndaj bizneseve dhe ekonomisë vendore për t’u rimëkëmbur.
Procesi i rindërtimit në njësinë administrative Manzë vijon me rritëm të lartë. Janë 300 familje përfituese nga ky proces që marrin shtëpitë e reja individuale, aty ku ishte shtëpia e tyre e vjetër e dëmtuar nga tërmeti.

ATSH ishte e pranishme në fshatin Radë të njësisë administrative Manzë për të sjell nga afër dëshmitë e banorëve që kanë përfituar shtëpitë e reja, nga faza e rindërtimit.

65 vjeçarja Gjyze Doni, banore prej 35 vitesh në lagjen Shere të fshatit Radë, na tregon se, mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit të kaluar që ra tërmeti, ishte bashkë me 5 pjesëtarët e familjen e saj, në shtëpi, në gjumë. “Fatmirësisht asnjë nga ne dhe fëmijët nuk u dëmtuam, por shtëpia u shkatërrua rëndë“,- thotë ajo.

“Që në momentin e parë e deri më sot nuk na kanë munguar ndihmat me ushqime, batanije, rroba për fëmijët dhe sende të tjera, ndërsa gjëja më e madhe – na tregon Gjyzja shumë e gëzuar, – është shtëpinë e re që është ndërtuar në vend të asaj që shkatërrua nga tërmeti”.

“Në 20 tetor edhe grupi i ndërtimit dhe e shembi shtëpinë, që na u dëmtua nga tërmeti. Ata kanë punuar çdo ditë pa pushim dhe na kanë ndërtuar tani shtëpinë e re, në një kohë shumë të shpejtë, shumë më të bukur nga si e kishim. Të fortë dhe me hapësira të bollshme. Tani do të vihen edhe instalimet e dritave dhe Vitin e Ri do ta festoj në shtëpinë e re”, -shprehet ajo.

Edhe Lindina Shere banore e fshatit Radë, na tregon shtëpinë e re që është ngritur aty ku kishte banesën e saj më parë, por që tërmeti ia dëmtoi rëndë duke e bëtë të pabanueshme.

“Tani do të shtrohet çatia e suvatimi dhe jam shumë e kënaqur që kemi një shtëpi të re shumë më të bukur dhe të fortë shumë herë më të mirë se e para”-thotë Lindita.

Ndërsa Ferid Shehi i tha ATSH-së, se ka jetuar në një banesë tjetër, që nga dita që iu dëmtua shtëpia nga tërmeti. Ndërsa për pak ditë, siç u shpreh Feridi, “do të hyjmë në shtëpinë e re që na ka ndërtuar falas qeveria”.

“Për të gjithë këtë periudhë unë kam marrë bonusin e qirasë dhe tani që pothuajse shtëpia ime e re është gati, do të hyjë bashkë me familjen time këtu”- tha ai, shumë i gëzuar.

Feridi na tregon se viziton shpesh djalin e tij emigrant në Itali. “6 vjet në Itali që ka rënë tërmeti janë prish shtëpitë dhe ende nuk janë bërë. Kurse këtu në Shqipëri është e paparë, shtëpitë janë ndërtuar me standarde europiane dhe shtëpitë që kanë ndërtuar, jo vetëm shtëpinë time, por edhe shtëpitë e të tjerëve në këtë fshat, janë të shkëlqyeshme”- thotë Feridi për ATSH.

Teksa na tregon ambientet e shtëpisë dhe projektin për arredimin e kuzhinës, përmes shumë emocionesh me lot gëzimi, bashkëshortja e Feridit, na thotë se “Jemi shumë të lumtur për këtë shtëpi që na ka bërë shteti jonë i dashur. Jemi të gëzuar familjarisht dhe fëmijët e vegjël me gëzim të madh zgjohen në mëngjes për shtëpinë e re, se patëm një shtëpi jo të mirë, siç ishin atëherë të ndërtuara shumë kohë përpara. Por tani jemi shumë të lumtur se na është ndërtuar një shtëpi shumë e mirë dhe e bukur”.

Procesi i rindërtimit po vijon me intensitet edhe në bashkinë e Shijakut. Janë 690 familje përfituese nga program i rindërtimit që hyjnë në shtëpitë e reja, pasi banesat e tyre u dëmtuan nga tërmeti 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Gjithashtu në bashkinë e Shijakut puna për rindërtimin po vijon edhe për sa i takon banesave kolektive. Janë dy sheshe ndërtimi ku do të ndërtohen blloqet e apartamenteve për të gjithë të familjet shtëpi e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.

Ndërsa për sa i takon procesit të rehabilitimit dhe rikonstruksionit në bashkinë Shijak janë 27 pallate, në 10 prej të cilave po vijon puna dhe në 17 objektet e tjera ka përfunduar plotësisht rikonstruksioni i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti 26 nëntorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version