Bota

Një vit tejet sfidues dhe një debutim absolutisht dinjitoz i Shqipërisë në krye të OSBE

Tiranë, Këshilli ministerial i OSBE online – SHQIPËRIA raporton për misionin e drejtimit njëvjeçar të OSBE dhe arrin pas shumë përpjekjesh në vakumin e krijuar prej moszgjedhjes së katër sekretarëve të organizatës, konsensusin mes vendeve anëtare për zgjedhjen e tyre, në prag të mbylljes së mandatit të kryesimit
Një vit tejet sfidues dhe një debutim absolutisht dinjitoz i Shqipërisë në krye të OSBE
Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj!
Mirëseerdhët nga Tirana në Këshillin e 27-të Ministerial të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë!
Është kënaqësi të shoh në këtë ekran të madh kaq shumë prej jush dhe do të kishte qenë një kënaqësi edhe më e madhe t’ju kisha parë këtu, në kryeqytetin shqiptar. Por në këto kohë të vështira, kjo është e vetmja mënyrë që kemi.
Kësisoj, e deklaroj zyrtarisht të hapur takimin e 27-të të Këshillit Ministerial të OSBE-së dhe më lejoni tashmë të vijoj me pikën e dytë të agjendës, që është miratimi i rendit të ditës.
Më lejoni të kujtoj se projektagjenda e këtij takimi na u dërgua nga Këshilli i Përhershëm si dokumenti MCGAL/120/Rev1. Mund ta konsiderojmë të miratuar këtë agjendë?
Mirë.
Ndokush që do të marrë fjalën? Mirë
Atëherë, rendi i ditës është i miratuar.
Pika e tretë në agjendë është fjala e Kryetarit të radhës të OSBE-së. Më lejoni që të vijoj me pikën 3 të agjendës dhe më lejoni në cilësinë time si Kryetar i radhës i OSBE-së, të mbaj fjalën time.
Të nderuar miq!
Zonja dhe zotërinj!
Kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në janar, të gjithë folën për një Organizatë që ishte në vështirësi. Në këtë pozicion, mundem vetëm të konfirmoj atë çka paraardhësit e mi kanë ndjerë gjithashtu. Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim.  Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar Organizatës nga vetë struktura apo njerëzit e saj. Ata të gjithë duhen përgëzuar për angazhimin e tyre të palodhur, për të përmirësuar sigurinë e gjithanshme në Europë.
Në vend të kësaj, le ta shohim në sy. Kjo gjendje për t’u ardhur keq është shkaktuar nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE-së.
Ne supozohej të kishim një vizion të përbashkët, krijuar në Helsinki e të vijuar në Paris, Stamboll dhe Astana, për një Europë demokratike, të paqtë dhe të bashkuar.
Po i largohemi gjithnjë e më shumë këtij vizioni, sepse parimet tona nuk respektohen, sepse angazhimet tona nuk zbatohen, sepse divergjencat në pikëpamjet tona po rriten, sepse njëanshmëria shpesh zgjidhet përmbi ndërkombëtaren, sepse përballja zgjidhet mbi bashkëbisedimin, sepse përçarja zgjidhet përmbi bashkëpunimin. Kjo, së paku, duhet të na shqetësojë thellësisht të gjithëve. Duhet të mbajmë parasysh edhe botën përtej rajonit të OSBE-së, një botë ku ne përfaqësojmë një raport në ulje të popullatës globale, një raport në ulje të PBB-së globale. Një botë në të cilën përpiqemi të ruajmë e të nxisim interesat tona, nuk do të arrijmë ta ruajmë ndikimin tonë, nëse nuk jemi të bashkuar apo të palëkundur në angazhimin kundrejt asaj çka përfaqësojmë.
Megjithatë, duke lënë gjeopolitikën mënjanë, jam shumë herë më i shqetësuar nga ajo çka nënkupton kriza aktuale e bashkëpunimit dhe në nivel lokal.
Nënkupton se kemi dështuar që t’i trajtojmë si duhet dobësitë tona dhe të përmirësojmë veten apo të trajtojmë sfidat e kërcënimet me të cilat përballet shoqëria jonë, nga terrorizmi, ndryshimi i klimës, apo të luftojmë për të drejtat e të gjithë njerëzve tanë, përfshi të rinjtë, të moshuarit, personat në nevojë apo të nënpërfaqësuarit.
Megjithatë, thirrjet e kryetarëve të mëparshëm, të cilët kërkonin forcimin e përpjekjeve për bashkëpunim, për ta trajtuar këtë, kanë rënë më së shumti në veshë të shurdhër.
Më duhet ta them këtë. Ose e keni për zemër këtë Organizatë, ose jo;
Ose doni të parandaloni e të zgjidhni konflikte, ose nuk doni;
Ose doni të promovoni median e lirë, ose nuk doni;
Ose doni të mbroni të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ose nuk doni.
Është kaq e thjeshtë.
Organizata jonë është e fortë aq sa angazhimet e saj dhe siguria jonë rajonale është e fortë, aq sa vullneti për t’i zbatuar këto angazhime. Nëse ky vullnet mungon, siç duket se është sot, atëherë, ne do të jemi në vështirësi për të dalë nga krizat që na sjellin kriza e kriza njëra pas tjetrës. Shihni se çfarë ka ndodhur në Bjellorusi dhe si, krejt papritur, OSBE-ja mbeti atje si mjeti i fundit, ndërkohë që megastrukturat e tjera dukeshin të padobishme.
Pse kështu?
Sepse është mjaft e trishtueshme, por çfarëdo ndodh jashtë BE-së ngre menjëherë barrikadat mes vendeve të BE-së e NATO-s dhe Rusisë. Por jo vetëm kaq. Bëhet menjëherë një çështje e një shkalle shumë më të madhe, ndërkohë që problemi i njerëzve, i njerëzve të zakonshëm, shqetësimet e tyre, të drejtat e tyre, aspiratat, liritë e tyre në vendin e krizës, vihen në rrezik de facto. Nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht. Kjo duhet të ndryshojë dhe sa më shpejt aq më mirë.
Organizata jonë nuk mund të funksionojë, nëse qëndrimi i Luftës së Ftohtë nuk lihet pas krahëve njëherë e përgjithmonë.
Është shumë më e lehtë ta thuash se ta bësh natyrisht, por, së paku, duhet thënë dhe duhet diskutuar. Dhe nuk ka asnjë hapësirë tjetër, përveçse kësaj hapësirë, hapësirës së OSBE-së, ku kjo mund të diskutohet dhe, me shpresë, mund të bëhet realitet. Asnjë organizatë më shumë sesa kjo nuk mund t’i dalë për zot sfidës së bashkimit, ndërkohë që këto dy botë të kundërta në shkollën e mendimit të Helsinkit ngrihen e shkaktojnë probleme përsëri e përsëri.
Të nderuar kolegë, edhe sipas standardeve të zakonshme, ky ka qenë një vit veçanërisht sprovues për OSBE-në.
Pasojat e jashtëzakonshme e të pashembullta të pandemisë së COVID-it kanë prekur të gjitha fushat e jetës. Ngushëllimet e mia shkojnë për ata që kanë humbur të dashurit e tyre si rezultat i virusit dhe falënderimet e mia të sinqerta shkojnë për punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e vijës së parë, të cilët punojnë me këmbëngulje ditë e natë, për të na mbajtur të sigurt e për të mbajtur në këmbë shërbimet tona thelbësore.
Ndërkohë që po përqendrohemi kryesisht te pasojat e COVID-it mbi shëndetin dhe ekonominë, na duhet po ashtu të merremi me ndikimin negativ që ai ka mbi sigurinë tonë të gjithanshme.
Ai ka sjellë ndërprerje në aktivitetet tona të verifikimit ushtarak, ka intensifikuar pasojat humanitare të konflikteve, ka sjellë si rezultat një rritje të konsiderueshme të krimit kibernetik e ka rezultuar të jetë terren pjellor për dizinformimin, sa për të përmendur vetëm disa shembuj.
Po kështu, ka patur një pasojë të konsiderueshme njerëzore – me masa emergjence që kanë kufizuar të drejtat, shtim të dhunës në familje dhe të shfrytëzimit në internet dhe raste shqetësuese të ksenofobisë, diskriminimit dhe mungesës së tolerancës.
Të gjithë e dimë që ky do të na duket një dimër i gjatë, por kemi një të ardhme të ndritur përpara dhe ne mundemi e do të marrim masa të guximshme e të përbashkëta për të rindërtuar më mirë, për të mos ta çuar të ardhmen dëm.
Në krye të vitit thashë se konflikti i Ukrainës ishte prioriteti kryesor i kryesisë sonë. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk mund të ndryshojë. Ka pasur disa përparime, por ka ende punë për t’u bërë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe paqësore të konfliktit, duke përfshirë edhe sfidat që kanë të bëjnë me Krimenë. Mbetet një situatë e papranueshme, duke patur parasysh parimet dhe angazhimet tona e të mos harrojmë Marrëveshjet e Minskut.
Shtatë vjet më pas vazhdojnë humbjet në jetë njerëzish. Çdo viktimë është humbje për shtëpinë, familjen, komunitetin. Në vizitën time të parë si Kryetar i radhës në Ukrainë, unë pashë me sytë e mi se çfarë dëmi i kishte shkaktuar konflikti popullsisë, por gjithashtu pashë ndryshimin pozitiv që mund të sjellë OSBE-ja. Kemi parë se progresi i mëtejshëm është i mundur, kur ka vullnet politik, siç është dëshmuar nga lirimi dhe shkëmbimi i ndërsjellë i të dënuarve në prill dhe, më së fundi, masat për të forcuar armëpushimin që hyri në fuqi më 27 korrik. Kjo ka sjellë si rezultat një shkallë të ulët të pashembullt të shkeljeve të armëpushimit, edhe pse ende ka viktima, për shkak të minave dhe lëndëve plasëse në këtë “normale të re”.
Gjithashtu, situata humanitare mbetet shqetësuese dhe është për të ardhur keq që, deri më tani, palët nuk kanë mundur të punojnë mbi këtë angazhim të prekshëm për vendosjen e armëpushimit, për të bërë përparime në aspekte të tjera të Marrëveshjeve të Minskut.
E më lejoni ta përsëris, largimi nga Marrëveshjet e Minskut nuk është gjetja e rrugës drejt së ardhmes.
Dhjetorin e kaluar, liderët e Normandi 4 u takuan pas tre vjetësh dhe ranë dakord për përfundime që mund t’i japin vërtetë një shtysë procesit, por që duhen zbatuar plotësisht. Këto mundësi nuk janë të shumta, prandaj bëj thirrje për një qasje më praktike në diskutimet e grupit trepalësh të kontaktit me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Duhet ta shfrytëzojmë këtë në mënyrën më të mirë.
Po ashtu, duhet të shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë Misionin e Posaçëm të Monitorimit në Ukrainë, për të cilin kemi rënë dakord të rrisim buxhetin këtë vit. Ka qenë një vit i vështirë për MPM-në dhe shpreh vlerësimin tim maksimal për gratë dhe burrat e përkushtuar të Misionit. MPM-ja ka vijuar të zbatojë mandatin e vet, duke marrë parasysh të shmangë rrezikun apo gabimet. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për asnjë ndërhyrje në punën e Misionit në mbarë Ukrainën e as nuk ka justifikim për situatat ku siguria dhe sigurimi i personelit civil të MPM-së, apo asetet e Misionit kërcënohen.
MPM-ja duhet të lejohet të bëjë punën e saj.
Diku tjetër në rajonin tonë, ndërkohë që bota luftonte me pandeminë, ndërmjetësit e OSBE-së luftonin me mosbesimin dhe me thellimin e mëtejshëm të përçarjeve të konfliktit. Nuk mund ta lëmë këtë Këshill Ministerial të kalojë pa përmendur luftimet e fundit në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabakut, ku shumë njerëz humbën jetën.
Jam mirënjohës që luftimet kanë reshtur. Tani është koha për të zbatuar angazhimet e marra dhe shpreh mbështetjen time të plotë për nismat e ndërmarra nën kujdesin e bashkëkryetarëve të Grupit të Minskut të OSBE-së për rinisjen e procesit të bisedimeve.
Tashmë, bisedimet thelbësore duhet të vazhdojnë, për të arritur marrëveshje rreth hapave për një zgjidhje të gjithanshme, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit
Kryesia jonë është përpjekur gjithashtu të shohë me përparësi edhe situatën e popullsisë së prekur nga konflikti në Gjeorgji.
Ka patur shkëndija bashkëpunimi dhe pragmatizmi për çështje të shëndetit publik, të cilat OSBE-ja i ka ushqyer përmes ndihmës së saj.
Në fakt, OSBE-ja arriti të shtojë kontaktet e saj të rregullta me të gjithë aktorët.
Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, pamë shfaqjen e pengesave të tjera, si pjesë e të ashtuquajturave përpjekje për “ngritjen e kufijve” dhe pamë kufizime të lirisë së lëvizjes së banorëve lokalë përgjatë midis kufijve administrativë.
Këto kufizime kanë shtuar vështirësitë social-ekonomike dhe në disa raste kanë rënduar barrën e atyre që kanë nevojë për kujdes mjekësor.
Përpjekjet e dialogut të Diskutimeve Ndërkombëtare të Gjenevës u desh të shtyheshin, edhe pse mirëpresim angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve për t’i rinisur këto bisedime javën e ardhshme, pas një ndërprerjeje prej rreth një viti.
Do të dëshiroja të theksoja gjithashtu nevojën për vazhdimin e Procesit të Zgjidhjes Transdniestriane të orientuar nga rezultatet.
Pandemia ka sjellë sfida në ndërlidhjen midis dy brigjeve të lumit dhe procesi është ngadalësuar.
Bëj thirrje për rikthimin e shpejtë të lirisë së lëvizjes dhe nxis palët të angazhohen sërish në procesin e bisedimeve vitin e ardhshëm, kur Suedia do të kryesojë OSBE-në e do të ndërtojë më tej mbi progresin e arritur.
Të nderuar kolegë!
Këtë vit kemi parë edhe zhvillime të reja në rajonin tonë që kanë shkaktuar shqetësime serioze, veçanërisht – dhe i kthehem kësaj pike – situata aktuale në Bjellorusi. Për fat të keq, gjërat nuk janë përmirësuar gjatë 4 muajve të shkuar, sidomos sa i takon shkeljes së vazhdueshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut. Humbjet e jetës dhe plagosjet kanë qenë posaçërisht shqetësuese.
Në gusht, së bashku me homologen time, ministren Ann Linde, e cila ka mbërritur në Tiranë e është këtu me mua, kërkuam që të vizitonim Bjellorusinë dhe të lehtësonim dialogun. Ishte një ofertë për të ndihmuar Bjellorusinë si një prej nesh, duke pranuar që situata duhet të zgjidhet në Minsk nga populli i Bjellorusisë, në respekt të plotë të pavarësisë e sovranitetit të tyre dhe detyrimeve ndërkombëtare.
Megjithatë, kjo ofertë u hodh poshtë. Mund të kishte qenë një mundësi për t’iu larguar përplasjes e për të shkuar drejt një dialogu kuptimplotë. Në vend të tij vazhdon konfrontimi.
I mbetem pikëpamjes time që OSBE-ja, si organizatë gjithëpërfshirëse, mbetet e mirëpozicionuar dhe e gatshme për të ofruar ndihmën e saj për të mbështetur Bjellorusinë dhe shpresoj që Bjellorusia ta rimarrë në konsideratë këtë ofertë, mbetet e vlefshme, edhe pse nën një kryesi të re.
Por sërish dua të theksoj atë çka mund të jetë një mësim mjaft i rëndësishëm, i nxjerrë nga kjo krizë, që është vetë fakti se befas, e përsëris, OSBE-ja mbeti stacioni i fundit, adresa e fundit, instrumenti i fundit.
Kjo tregon diçka. Kjo tregon se në këtë hapësirë të madhe të botës së OSBE-së na duhet të përqendrohemi te mënyra si t’i rrisim mjetet e OSBE-së dhe si ta bëjmë OSBE-në një instrument të mundshëm për të ndihmuar anëtarët e saj të zgjidhin krizat, duke kuptuar më së fundi që megastrukturat e tjera nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë.
Zonja dhe zotërinj!
Shqipërisë i është dashur, për rrjedhojë, ta drejtojë anijen e OSBE-së në një kohë mjaft të trazuar Dhe u bë edhe më e vështirë të drejtohej me vendet bosh në katër pozicionet e larta drejtuese të Organizatës, në korrik.
Efektiviteti i OSBE-së ka nevojë për drejtues të lartë të aftë dhe ky ishte një tjetër moment, kur ne pamë sa të rëndësishëm ishin këta drejtues të lartë, po kështu dhe sa e rëndësishme është që të përqendrohemi në forcimin, pikë së pari, të besimit brenda kësaj organizatë e për ta sjellë këtë organizatë në një nivel tjetër, duke e shndërruar në një organizatë të mirëfilltë që ndjek parimet mbi të cilat është themeluar dhe duke mos lejuar që të shndërrohet në një tjetër hapësirë ku thjesht të transferohen konfliktet e përhershme midis, siç e përmenda më pare, Familjes së BE-NATO dhe Rusisë.
Efektiviteti i OSBE-së ka nevojë për drejtues të lartë të aftë, ndaj jam i lumtur që në këtë Këshill ne do të emërojmë drejtuesit e rinj:
• Helga Schmid, Sekretare e Përgjithshme e Organizatës
• Matteo Mecacci, Drejtor i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut
• Teresa Ribeiro, Përfaqësuese e Lirisë së Medias
• Kairat Abdrakhmanov, Komisoner i Lartë për Pakicat Kombëtare.
Jam besimplotë në aftësitë e tyre dhe u bëj thirrje të gjithëve ju që t’i mbështetni plotësisht në zbatimin e mandateve të tyre jetike në tre vitet që vijnë.
Jam po ashtu i kënaqur që, tashmë, kemi vazhdimësinë e kryetarëve të ardhshëm në Suedi dhe Poloni.
Së bashku me drejtuesit e rinj dhe kryesitë që do të vijnë, besoj se mund të arrijmë të kthehemi fuqiplotë dhe të ecim përpara për Organizatën tonë.
Në një botë që ndryshon, të gjithë e pranojmë nevojën e një drejtimi të ri strategjik, hapjes ndaj reformave dhe investimeve të mjaftueshme e këto duhet të jenë tri objektivat kryesore të vetë OSBE-së.
Ndaj, kolegë, le ta shfrytëzojmë Tiranën si mundësi për të  marrë kthesën, për të dalë nga kriza aktuale e bashkëpunimit e për të punuar drejt 2025-ës, vitit të 50-të të OSBE-së, për ta bërë atë një Organizatë që përmbush angazhimet e saj për secilin prej popujve tanë.
Ju faleminderit shumë!​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version