Shkrime

Oferta e Edi Ramës për çështjen Beleri

Nga Mero Baze

Besoj që Edi Rama ka mërzitur shumë njerëz në Athinë me gjuhën e butë dhe anashkalimin e replikave me homologun e tij grek Micotaqis, duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse kësaj beteje i heq zhurmën, ajo nuk ka asgjë tjetër dhe këtë e dinë më mirë se kushdo ata që po përpiqen ta mbajnë gjallë.

Në intervistën për gazetën më të njohur greke Kathimerini, Edi Rama mbrojti pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me çështjen Beleri, dhe kritikoi opozitën e majtë greke, që i hedh benzinë zjarrit, duke nxitur qeverinë kundër Shqipërisë, në vend që të bënte të kundërtën. Por aktet e kryeministrit Micotaqis kundër tij, i anashkaloi pa koment, duke i konsideruar nevoja politike të tij, të cilat çojnë mesazhe të gabuara.

Duket se intervista nuk synonte Micotaqisin, por opinionin publik grek dhe opozitën, e cila mund të luajë një rol pozitiv në zbutjen e histerisë antishqiptare.

Por megjithëse Rama nuk u tërhoq nga asnjë pozicion i derisotëm rreth çështjes Beleri, përveç gjuhës së ashpër që përdori ndaj tij në fushatë, ai duket se dha një dritë shprese për të ardhmen e Belerit, por jo për t’u liruar, me qëllim betimin.

Rama sqaroi se qeveria dhe ai personalisht nuk ka asgjë në dorë që të lirojë kryetarin e zgjedhur të Himarës për të bërë betimin. Lirimi nga paraburgimi është çështje e gjykatës dhe të tre shkallët ja kanë refuzuar këtë kërkesë.

Por duke shmangur konfuzionin që ekziston nga pikëpamja ligjore për të ardhmen e mandatit të tij, Rama sqaroi se ajo që ka në dorë qeveria është të mos bëjë asnjë veprim për shkarkimin e tij apo ndërprerjen e mandatit, derisa të përfundojë gjykimi në tre shkallë.

Ky premtim i tij zhbën gjithë panikun fals të ngritur në Athinë se qeveria nuk e lejon Belerin të betohet, se do t’i djegë mandatin pas tri muajsh.

Kujtojmë se qeveria shqiptare ka kompetencë të ndërpresë mandatin e një bashkiaku kur është nën akuzë dhe Edi Rama e ka aplikuar disa herë për bashkiakët e tij, si ai i Lushnjës, Bulqizës, Peshkopisë, apo Kuksit.

Meqë rasti Beleri është një precedent i ri, nuk ka ndonjë standard ligjor se si duhet vepruar në raste të tilla, ndaj premtim i Ramës që qeveria do të presë tre shkallët e gjykimit të tij për të marrë një vendim, është një distancë serioze nga çështja dhe një mënyrë për të rrëzuar gjithë presionin që bëhet për t’u betuar sa më shpejt, me arsyetimin se digjet ndonjë afat.

Në zgjedhjet e shkuara kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi qëndroi gati 3 vite e ca në detyrë, pasi kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës nga Partia Socialiste u penalizua nga ligji i dekriminalizimit sapo u zgjodh nga populli. As ai nuk arriti të bëjë betimin, edhe pse ishte i lirë dhe kryetarja e mëparshme qëndroi në detyrë derisa u bënë zgjedhje të reja.

Pak a shumë kjo është formula që do aplikohet dhe në Himarë. Beleri duhet të presë të gjykohet në tre shkallët për të fituar pafajësinë, ose për të humbur mandatin. Ajo që Edi Rama premtoi është se qeveria nuk do të pëzihet në këtë proces derisa të flasë drejtësia.

Kjo mund të shuajë paksa zhurmën e atyre që besojnë vërtet se qeveria do ta mbajë Belerin në burg. Kurse ata që e dinë të vërtetën por duan zhurmë, natyrisht nuk i ndal dot.

TRENDING

Exit mobile version