Kronike

Operacioni ‘Tempulli’, në pranga 26-vjeçari i shpallur në kërkim! Shkon në 10 numri i të arrestuarve në Elbasan

ELBASAN– Një 26-vjeçar ka rënë në pranga në Elbasan, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Tempulli’, që është zhvilluar në disa qytete të vendit. Erjon Kukolli ishte shpallur në kërkim, ndërsa gjykata ka vendosur ndaj tij masën arrest me burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.    Me arrestimin e Kukollit, ka shkuar në 10 numri i të arrestuarve në qytetin e Elbasanit. Ai është kapur nga policia në lagjen “28 nëntori”.

“Kapet në Elbasan dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të këtij megaoperacioni. Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në lagjen “28 nëntori”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi Erjon Kukolli, 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.   Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë”, njofton policia.

TRENDING

Exit mobile version