Sport

Pas Brojës, kuqezinjtë humbasin një tjetër sulmues, la sot grumbullimin e Kombëtares

Mirlind Daku detyrohet të largohet nga grumbullimi i Kombëtares duke humbur kështu miqësoren me Bullgarinë. Sulmuesi kuqezi, autor i një asisti për Seferin në fitoren 3-0 me Çekinë ka tërheqje muskulore kështu që do të jetë i padisponueshëm të paktën dy javë, para se të kthehet në stërvitje me shokët e ekipit të tij, Rubin Kazaz.

​25-vjeçari, në fakt, u sforcua shumë gjatë minutave që u aktivizua ndaj Çekisë, nga dëshira për të dhënë maksimumin e mundshëm për fanellën kuqezi.

Në monitorim të rreptë nga stafi mjekësor ishte edhe Kejdi Bare, që ende nuk është riaftësuar 100% nga dëmtimi që ka pësuar së fundmi. Madje më kërkesë të klubit të Espanyolit, mesfushori është lejuar të largohet drejt Spanjës, me qëllim riaftësimin e plotë për ndeshjen e radhës në La Liga2

Gjatë seancës stërvitore të kësaj të premteje, Sylvinho preferoi ta ndante grupin në dy pjesë, pasi edhe ngarkesa fizike për ata që kanë luajtur titullarë dhe lojtarët të stolit do të ishte e ndryshme. Madje disa nga lojtarët kanë bërë ushtrime vetëm në palestër.

Stafi ka parashikuar që e shtuna të jetë pushim, për t’i vijuar përgatitjet për Bulgarinë të dielën.

Nga lista fillestare mungojnë gjithashtu Broja dhe Ismajli, që patën probleme fizike të kapërcyeshme për ndeshjen e fituar me Çekinë.

TRENDING

Exit mobile version