Kosova

Pas dështimit të referendumit dhe votimit në veri, Kosova pret presion për Asociacionin

“Kosovës do t’i shtohet presioni për themelimin e Asociacionit” – Kështu konsiderojnë analistët politikë, pas dështimit të iniciativës për largimin e kryetarëve në veri si dhe vlerësojnë se të dielën është vërejtur qartë ndikimi i Listës Serbe tek serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Ish-diplomati Blerim Canaj, tha se procesi i votimit ishte një dështim, pasi sipas tij, vetëm shpërfaqi ndikimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç e të Listës Serbe mbi serbët e Kosovës, dhe shtoi se me këto zgjedhje Kosova humbi 250 mijë euro teksa nuk arriti asgjë.

Sipas tij, gjithashtu qeveria nuk ka strategji të qartë për integrimin e pakicave serbe në institucionet vendore. Sipas tij, argumenti kryesor pas kësaj situate, do të jetë themelimi i Asociacionit.

Kështu mendon edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, i cili konsideron se Kosovës do t’i shtohet presioni për zbatimin e Unionit të Komunave me Shumicë serbe. Megjithatë, Arifi tha se Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve.

“Presioni do të rritet për palën kosovare që zbatimi i Asociacionit të bëhet si kusht për avancim. Por, në këtë pikë, po flasim vetëm për këtë rast për referendumin, Kosova do të duhej të shpërblehej me largimin e sanksioneve”, deklaroi Arifi.

Serbët, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë me kryetarët aktual, pasi vetë refuzuan të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor për shkarkimin e tyre. “Për fat të keq qytetarët serbë e bojkotuan procesin. Është një humbje e madhe për serbët në radhë të parë por edhe për shtetin e Kosovës sepse po vërehet që është problem politik dhe njëfarë problemi edhe integrim i serbëve. Bashkimi Evropian duhet të përçojë një mesazh të fuqishëm politik, që do të ishte largimi i masave shtrënguese për Kosovën sepse në njëfarë mënyre do t’u tregonte qytetarëve serbë në veri që bojkotimi dhe mos pjesëmarrja në integrim dhe në zgjedhje është e gabuar”- deklaroi Arifi.

TRENDING

Exit mobile version