Politike

PD jashtë zgjedhjeve, Meta: Nuk kam asnjë interes për këtë çështje

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar vendimin e KQZ për të mos regjistruar asnjë Parti Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në një intervistë televizive Meta tha se PL do i mbështeste kandidatët e primareve, të Sali Berishës, duke shtuar se qëllimi është lufta kundër asaj që ai e cilëson si regjimi i Edi Ramës.

Ilir Meta: Nuk kam asnjë koment sepse isha në një takim dhe po prisja të lidhemi bashkë. Nuk kam asnjë interes për këtë çështje. Për mua ka rëndësi që për 60 ditë shqiptarët do të kenë mundësi të ndëshkojnë më votë këte sistem monist. Janë katër vite të humbura. Me Partinë Demokratike kemi një marrëveshje të bërë publike prej kohësh. Për mua ka rëndësi që për 60 ditë do të shkojmë në zgjedhje. Koalicioni është firmosur prej muajsh. Çështja e regjistrimit të kandidatëve është një cështje teknike. Opozita shkon e sigurt dhe e bashkuar drejt një fitore historike. Komentet për Bashën janë bërë me kohë. Nuk dua të hyj në çështjen e Partisë Demokratike sepse e ka zgjidhur populli në 6 mars, e kanë zgjidhur dhe anëtarët e Partisë Demokratike por e zgjidhi dhe gjykata. Jemi drejt triumfit të opozitës kundër një regjimi monist.

Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.

TRENDING

Exit mobile version