Aktualitet

Penguan gazetarët në Kuvend/ Garda e Republikës: I’u tërhoq vëmendja efektivëve

Me një mënyrë dhe sjellje të paprecedentë, efektivët e Gardës së Republikës, penguan sot punën e gazetarëve në oborrin e Kuvendit. Me justifikimin se ka ndryshuar rregullorja, gazetarëve nuk u lejua që tu drejtohej mikrofoni deputetëve të PS apo ministrave.

Në lidhje me këtë gjë, ka ardhur së fundmi dhe një reagim nga Garda e Republikës, e  cila ka kërkuar mirëkuptim nga ana e mediave, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte shmangia e incidenteve.

Sipas tyre, pengimi i gazetarëve mund të jetë bërë në mënyrë të padëshiruar, teksa shton më tej se, në analizën e sotme, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

“Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.

Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.”-shkruan Garda.

TRENDING

Exit mobile version