Aktualitet
Për humbjen e Kosovës, Serbia ngushëllohet nga Perëndimi, merr Malin e Zi
Shkrimtari malazez, Milan Popoviç, në një intervistë për gazetën “Pobjeda” në Podgoricë, ka thënë se në vitet 2000 të këtij shekulli, ekzistonte një plan i Bashkimit Evropian, i cili synonte “sakrifikimin” e Malit të Zi apo një lloj kompensimi ndaj Serbisë për humbjen e Kosovës.
Popoviç ka thënë se ky plan tashmë po vihet në zbatim nga Serbia e Rusia, të cilët, sipas tij, me riorganizimin e ri të forcave pro-serbe e pro-ruse në politikën malazeze, duan të shkatërrojnë Malin e Zi nga brenda për të treguar se shteti i vogël ballkanik nuk është i aftë të funksionojë.
Për “planin e Perëndimit” ka shkruar fillimisht edhe gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Janusz Bugajski, i cili i referohej ndarjes së Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit – Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë – gjithnjë në koordinim me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni dhe Brukseli, sipas Bugajskit, mund të kenë hartuar një plan për një zgjidhje të re rajonale – një “plan prepalësh” që synon shpërblimin e Tiranës, Beogradit dhe Zagrebit me ndikim politik dhe ekonomik mbi Prishtinën dhe Podgoricën.
Ndërkaq, teksa ka komentuar kritikën publike të një pjese të diplomatëve e njohësve të çështjeve politike, në lidhje me ndjekjen e një “politike të butë” ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, shkrimtari malazez ka thënë se njëjtë e patën trajtuar edhe Sllobodan Millosheviçin, ish-udhëheqësin fashist të Serbisë.
Shumë ekspertë kanë vlerësuar se situata politike në Mal të Zi dhe fitorja aktuale e ideologjisë së “Serbisë së Madhe” në mënyrë të pashmangshme do të përhapet edhe në rajon, ngase sipas tyre, në mendjen e Perëndimit tani po vërtitet ideja se rajoni duhet të ndahet në tre sfera ndikimi: shqiptare, serbe dhe kroate.