09/06/2021 , 14:25

Përballja e Madhe – Më 15 qershor takimi Kurti-Vuçiç për dialogun

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të takohen në Bruksel me 15 Qershor.  Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësi për Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano në një konferencë për media .“Mund të njoftoj se raundi tjetër i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet të martën e ardhshme më 15 qershor, ku do të takohen presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Albin Kurti. Këto takime do të ndërmjetsohen nga krye diplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak”, ka thënë Stano.

Ajo çfarë pritet të shkaktojë përplasje mes Kurtit dhe Vuçiç është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e nënshkruar në vitin 2013, për të cilën kryeministri Kurti dha sinjale të qarta se nuk do të mund të themelohet.

Por, BE pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat është arritur pajtim.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushtim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, tha zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin