Politike

Përjashtimi i 19 deputetëve nga Kuvendi, Sula: Më vjen turp nga kolegët…

Pas vendimit të Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar 19 deputetë të opozitës si pasojë e kaosit në kuvend seancën e shkuar, deputeti Dashnor Sula nuk ka kursyer akuzat ndaj kolegëve të mazhorancës.

Madje Sula, i ftuar në Breaking në Top News, ironizoi duke thënë se ndihet në siklet ndaj kolegëve, pasi nuk është përjashtuar asnjëherë deri tani.

“Edhe unë isha aty. Pse nuk më përjashtuan mua? Më vjen dhe turp nga kolegët. Të enjten do përfshihem dhe unë, se këta të shtyjnë me zor”.

Sipas deputetit Sula vendi është në diktaturë dhe deputetët e mazhorancës ngrenë kartonin për gjithçka u kërkon kryeministri.

“Këtu s’ka logjikë, nuk funksionon më asgjë. Unë shpreh keqardhjen ndaj deputetëve që firmosën përjashtimin. Tre prej tyre, në Sekretariatin e Etikës nuk e di kush janë, anonimë që përdoren vetëm për firmë. Janë “dele” pa aktivitet politik dhe pa kontribut në kuvend”, tha deputeti Sula.

Lidhur me situatën e krijuar, Sula u shpreh se po shihet si problem i opozitës, por në fakt sipas tij mazhorancës i ka hyrë frika në palcë.

Ndërsa analisti Poli Hoxha theksoi se kjo situatë është në favor të kryeministrit Rama, duke nënvizuar se kapërcimi i krizës politike, nuk mund të vijë pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

TRENDING

Exit mobile version