Kosova

Përmes Serbisë…ja si Rusia po spiunon Ballkanin Perëndimor

Luftërat e formatit hibrid do të jenë shtylla e politikës ruse në Ballkanin Perëndimor duke u futur tani më brenda strukturave të sigurisë së Serbisë.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala tha se Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si rajonin ku mund ta ushtrojë influencën e saj, me qëllim që të sfidojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Strategjia e Rusisë ndaj Ballkanit është në funksion të marrëdhënieve ruse me Perëndimin. Kur këto marrëdhënie ecin mirë për arsye pragmatike, Rusia nuk u bie shumë ndesh politikave të Perëndimit. Kur ndizen përplasjet, Rusia ka tendencë ta shohë Ballkanin si thembra e Akilit për Aleancën Perëndimore, një rajon ku ajo mund të ushtrojë influencën e saj në nivele të ndryshme, sikurse edhe në media dhe në mënyrë të tërthortë t’ia vështirësojë punët NATO- s dhe Bashkimit Evropian” – deklaroi Shala.

Sipas tij, në rajon çdo ditë e më shumë po rritet ndikimi hibrid rus, me qëllim përhapjen e propagandës.

“Pra kemi një lidhje të qartë mes synimeve të politikës së jashtme të një vendi dhe reagimit të medias dominante në këtë vend. Kjo shihet në Serbi dhe në Republikën Serbe të Bosnjës. Por nëse analizon vende pro-perëndimore si Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia e Veriut, vërehet një rritje e ndikimit hibrid ndërsa me Kosovën e Shqipërinë, Kremlini sheh dallim të madh në reagimin apo përcjelljen e propagandës ruse. Pra modeli hibrid ka marrë pamje më të plotë në sistemin e sotëm Rus, ku disa parime të përgjithshme të demokracisë Perëndimore ravijëzohen vetëm në Kushtetutën e Federatës Ruse, por përtej ketyre parimeve dhe germave kushtetuese, realizohen përmes një modeli autokratik, autoritarist, të centralizuar dhe të kontrolluar nga presidenti rus mbi ekzekutivin, legjislativin në dy nivelet e tij, mbi sistemin e drejtësisë, mbi ekonominë, mediat etj” – shpjegoi eskperti Shala, duke shtuar se tani Rusia do të përdor edhe infrastrukturën serbe si qendër spiunazhi për Ballkanin Perëndimor.

“Për këto qëllime, Kremlini, përveç mediave, po përdorë si mjet ndikimi edhe Kishën Ortodokse Ruse dhe Kishën Ortodokse Serbe në vendet me një pjesë të konsiderueshme të ortodoksëve në popullsinë e përgjithshme. Prandaj luftërat të formatit hibrid do të jenë shtylla e politikës ruse në Ballkanin Perëndimor duke u futur tani më brenda strukturave të sigurisë së Serbisë” – theksoi analisti i njohur

TRENDING

Exit mobile version