LAJMI I FUNDIT

Përsëritet skenari, ‘Rithemelimi’ bllokon foltoren, Spaho i bie bilbilit

Parlamenti është mbledhur sot ndërkohë që tensionet nuk mungojnë edhe në këtë seancë plenare. Edhe pse 12 deputetë të ‘Rithemelimit’ mungojnë së bashku me Berishën, të tjerët të mbetur në Kuvend kanë bllokuar sërish foltoren dhe deputeti Edmond Spaho ka filluar që t’u biere bilbilit. Me një skenar tashmë të ngjashëm si edhe në seancat e mëparshme, deputetët e Rithemelimit kanë bllokuar foltoren. Ndërkohë që të ashpra kanë qenë akuzat mes palëve, teksa nuk bien dakord për të përcaktuar kohën e ‘mocionit me debat’ të kërkuar nga opozita për çështjen ‘McGonigal’. Seanca është pezulluar dje la rifilluar pas disa minutave pushim.

Në seancën e sotme plenare, mungojnë 12 deputetë demokratë që kanë shkaktuar kaos në seancat e shkuara. Ata janë Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati. PD e ankimoi vendimin e djeshëm për përjashtimin e 4 të parëve në Byronë e Kuvendit dhe deputeti Oerd Bylykbashi ka thënë se tashmë deri në shqyrtimin e kësaj kërkese vendimi i përjashtimit është i pezulluar ndaj edhe atyre i lind e drejta për tu futur në seancë. Por Garda e Republikës nuk i ka lejuar dhe deputetët i janë bashkuar protestuesve, teksa Byroja e Kuvendit është mbledhur dhe konfirmoi masën disiplinore. Berisha është bashkuar me protestuesit.

Në rendin e ditës të seancës së sotme është parashikuar të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi. Për këtë arsye seanca do të drejtohet nga Ermonela Felaj. Mazhoranca e bëri të qartë se do ta refuzojë kërkesën e demokratëve, pasi sipas socialistëve Nikolla e ka zbatuar me korrektësi rregulloren, pasi kuvendi ishte në situatë të jashtëzakonshme e kësisoj seanca nuk mund të vijonte normalisht dhe duhej kaluar menjëherë në votim. Ndërkohë, jashtë Kuvendit, Sali Berisha ka paralajmëruar se do të vijojë “revolucionin” bashkë me mbështetësit e tij.

Lajm në përditësim…

Spiropali: ‘McGonigal’ s’ka lidhje me ne por me frikën tuaj për ’21 janarin’! Revolucionin e bilbilave e udhëheq Edmond Spaho

Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali tha se e gjithë kjo zhurmë që bën opozita në Kuvend është frika e Berishës edhe nga hetimet për 21 janarin.

“Nuk po lejoni zhvillimin e një mocu9oni me debat për këtë temë për t’i dhënë një herë e mirë kapak kësaj historie që nuk ka lidhje me ne por me situatën tuaj. Ju jeni kthyer në ndihmës të ‘Non grata-s’. Jeni kthyer në qiririn e një njeriu që kurrë s’ka më shans të rikthehet në piramidën drejtuese të vendit. Nuk është rastësi duke pasur parasysh që sot familjarë të viktimave 21 janarit kanë depozituar provë të re. Me atë ka lidhje kjo sjellje juaj.  Revolucioni i bilbilave që e udhëheq Edmond Spaho”, tha Spiropali.

Korreshi: Rama të vij në Kuvend, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me McGonigal

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi, tha se kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet kërkesës së opozitës dhe të shkojë në seancë dhe të japë llogari për lidhjen me McGonigal.

‘Gjatë gjithë kohës keni lozur dhe është lozur pis me opozitën. Gjithë kjo shfaqje që vjen sot është se keni mohuar të drejtën e 750 mijë opozitarëve që të dëgjojnë atë që e heq veten si kryeministër i Shqipërisë. Duhet të vij kryeministri i Shqipërisë të japë shpjegime për çështjen e McGonigal. Tu tregojë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur. Të vij të bëjë kryeministrin. Kjo procedurë nuk është ndjekur. Sa herë që opozita kërkonë përjashtimin e Edi Ramës nuk zbatohet rregullorja e Kuvendit.’- tha Korreshi.

Spaho s’pushon duke i rënë bilbilit, pezullohet seanca e Kuvendit! Balla: Berisha po kërkon të destabilizojë Shqipërinë

Seanca plenare është pezulluar për 10 minuta dhe shkak për këtë është bërë kaosi i shkaktuar nga deputetët e Rithemelimit në Kuvend, të cilët u kanë rënë bilbilave.

Nga ana tjetër Taulant Balla u shpreh se me këtë skenar, Berisha po kërkon që të destabilizojë Shqipërinë. Sipas tij, kërkesa e opozitës për mocion me debat për dosjen McGonigal është miratuar por ata nuk kanë asnjë interes për këtë çështje.

“Bindja e parë prej ditës së parë që jemi bërë shumicë në këtë kuvend, është që kurrë ndonjëherë t’i bëjmë opozitës ato që ne kemi vuajtur me ju. Ky është një urdhër. Ju vetëm zbatoni urdhërin nga një zotëri që ka marrë përsipër të bëjë rolin e flamurit se ka një marrëveshje për zbatimin e vendimit të gjykatës kushtetuese. Prandaj kuvendi me vendimin e datës 23 janar ka ngritur një komision për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore. I kërkoj grupeve parlamentare që të depozitojë emrat për anëtarë të këtij komisioni. Sa i përket mocionit për debat, kërkesa është miratuar po ju nuk kemi asnjë interes sepse e vërteta është që kontratat e oligarkut rus ia keni dhënë ju bashkë me Saliun tuaj. Lidhur me propozimin e zonjës Açka, e përgëzoj vizitën më të fundit të komisionit të integrimit evropian në Kosovë në kuadër të një shkëmbimi mes dy kuvendeve tona. Me 27 nëntor të vitit të kaluar, në një rast historik, kuvendi i Shqipërisë dhe Kosovës ka zhvilluar për herë të parë seancën e tyre të përbashkët dhe me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dua të mbështes proceset e rëndësishme që është angazhuar Kosova. Por sa herë Kosova ka pasur një moment të vështirë, aty gjendet Sali Berisha për të tërhequr vëmendje nga Kosova. Kur Kosova bëhej gati për luftë, Sali Berisha ishte në sheshe dhe protesta. Kur në ’98 ishte në luftë, Sali Berisha i vinte zjarrin kryeministrisë së vendit. Kur Kosova shkonte në Rambuje, Berisha bllokonte sheshet e Tiranës. Kur Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, Berisha bllokon kuvendin e Shqipërisë. Është skenar i Berishës, antikombëtar përpjekjet për të bllokuar Kuvendin janë përpjekje për të destabilizuar Shqipërinë në këto kushte në të cilat ndodhet Ballkani. Por ta harroni!”, tha Balla.

Tabaku: Ktheni kuvendin në binarë, na lejoni të flasim për qytetarët! Qeveria nuk mund të fshihet përjetësisht

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku i ka kërkuar deputetëve të mazhorancës të arsyetojnë duke u kërkuar të sjellin seancën në binarë. Sipas saj, kryeministri duhet të japë llogari dhe transparencë në mënyrë që parlamenti ti kthehet normalitetit dhe t’i përmbahet rendit të ditës.

“Qeveria nuk mund të fshihet përjetësisht, të vijë të bëjë transparencë, të tregojë çfarë ka ndodhur në akuzën e skandalit të McGonigal. Kemi 3 javë nuk flasim për buxhetin. Njerëzit presin që ne të flasim për qytetarët. Duam të flasim për transparencë, për përjashtimin e kryetares së kuvendit se është kërkesë e opozitës.

Kjo sjellje e juaja nuk ju bën as ju as qytetarëve dobi. Ju s’po i jepni zgjidhje as ne. Ta sjellim seancën në binarë. Unë besoj që jemi këtu për të folur për qytetarët kështu që na lejoni.”- tha Tabaku.

TRENDING

Exit mobile version