Kosova

Pickimet e Josep Borell përmes zëdhënësit Stano dhe masat ndaj Kosovës 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në linjë me konkluzionet e nxjerra me datën 12 dhjetor 2023, Këshilli Evropian do të diskutojë për masat e Unionit bazuar në një raport te Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e fundit në Veri që u mbajtën për të larguar kryetarët shqiptarë dhe ka theksuar se Kosova e ka mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale, por se organizimi i votimit ka pasur disa sfida, si vendosja e kamerave të sigurisë.

Gjithashtu Stano u shpreh se vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për bojkot, kanë çuar në një sërë vështirësish, përfshirë krijimin e komisioneve në qendra të votimeve pa asnjë anëtarë serb të Kosovës.

Stano si sfidë ka përmendur edhe vendimin e drejtorëve të shkollave serbe në Veri për të mos lejuar përdorimin objekteve shkollore për votime.

Zëdhënësi deklaroi se BE shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në Veri e kanë çuar dëm një mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët “që do të ishin vërtet përfaqësues”.

Sipas Stano-s, rezultati nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në shtrimin e rrugës për kthimin e serbëve në institucione, gjë që është esenciale për normalizimin e raporteve. Stano për masat ka folur edhe në një konferencë për media gjatë javës që shkoi kur është pyetur për kërkesat e drejtuesve të institucioneve të Kosovës që ato të hiqen.

Ai ka thënë se masat do të hiqen vetëm kur të vendosin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jo politikanët e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave, duke thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet.

 

TRENDING

Exit mobile version